Dëshmitari në rastin e Mustafës pyetet për kohën kur iu bashkua LDK-së e qëllimin e LPRK-së

Aktuale

Dëshmitari në rastin e Mustafës pyetet për kohën kur iu bashkua LDK-së e qëllimin e LPRK-së

Më: 23 mars 2022 Në ora: 11:58 Përditësuar në ora: 14:44 më 23.03.2022
Brahim Mehmetaj

​Dëshmitari thotë asnjëherë nuk ka marrë urdhër nga Salih Mustafa për të arrestuar ndonjë person

Dëshmitari Brahim Mehmetaj i ka thënë trupit gjykues se asnjëherë nuk ka marrë ndonjë urdhër nga Salih Mustafa për të arrestuar dikë dhe pastaj për ta dërguar të ai. Dëshmitari i parë i mbrojtjes së Mustafës ka thënë se përveç kësaj as nuk ka dëgjuar brenda njësisë BIA që dikush të ketë bërë diçka të tillë. Gjatë dëshmisë së tij në gjykimin ndaj Salih Mustafës në Hagë, Mehmetaj ka thënë se pjesëtarët e BIA-s e kanë shfrytëzuar një shtëpi në Zllash për t’u strehuar dhe se nuk kanë pasur asnjë punë tjetër në atë zonë.

Avokati i Salih Mustafës, Julius Von Bone e ka pyetur dëshmitarin nëse ndonjëherë ka marrë urdhër nga Mustafa për të ndaluar ndonjë person.

Mehmetaj: Asnjëherë nuk kam marrë urdhër nga Salih Mustafa për të arrestuar dikë

“I nderuar avokat, shkëlqesia juaj zonja gjykatëse, unë e thash edhe më herët as nuk ka qenë në kompetencën e Salih Mustafës por as të strukturës që ne kemi udhëhequr në atë kohë e cila është quajtur Guerila BIA, që të ketë mekanizëm për arrestim, hetim apo ndalje apo veprim tjetër me bë, kështu që asnjëherë, në asnjë rast, në asnjë rrethanë nuk kam marrë urdhër dhe nuk kam dëgju që është dhënë ndonjë urdhër për me bë këso veprime, ato që ju i thatë”, ka thënë dëshmitari.

Ai ka thënë se BIA i ka shfrytëzuar dy dhoma nga kompleksi i disa shtëpive në Zllash në të cilat sipas tij strehoheshin pjesëtarët e UÇK-së por edhe civilë që kishin ikur nga Prishtina.

Mehmetaj: BIA e ka përdoru shtëpinë në Zllash si vendqëndrim për të pushuar dhe nuk ka pasur ndonjë punë tjetër aty

Video 

“Asnjë punë nuk ka pasur për të kryer në Zllash apo rreth Zllashit, BIA e ka përdorur atë vendqëndrim kryesisht për të pushuar dhe për ‘;tu kthyer pastaj ushtarët aty janë ndërruar, janë ardhur ushtarë të ndryshëm, disa kanë qëndruar dy tre ditë, kanë lëvizur kanë ardhur të tjerë, kanë shkuar në detyra tjera që i kanë pasur, kjo ka qenë krejt funksionimi i BIA-s në atë vend”, ka thënë Mehmetaj.

Ai ka thënë se nuk ka parë që ndonjë ndërtesë në këtë kompleks të Zllashit të jetë ruajtur në formë të veçantë ushtarake.

Mehmetaj ka thënë para gjykatës që ka qenë dy herë në Zllash dhe derisa është pyetur për periudhën kohore, ai ka thënë se ka ndodhur në muajin mars apo prill të vitit 1999.

Ai ka thënë se herën e parë ka shkuar në Zllash për të dërguar ndihma mjekësore që sipas tij ishin dedikuar për shtabin e Brigadës 153.

Ndërsa herën e dytë, Mehmetaj ka thënë se ka shkruar në Zllash për të takuar Isa Kastratin, i cili pastaj kishte rënë dëshmor më 21 prill 1999.

Mehmetaj: Në Zllash kam shkuar herën e dytë ndoshta dy javë para rënies së Isa Kastratit

“Nuk jam shumë i sigurt, por ndoshta mund të ketë qenë afër dy javë nuk jam i sigurt këtu mundem me gabu por aty diku”, ka thënë dëshmitari.

Ai ka thënë se në Zllash ka qëndruar rreth katër orë dhe se aty ka takuar edhe ushtarë të tjerë të UÇK-së dhe ka shtuar se i pranishëm aty kishte qenë edhe Salih Mustafa.

Mehmetaj: Isa Kastratin e kam takuar në vendqëndrimin e BIA-s në Zllash

“Saktësisht me datë nuk e mbaj mend sepse është kohë shumë e gjatë dhe realisht nuk e kam ditur që duhet me mbajt mend, por ka qenë diku muaji mars-prill[...]Isa Kastratin e kam takuar në atë vendstrehimin që e ka pasur Guerila BIA në Zllash, në atë shtëpinë ku ka qëndruar në Zllash, aty e kam takuar. Atë karakter e ka pasur, për shkak se Zllashi prej Prishtinës është disa kilometra dhe është në lartësi mbidetare diku 1 mijë metra, ka qenë një zonë e lirë për atë kohë, nuk ka pasur forca ushtarake paramilitare në atë vend, për shkak të sigurisë dhe idesë se është një vend ku munden me pushu ushtarët pak më qenë pasi kanë kryer punë në vende tjera, kanë ardhur anë pushu, kanë shkuar, janë kthyer, dhe për atë arsye është vend strehim apo vendqëndrim”, ka thënë ai.

Ndërsa kur i është kërkuar të përshkruajë vendin në Zllash, Mehmetaj ka thënë se ka qenë oborr i madh me disa shtëpi përreth.

Mehmetaj: Njerëzit e BIA-s i kanë pasur në shfrytëzim dy dhoma në kompleksin në Zllash

“Njerëzit e BIA-s aty sa unë e kam kuptuar dhe e di që është ashtu i kanë pasur në shfrytëzim vetëm dy dhoma prej atij kompleksi të shtëpive që kanë qenë aty, se ai ka qenë kompleks i një familje të madhe që e kanë përdorur. Aty kanë qëndruar njerëz që kanë ikur prej zonave të ndryshme, kanë ardhur kanë qëndruar një apo dy ditë derisa kanë siguruar vend tjetër diku dhe kanë lëvizë, kanë qëndruar ushtarë që kanë ardhur, ushtarë prej Zonës Operative të llapit apo zonave të tjera, janë ushqyer, kanë qëndruar një ditë, dy, apo tri, ka qenë një vend i hapur ku ka mundur me u fut çdo kush dhe me qëndru aq sa kanë pasur nevojë njerëzit”, ka thënë Mehmetaj.

Aktakuza ndaj Salih Mustafës, i cili është i arrestuari i parë nga Specialja, është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

​Brahim Mehmetaj dëshmitari i parë i mbrojtjes së Mustafës

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka filluar të dëgjohet dëshmia e Brahim Mehmetaj, i cili është dëshmitari i parë i mbrojtjes së Salih Mustafa. Mehmetaj ka treguar se ishte pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës që prej themelimit të saj dhe ka bërë të ditur se gjatë luftës ishte pjesë e gueriles BIA në të cilën ka shërbyer si zëvendëskomandant.

Para trupi gjykues, Mehmetaj fillimisht ka treguar se bë fund të viteve ’88 i është bashkuar organizimit ilegal Lëvizja Për Republikën e Kosovës, pas ndarjes së të cilës ka thënë se është bërë pjesë e Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës.

Mehmetaj: LDK-së i jam bashkuar në themelimin e saj

“LDK-së i jam bashkuar që në themelim, në vitin 1989-90. Pothuajse në të gjitha strukturat e funksionimit të LDK-së, kam qenë kryetar i degës së rinisë së LDK-së për Prishtinë, pastaj anëtar kryesie në nivele të degës e kështu me radhë, deri të anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së”, ka thënë ai.

Pas kësaj ai ka treguar për rolin e tij në njësinë BIA.

Mehmetaj: Qëllimi i BIA-s ka qenë çlirimi i vendit nga armiku

“Guerila BIA zyrtarisht është formuar më 20 maj 1998 ndërsa funksionimin dhe punën e kemi bërë që nga dalja e Salih Mustafës, komandantit Calit nga burgu, diku nëse nuk gaboj gusht ose aty diku, kur është liruar nga burgu e kam takuar dhe menjëherë jemi marrë vesh të fillojmë me bë organizimin e strukturave për UCK, njësiteve të UCK-së. Qëllimi i gueriles BIA ose qëllimi i ushtarëve të UÇK-së ka qenë liria, lufta e armikut, lufta ndaj armikut me qëllim arritjen e lirisë, çlirimin e vendit, ky ka qenë qëllimi kryesor”, ka thënë dëshmitari i mbrojtjes.

Ai ka theksuar se BIA nuk ka pasur përgjegjësi territoriale për të kontrolluar ndonjë zonë të caktuar por sipas tij kanë vepruar në qytetin e Prishtinës dhe në pjesët rurale përreth.

Ai ka shtuar se në raste nevoje BIA ka dhënë kontributin e saj edhe në Obiliq dhe Fushë Kosovë.

Mehmetaj: Aktivitetin e BIA-s e kemi zhvilluar në shtëpitë tona

“Të gjithë aktivitetin e kemi bërë në shtëpitë tona, për shembull një prej vendqëndrimit ku kemi qenë është shtëpia ime, ka qenë edhe shtëpia e Calit dhe disa njerëzve të tjerë të besueshëm, aty jemi takuar, aty kemi biseduar, varësisht prej punëve që i kemi pasur, por kryesisht i kemi përdorur shtëpitë tona në fillim të organizmit. Pastaj kemi përdorur edhe shtëpi të tjera, vendqëndrime që ne i kemi vlerësuar që kanë qenë pak më të sigurta me qëndru në to, shtëpi të njerëzve me të cilët jemi dakorduar me ta, i kemi marrë në shfrytëzim dhe i kemi përdorur”, ka thënë Mehmetaj.

Ai ka shtuar se nuk ka pasur asnjë arsye tjetër për shfrytëzimin e shtëpive, përveç për zhvillimin e takimeve dhe strehimin e pjesëtarëve të BIA-s.

Mehmetaj: Kam qenë ndihmës i komandant Calit

“Kam pasur rol që nga themelimi që nga marrëveshja me Calin, kam qenë zëvendëskomandant i Calit apo ndihmës i tij, deri në një periudhë të caktuar kur e kam ndërruar detyrën. Në emërimin zyrtar të BIA-s, që ka ndodhur më 20 maj 1998 është formuar shtabi i gueriles BIA, brenda të cilit kanë u themeluan katër sektorë për funksionim brena BIA-s. Ata sektorë ishin sektori i shëndetësisë, sektori i logjistikës, sektori i informacionit dhe sektori për moral e politikë. Realisht misioni i BIA-s përmbyllej me këta sektorë që i thash, pastaj përveç lufta që ishte ndaj armikut si qëllim kryesor i joni”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se qendrat shëndetësore i kanë krijuar për të trajtuar të plagosurit apo t’u dhënë shërbime popullit meqë forcat serbe i pengonin shqiptarët që të marrin trajtime mjekësore.

Mehmetaj a ka thënë se qendrat shëndetësore kanë qenë në kuadër të BIA-s dhe kanë funksionuar deri më 24 mars të vitit 1999.

Ndërsa si përgjegjëse për shëndetësi ai ka thënë se ka qenë Flora Brovina e cila ka pasur staf shëndetësor.

Tutje Mehmetaj ka thënë se nuk ka pasur stërvitje ushtarake të realizuara nga BIA.

Ai ka thënë se ata kanë qenë të pjesërisht të armatosur, varësisht nga nevojat dhe lokacionet ku ka në qëndruar.

Mehmetaj: Nuk kanë qenë të armatosur të gjithë pjesëtarët e BIA-s

“Organizimi i BIA-s por edhe gjithë organizimi i UÇK-së e ka pasur një emër, ushtarë lirie, të gjithë kanë qenë ushtar, disa për shkak të specifikave kanë pasur armë, disa nuk kanë pasur armë, por te gjithë kanë qenë ushtar lirie të angazhuar për çlirimin e vendit nga një okupator shumë i keq. Organizimi i UÇK-së i cili quhej BIA ka qenë organizim i UÇK-së i përbërë në këtë natyrë, në këtë formë që po them unë”, ka shtuar Mehmetaj.

Dëshmitari i mbrojtjes ka thënë se kur kanë filluar bombardimet më 24 mars 1999 ai ka qenë në Prishtinë.

Mehmetaj: Në fillimin e bombardimeve kam qenë në Prishtinë

“Kur kanë filluar bombardimet më 24 mars kam qenë në Prishtinë, në lagjen time, realisht ka qenë emocion i përzier sepse qytetarët e kanë përjetuar shumë mirë fillimin e bombardimeve por njëkohësisht ka mbrtëruar frikë e madhe se çfarë do të ndodh. Në këtë kohë më kujtohet mirë në Prishtinë me disa anëtar të njësitit që kemi pasur aty afër jemi kujdes që me i qëndru pranë popullatës në rast se fillon ndonjë masakër ose dhunë, që ka qenë e mundshme me ndodh prej serbëve atëherë ne me i dalë ballë asaj pune dhe kemi qëndruar në lagje diku deri më datën me sa më kujtohet besoj deri më 31 mars kur ka filluar me hyrë forcat serbe, por jo me bë ndonjë masakër, por kanë filluar vetëm i largu njerëzit prej shtëpive, me i zhvendos. Ne atëherë kemi ecur në drejtim me popullatën në drejtim të fshatit Matiqan dhe kemi vazhduar e kemi çuar popullatën në Butovc, disa kanë shkuar edhe në një fshat tjetër aty, Mramor”, ka thënë ai.

Pasi kanë shkuar në Butovc, Mehmetaj ka thënë se ai është kthyer në shtëpinë e tij në Prishtinë për të marrë një ‘hard disc’ të cilin ka thënë se e kishte lënë në kompjuterin e tij ku sipas tij punonin me pjesëtarë të tjerë të BIA-s.

Pas kësaj, Mehmetaj ka thënë se është kthyer në Butovc ku ka thënë se ka qëndruar deri në përfundim të luftës, por ka shtuar që ka lëvizur herë pas here.

Mehmetaj: Cali më ka kërkuar të mbaj moralin të ushtarët

“Në Butovc kam qëndruar deri në përfundimin e luftës, ose kur kanë hy trupat e NATO-s në Kosovë që është më 12 qershor 1999, por jo qëndrim të përhershëm, kam lëvizur kohë pas kohe, por në Butovc ka qenë vendqëndrimi im kryesor. Në momentin kur jam kthyer në Butovc prej Prishtinës besoj që ka qenë fillimi ose dy tre ditë e para të muajit prill dhe kam shkuar të vendi ku e kemi pasur ne të organizuar qëndrimin tonë me ushtarët të BIA-s, aty kam takuar ushtarë e njerëz që kanë qenë aty prezent, kam biseduar për idenë e tërheqjes së materialit nga Prishtina por kemi biseduar më gjerë me Calin edhe për punë të tjera që i takojnë asaj kohe”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se komandant Cali i ka kërkuar atij që të mbajë moralin të ushtarët në atë periudhë që sipas tij ka qenë e rëndë për shkak se shumë qytetarë ishin deportuar nga shtëpitë e tyre dhe ushtarët nuk dinin vendndodhjen e familjarëve të tyre.

Mehmetaj: Gjatë qëndrimit në Butovc jam takuar edhe me Calin disa herë

“Edhe Cali ka qenë në Butovc, bile e di saktë nja dy netë i kemi bërë bashkë aty. Nuk më kujtohet me numër por e kam parë shpesh gjatë këtyre ditëve. Nuk më kujtohet me numër me thënë kaq herë”, ka thënë Mehmetaj kur është pyetur sa shpesh e ka takuar Salih Mustafën në këtë periudhë.

Brahim Mehmetaj është dëshmitari i parë i mbrojtjes së Salih Mustafës.

Aktakuza ndaj Salih Mustafës, i cili është i arrestuari i parë nga Specialja, është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat