Bashkëpunimi ndërkomunal në rajon vlerësohet tejet i rëndësishëm

Aktuale

Bashkëpunimi ndërkomunal në rajon vlerësohet tejet i rëndësishëm

Më: 18 mars 2022 Në ora: 13:21
Foto nga vendi i ngjarjes

Në konferencën vjetore “Forumi Rajonal i Dialogut dhe Bashkëpunimit” të organizuar nga Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI), u tha se bashkëpunimi rajonal ndihmon në avancimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi u shpreh se Qeveria e Kosovës mirëpret iniciativat ndërkomunale për bashkëpunim me shtetet e rajonit pasi kështu ndikohet në forcimin e unitetit rajonal në funksion të integrimit të bashkuar drejt BE-së.

Bislimi tha se janë duke punuar në një event për krijimin e një panairi rajonal, ndërsa foli edhe për bashkëpunimet ndërkufitare në kuadër të projekteve që ofron IPA dhe projekteve të tjera që financiarisht ndihmojnë avancimin ndërkomunal.

Bislimi: Bashkëpunimi ndërkomunal me shtetet e rajonit fuqizon unitetin rajonal drejt BE-së

Aktualisht ne jemi duke punuar intensivisht në katër marrëveshjet rajonale të procesit të Berlinit dhe kemi përçuar mesazhin që vazhdojmë të jemi shumë të interesuar për nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve mbi principin e barazisë të të gjitha vendeve të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor...  Ne si Qeveri mirëpresim iniciativa të bashkëpunimit ndërkomunal me shtetet e rajonit. Jemi të bindur se kjo ndikon në shkëmbim të përvojave, kulturave, praktikave vlerave të cilat ndikojnë në fuqizimin, në përforcimin e unitetit tonë rajonal në funksion të integrimit të bashkuar drejtë BE-së por edhe rritjes së prosperitetit në tërë rajonin dhe atë në të gjitha fushat ekonomike dhe shoqërore”, u shpreh Bislimi.

Kurse, zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi tha se si shtet kanë bërë hapa të rëndësishëm në drejtim të qeverisjes së decentralizuar si një aspekt i një demokracie funksionale dhe faktor që kontribuon për barazi sociale.

Grubi u shpreh se sfidë serioze për Maqedoninë e Veriut në aspektin e pushtetit lokal mbetet decentralizimi fiskal.

Grubi: Arritëm që të sjellim në binarët e duhur procesin e decentralizimit

Arritëm që të sjellim në binarët e duhur procesin e decentralizimit por a është kjo e mjaftueshme dhe e ka nevojë për avancim të mëtejshëm natyrisht që përgjigja do të ishte po sepse gjatë këtyre viteve mund të jenë shfaqur edhe dobësi të ndryshme në funksionimin e modelit. Sfida më serioze e vendit tonë mbetet padyshim thellimi i decentralizimit fiskal. Në këtë drejtim kemi rritur bashkëpunimin me çdo komunë të vendit zhvillojmë bisedime edhe me bashkësinë e njësive të vetëqeverisjes lokale që të konkretizojnë kërkesat dhe objektivat komunale që të përforcojmë kapacitetet e tyre që të jemi sa më afër interesat e qytetarëve”, theksoi ai.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi u shpreh se si dikaster synojnë fuqizimin e bashkëpunimit rajonal përmes dialogut dhe aktiviteteve konkrete.

Krasniqi tha se MAPL aktualisht është duke implementuar tri programe në kuadër të IPA-së për bashkëpunim ndërkufitar me Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Malin e Zi.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal tha se fokus kanë edhe avancimin e kuadrit ligjor në fushën e vetëqeverisjes lokale.

Krasniqi: MAPL në vazhdimësi është afër pushtetit lokal

MAPL konform mandatit të saj ligjor dhe me qëllim që të sigurojë funksionimin sa më efikas të vetëqeverisjes lokale në Kosovë në vazhdimësi është afër pushtetit lokal në mënyrë që pushteti lokal të ofrojë shërbime sa më efikase dhe të jetë sa më afër qytetarit. Ky është një indikator i rëndësishëm drejt përmbushjes së agjendës evropiane. MAPL ka për qëllim edhe fuqizimin e bashkëpunimit rajonal përmes dialogut dhe aktiviteteve konkrete dhe vetëm në këtë mënyrë ne mund të japin rezultate për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe aspiratave tona të përbashkëta”, u shpreh Krasniqi.

Ndërsa, drejtori ekzekutiv i Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI), Valmir Gashi u shpreh se kjo konferencë vjetore po synohet të bëhet një nismë rajonale për rrjetëzim të autoriteteve lokale.

Gashi: Këtë konferencë synojmë ta bëjmë nisma rajonale

Forumi Rajonal i Dialogut dhe Bashkëpunimit është një konferencë e cila ka për qëllim që të kthehet në një nismë rajonale për rrjetëzim të autoriteteve lokale. Instituti KLGI synon që dialogun bashkëpunimin dhe komunikimin që ta shtrijë në katër nivele. E para të shtrijë dialogun në nivelin lokal dhe forcimin e agjendës zhvillimore dhe euro-integruese. E dyta në shkëmbimin e njohurive, informacioneve dhe praktikave për proceset reformuese dhe euro-integruese. E treta në identifikimin dhe nxitjen e bashkëpunimit në programet dhe qasje në fonde zhvillimore”, tha ai.

Në këtë konferencë vjetore ishte i pranishëm edhe ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grondahl i cili u shpreh se duhet të fuqizohet edhe më tej qeverisja lokale me qëllim të ofrimit të shërbimeve për qytetarët dhe rritjes së transparencës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat