Në Kosovë nuk ka asnjë rast të dyshuar me grip të shpezëve

Aktuale

Në Kosovë nuk ka asnjë rast të dyshuar me grip të shpezëve

Më: 21 mars 2022 Në ora: 17:32

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka marrë vendim për ndalimin e importit të shpezëve të gjalla nga një zonë e prekur në Shqipëri për shkak të gripit të shpezëve-H5N8. Në vend, aktualisht nuk ka asnjë rast të dyshuar me këtë virus. AUV thotë se kanë marrë të gjitha masat operative për të parandaluar përhapjen e sëmundjes në fermat e Kosovës.

Zyrtari për informim i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi thotë për KosovaPress se pas raportimit të autoriteteve shqiptare për prezencën e gripit të shpezëve, kanë marrë vendim për ndalimin e importit nga zona e shpërthimit të sëmundjes.

Thaçi: Në Kosovë nuk ka asnjë rast të raportuar si të dyshimtë

“Ne po punojmë aktivisht që të kemi sa më pak raste të prekura. Aktualisht që po flasim nuk e kemi asnjë rast të raportuar si të dyshimtë në prezencë të gripit të shpezëve H5N8. Por, jemi në terren dhe jemi duke marrë informata kudo që mund eventualisht të ketë ndonjë dyshim. Masa e vendosur ndaj Shqipërisë është masë e njëjtë që vendoset edhe nga ana e tyre në qoftë se kemi raste te ne. Dhe është masa që edhe vetë shteti kur ndodh shpërthimi i kësaj sëmundjeje nuk lejon lëvizje të shpezëve dhe lëvizje as brenda territorit të vet, e lëre më që të certifikojë ndonjë ngarkesë nga zona e shpërthimit që të dalë jashtë vendit”, tha Thaçi.

Thaçi thekson se në masat e vendosura nuk përfshihen edhe zonat tjera. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, sipas tij, ka qenë në komunikim me autoritetet në Shqipëri që nga java e kaluar dhe se të gjitha shtetet në rajon janë në situatën emergjente ku kanë ngritur nivelin e kontrollit.

Thaçi: Kjo është një sëmundje virusale që prek shpezët

“Kjo është një sëmundje virusale që prek shpezët dhe përhapja e tyre zakonisht bëhet përmes kontaktit direkt mes shpezëve. Por, mund të përhapet edhe duke mos ndërmarrë masa të bio-sigurisë në fermat ku janë të prekura. Shtetet zakonisht pas konfirmimit të një rasti në një fermë, ndërmerren masat e karantinimit të fermës, kryhen asgjësimet në atë fermë dhe shpallet zona që duhet të monitorohet se a ka raste të tjera të dyshimta apo jo. Dhe në secilin rast që ka shenja klinike, ndërmerren veprimet e saj”, tha Thaçi.

Përkundër numrit të vogël të inspektorëve, Lamir Thaçi shton se kanë marrë masa operative për të parandaluar përhapjen e kësaj sëmundje veterinare në Kosovë. Sipas tij, kjo nuk mund të përjashtojë asnjë shtet, meqë përhapja mund të bëhet edhe përmes shpezëve të egra apo shtegtarëve.

Thaçi: Fermerët në Kosovë janë të informuar për masat që duhet të ndërmerren

“Të gjithë fermerët në Kosovë janë të informuar për masat që duhet të ndërmerren. Ne këtë sëmundje e kemi pasur prezente në Kosovë, qysh në majin e vitit të kaluar dhe në vazhdimësi gjatë gjithë vitit, në mënyra të ndryshme kemi bërë lajmërime të rasteve. Shtabi emergjent i AUV-it ka qenë aktiv gjatë gjithë kohës dhe janë ndërmarrë të gjitha veprimet në terren për parandalimin të përhapjes. Fillimisht kemi pasur raste të prekjes vetëm tek ekonomitë familjare, pulat, oborret që mbajnë fermerët. Ndërkaq, në shtator dhe tetor kemi pasur raste të prekjes së fermave komerciale”, tha Thaçi.

Zyrtari për informim në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi deklaron se janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet shqiptare për të marrë informacione në baza ditore lidhur me mundësinë e përhapjes në zona të tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat