Kosova vendos sanksione të reja për Rusinë dhe Bjellorusinë, nisin procedurat për projektin 200 mln € të gazsjellësit amerikan

Aktuale

Kosova vendos sanksione të reja për Rusinë dhe Bjellorusinë, nisin procedurat për projektin 200 mln € të gazsjellësit amerikan

Më: 23 mars 2022 Në ora: 09:05 Përditësuar në ora: 13:42 më 23.03.2022
Qeveria e Kosovës

Kurti: Kosova e Serbia kanë bërë 33 marrëveshje pa u njohur, reciprociteti do të ndodhë

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk i ka kërkuar njohje Serbisë nëse kishin shkëmbyer letra për çështjen e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

Këtë akuzë ia kishte bërë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se “ka pranuar kompromise të ndryshme, por se nuk duan ta përmendin Qeverinë e Kosovës, sepse kjo do të nënkuptonte njohje de facto dhe tha se pala prishtinase këmbënguli për këtë”.

“Jemi duke biseduar me ministren e Rozeta Hajdari dhe nuk dëshirojmë ta bëjmë e të mos kemi sukses. Qartazi nuk ka raport simetrik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ne duhet t’i normalizojmë këto raporte. Unë nuk kam kërkuar që me shkëmbimin e letrave të arrijë njohje nga Serbia. Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë kanë bërë 33 marrëveshje pa u njohur. Andaj edhe Serbia mund ta pranojë pasaportën e Kosovës”, tha Kurti.

Kurti: Do t’i vizitoj komunat me shumicë serbe në vitin e dytë të qeverisjes

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për media ka thënë se do të vizitojë komunat me shumicë serbe gjatë vitit të dytë të qeverisjes.

Kjo përgjigje e Kurtit erdhi pasi u pyet nga një gazetare serbe se kur do t’i vizitojë këto komuna.

“Unë nuk kam arritur që të vizitojë shumicën dërmuese të komunave të Kosovës. Por ky viti i dytë kur janë lehtësuar kushtet në pandemi, dhe kur qartazi varianti Omicron nuk është vdekjeprurës, sikurse ai Delta dhe kur vaksinimi është shumë i lartë do të mundësojnë më shumë që të dal në terren. Viti i dytë i qeverisjes do të jetë vit i daljes në terren dhe do t’i vizitojë edhe komunat me shumicë serbe”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti po ashtu deklaroi se gjatë këtij njëvjetori nuk e ka bërë asnjëherë dallimin shqiptarë dhe serbë.

“Në qeverisjen tonë në nuk e kemi bërë dallimin shqiptarë dhe serbë dhe me komunitetet e tjera, sepse jam kryeministër i të gjithëve dhe i atyre 130 mijë serbë që janë në vendin tonë”, tha ai.

Kurti tregon dy arsyet pse po sulmohet egër Donika Gërvalla

Kryeministri Albin Kurti është pyetur për kritikat që ia kanë dhënë partitë opozitare diplomacisë së udhëhequr nga Donika Gërvalla.

Ai tha se sulmet ndaj saj po i vijnë edhe nga ish-partia e saj, derisa përmendi edhe përjashtimin e Gërvallës nga një mbledhje e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së kur ajo ishte pjesë e partisë.

“Mund ta imagjinoj pse ka një sulm të egër, të papërmbajtur ndaj zëvendëskryeministres sime dhe ministres së Jashtme për shkak se ajo tash përfaqëson edhe një subjekt të ri politik dhe gjithashtu është në raporte të mira me mua si kryeministër. Mos harroni se po ankohet në ministren e Jashtme subjekti politik, i cili kur ka qenë kjo anëtare nuk e ka lejuar të hyjë në mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm. E mbani mend se si janë përdorur truprojat që zonja e nderuar, vajza e dëshmorit e heroit kombëtar, të mos lejohet të hyjë në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së. Ata dëshirojnë që ta bëj edhe unë të njëjtën, por jo vetëm që s’jam i njëjtë me ta, por jam shumë i ndryshëm prej tyre”.

Kurti tha se ka një koordinim shumë të mirë me kryediplomaten dhe se për çfarëdo vendimesh dhe qëndrimesh që merren në fushën e politikës së jashtme, i diskutojnë dhe konsultojnë bashkë me Gërvallën.

Qeveria nis procedurat për projektin 200 mln € të gazsjellësit amerikan

Kanë filluar procedurat për marrjen e grandit nga MMC -ja në vlerë të 200 milionë eurove për investime në sektorin e energjisë i cili është projekti i gypit Trans Adriatik i njohur si TAP.

Ministri i Financave Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati u shpreh se pas gjithë polemikave se ky projekt nuk do ti jepet Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me ShBA-në përmes programit “Kompakt” të MCC-së, Kosova do të përfitoj 200 milionë euro në sektorin e energjisë

Pas gjithë atyre polemikave se do të bëhet apo s’do të bëhet, programi “Kompakt” me MCC-në, me Kosovën dhe ShBA-në siguron 200 milionë euro investime në sektorin e energjisë”, ka thënë ministri Murati

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli duke prezantuar detaje nga ky projekt tha se për 15 vite Kosovës i ofrohen investime të cilat do të jenë në të mirë të stabilitetit energjetik.

Rizvanolli tha se në qershor të 2022 bordi i MCC-së do të hedh në votim këtë projekt.

Ne do të shënojmë kthesën në investim në infrastrukturë, në qershor të 2022 hidhet në votim në bord të MCC-së. Mund të siguroj që kapaciteti do të jetë më shumë se 150 megavat”, u shpreh Ministrja Rizvanolli.

MCC-ja ka alokuar një grant deri në 200 milionë dollarë që do të mund të shfrytëzohej për ndërtimin e infrastrukturës së gazit natyror.

Opsioni që është më i studiuari për këtë projekt është ndërtimi i infrastrukturës së gazit, që do t’i jepte qasje Kosovës – përmes Maqedonisë së Veriut – në tregun e gazit natyror në Azerbajxhan.

Kosova me sanksione të reja për Rusinë dhe Bjellorusinë

Qeveria e Kosovës ka miratuar sot vendimin për zbatimin e masave dhe sanksioneve të reja për Rusinë dhe Bjellorusinë, përfshirë pakon e katërt të sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër këtyre dy shteteve.

Kryeministri Albin Kurti tha se përmes këtij vendimi Republika e Kosovës do të vazhdojë të rreshtohet me partnerët në zbatimin e masave dhe sanksioneve të reja, përfshirë pakon e katërt të sanksioneve të BE-së.

“Kjo pako konsiston në masa restriktive, tregtare, ekonomike, financiare energjike, industri të mbrojtjes si dhe ndaj individëve dhe etniteteve shtesë”, tha Kurti.

Ai tha se sanksionet e reja janë në vazhdimësi të bashkëpunimit të ngushtë me BE-, ShBA dhe partnerët tjerë. 

Miratohet vendimi për strehimin e 20 gazetarëve ukrainas

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të u ofroj mbrojtje dhe kushte për punë dhe mbrojtje 20 gazetarëve dhe familjarëve të tyre të ngushtë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sfeçla u shpreh se kjo është obligim moral që Kosova ka ndaj këtyre personave që janë të rrezikuar.

Ai tha se me këtë vendim u ofrohet mbrojtje e plotë institucionale.

Propozoj propozim-vendimin për mbrojtje të përkohshme dhe të menjëhershme për 20 gazetarë ukrainas dhe familjeve të tyre. Ky propozim-vendim u hap rrugë 20 gazetarëve për të qëndruar përkohësisht në Kosovë dhe për të ushtruar profesionin e tyre”, tha ministri Sveçla.

Kabineti qeveritar e miratoi këtë propozim-vendim me shumicë të votave.

Kurti mbledh kabinetin qeveritar

Adresimi i kryeministrit Kurti në mbledhjen e Qeverisë

Mblidhet Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës do të mblidhet sot, me fillim nga ora 10:00.

Lajmin e ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit, përmes një njoftimi drejtuar mediave.

“Ngjarja që zhvillohet në ndërtesën e Qeverisë, mund të përcillet vetëm nga gazetarët, kameramanët dhe fotografët që janë të akredituar dhe kanë me vete kartelat e akreditimit.

Për ngjarjet që zhvillohen në ndërtesë të Qeverisë, gazetarët, kameramanët dhe fotografët duhet të jenë të pajisur me maska mbrojtëse dhe t’i vendosin ato”, thuhet në njoftim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat