​NATO ndërhyri në Kosovë për të shpëtuar një popull nga shfarosja

Aktuale

​NATO ndërhyri në Kosovë për të shpëtuar një popull nga shfarosja

Më: 24 mars 2022 Në ora: 07:39 Përditësuar në ora: 13:39 më 24.03.2022
Kuvendi i Kosovës

​NATO ndërhyri në Kosovë për të shpëtuar një popull nga shfarosja

Spastrimi etnik i Kosovës, vrasjet e fëmijëve, grave, burrave e të moshuarve por edhe dhunimet, përndjekjet, djegiet e dëbimet me dhunë nuk mund të merrnin përgjigje tjetër përveç intervenimit të NATO-s, e cila nuk ishte rreshtuar vetëm me popullin të Kosovës por edhe me anën e duhur të historisë së njerizimit.

Kështu u tha në seancën e veçantë të Kuvendit të Kosovës për shënimin e 23-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, ku u theksua se ky intervenim ishte edhe mbështetje për rrugën e drejt të UÇK-së për liri.

Seanca nisi me një minutë heshtje në nderim të ish-sekretares së Shtetit, Madeleine Albright. Ndërkohë, u tha se ajo ishte forca kryesore shtytëse për ndaljen e gjenocidit që po bëhej nga shteti serb mbi popullin e Kosovës. Gjithashtu, u lëshuar një video e Albright gjatë adresimeve që kishte për fatin e popullit tonë, e gjithashtu komandanti i NATO-s, gjenerali Ëesly Clark përmes një adresimi iu drejtua popullit të Kosovës, duke thënë se në këtë datë në vitin 1999, NATO hyri në Kosovë dhe ndryshoi historinë e Kosovës dhe Evropës.

Clark: Ndërhyrja e NATO-s i dha shpresë dhe dritë gjithë botës

"I është dhënë shpresë dhe dritë gjithë botës. Por jam shumë krenar për të gjithë ju në Kosovë për demokratizimin që keni bërë, për zhvillimin ekonomik sfidues që keni ndërmarrë dhe veçanërisht mirënjohës për miqësinë e jashtëzakonshme që keni treguar ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për mua ishte nder të jem komandant i NATO-s dhe që pata mundësinë të ndihmojë në ndalimin e spastrimit etnik", tha ai, duke shtuar se para 23 viteve bënë gjënë e duhur për Kosovën, NATO-n dhe botën.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti tha se 23 vjet më parë, 19 vende të NATO-s u bashkuan për ta ndalur gjenocidin që pati nisur në Kosovë regjimi i Beogradit.

Sipas tij, intervenimi ishte i drejt dhe i domosdoshëm pasi regjimi nuk kuptonte gjuhë tjetër.

Kurti: NATO ndërhyri në Kosovë për të shpëtuar një popull nga shfarosja

“Sot ende i kemi mbi 1600 persona të zhdukur me dhunë gjatë luftës, 12 mijë civil të paarmatosur janë vrarë, mbi 10 përqind të tyre fëmijë dhe ende nuk ka drejtësi për të gjitha këto mizori. 23 vjet pas përfundimit të luftës, fqinji jonë verior as nuk kërkon falje, as nuk do që t'i kuptojë e t'i pranojë përmasat e krimeve të veta në Kosovë. Në vend që të hap arkivat shtetërore që do të mund të ndriçonin fatin e të zhdukurve me dhunë dhe të zbuloheshin ekzekutorët e krimeve, pushtetarët e Serbisë arsyetojnë veprimet gjenocidiale të Millosheviqit dhe fajësojnë NATO-n për bombardimeve. Pas agresionit rus në Ukrainë, së bashku me Rusinë po e keqinterpretojnë edhe ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, duke aluduar në ngjashmëri të rasteve si përpjekje për ta justifikuar imprealizimin dhe aspiratat e tyre hegjemoniste. NATO ndërhyri në Kosovë për arsye e me qëllime humanitare, për të shpëtuar një popull nga shfarosja. Ishte ndërhyrje legjitime për shkak se Millosheviqi nuk shprehte gatishmëri për të përmbushur kërkesat dhe detyrimet që buronin nga rezolutat e miratuara në OKB dhe as nuk hiqte dorë nga operacionet ushtarake dhe nga politika e spastrimit etnik në Kosovë “, tha Kurti.

Ai shtoi se lufta e UÇK-së ndërgjegjësoi bashkësinë ndërkombëtare për të ndërhyrë në Kosovë. Kurti duke u ndalur te një deklaratë e ish sekretares së Shtetit, Madeleine Albright, e cila kishte thënë se është jetike të kuptohet se edhe nëse kriza humanitare shmanget, kriza politike mbetet dhe mund të zgjedhet vetëm me dialog, gjë që sipas tij, kishte të drejt.

Kryeministri Kurti tha se Kosova nuk do luftë por është e vëmendshme dhe është rreshtuar me NATO-në.

Kurti: NATO dhe FSK mbron sovranitetin e Kosovës

“Ku është NATO, ku e keni NATO-n, ishin disa prej frazave më të përsëritura nga ushtarët dhe policët serb gjatë dëbimit dhe masakrave hakmarrëse të tyre mbi shqiptarët në Kosovë në pranverën e vitit 1999. NATO është këtu në Kosovë për sigurinë tonë, bashkë me vajzat dhe djemtë e FSK-së, të gatshëm për ta mbrojtur sovranitetin e vendit në çdo rrezik a cenim eventual...Sot bartës të asaj trashëgimie politike vazhdojnë ta udhëheqin Serbinë bashkë me synimet e tyre ndaj Kosovës e me lidhjet e tyre me Rusinë. Në këtë pikë Kosova mbetet e lidhur me fort me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj, ndërkohë që ka maksimalizuar përpjekjet për anëtarësim në NATO“, tha ai.

Në emër të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se kjo ditë na tregon se intervenimi i NATO-s i dha përkrahje luftës së drejt të UÇK-së.

Kusari-Lila: Intervenimi i NATO-s i dha mbështetje luftës së drejt të UÇK-së për liri

“Dita e sotme na sjellë shumë kujtime dhe na kthen në fokus peshën e ruajtjes së paqes dhe çmimin e lirisë, çmim ky i cili u pagua nga shqiptarët ndër dekada. Kjo ditë e shënon edhe Epopenë e UÇK-së në Gllogjan të Dukagjinit. Kjo ditë gjithashtu na tregon që intervenimi i NATO-s i dha mbështetje luftës së drejt të UÇK-së për liri “, tha ajo.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri në këtë seancë, tha se sot kujtojnë sakrificën e popullit tonë dhe ndërhyrjen e NATO-s, që i dha fund gjenocidit serb në Kosovë. Sipas tij, lufta e drejt e UÇK ajo që bëri që aleanca më e fuqishme në botë të vëhet mbi vlerat e civilizimit perëndimor, paqes e demokracisë.

Tahiri: Nuk mund të kuptohet kjo datë pa UÇK-në

“Nuk mund të kuptohet kjo datë pa UÇK-në, pa udhëheqësit e saj si presidentin Hashim Thaçi, Kadri Veslein, Jakup Krasniqn e Rexhep Selimin e shumë protagonisët të UÇK-së që trasuan themelin e saj , pra këtë themel dhe vazhdimësinë e rrugës për çlirimin e Kosovës e bën mbi amanetin e qindrave të rënë për liri“, tha ai.

Lumir Abdixhiku në emër të LDK-së, tha se spastrimi etnik i Kosovës, vrasjet e dhunimet nuk mund të merrnin përgjigje tjetër përveç atë të NATO-s.

Abdixhiku: 24 marsi është rreshtim jo vetëm me popullin të Kosovës, është rreshtim edhe me anën e duhur të historisë së njerizimit

“Spastrimi etnik i Kosovës, vrasjet e fëmijëve, grave, burrave e të moshuarve pa dallim. Dhunimet sistematike gjithandej nëpër Kosovë, përndjekjet, djegiet e dëbimet me dhunë nuk mund të merrnin përgjigje tjetër përveç intervenimit të tillë. Prandaj 24 marsi është rreshtim jo vetëm me popullin të Kosovës, është rreshtim edhe me anën e duhur të historisë së njerizimit“, tha ai.

Gjithashtu, e në emër të deputetëve multietnik foli edhe deputetja Fidan Zhillka.

Abdixhiku: Intervenimi i NATO-s ishte i domosdoshëm për agresionin e Millosheviqit

Po e nisim këtë seancë me dhimbje të thellë për humbjen e kampiones se demokracisë dhe themeltares së mbështetjes ndërkombëtare ndaj Kosovës, sekretares Albright.

Kryetari dhe deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në seancën solemne për shënimin e 23-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, ka thënë se kjo seancë po nis me dhimbje për vdekjen e sekretares amerikane, Madeleine Albright.

Abdixhiku tha se emri i sekretares Albright do të mbetet i grabuar në themelet e shtetit të Kosovës dhe përpjekjes nacionale për liri, pavarësi e demokraci.

Tutje, i pari i LDK-së tha se 24 marsi i vitit 1999 shënon një momentum të ri për Kosovën, për përpjekjen për liri, shtet të pavarur e sistem demokratik.

“Po bëhen 23 vjet nga intervenimi ushtarak i NATO-s në caqet jugosllave, dhe kështu i fillimit të fundit të vuajtjeve të popullit të shtypur në Kosovë”.

“Shënon rreshtimin veprues të  drejtpërdrejtë të aleancës më të fuqishme ushtarake të kohës, NATO-s, me përpjekjet mbijetuese të rezistencës së luftës së popullit të Kosovës në orën tonë më të vështirë”, është shprehur Abdixhiku.

Abdixhiku kujtoi edhe fjalët e Sekretarit Gjeneral të NATO-s aso kohe, Javier Solana, ku thoshte se “sapo kam urdhëruar komandantin super të aleatëve në Evropë, gjeneralin Wesley Clark, të nis sulmet ajrore mbi Jugosllavinë.

Këto fjalë, për kreun e LDK-së përbëjnë momentin më çlirues e shpresëdhënës për Kosovën.

Tutje, ai tha se intervenimi i NATO-s në Kosovë ishte përgjigje e domosdoshme për agresionin gjenocidal të regjimit të Millosheviqit dhe forcave paramilitare serbe.

Tahiri në përvjetorin e bombardimeve të NATO-s: Kjo datë s’mund të kuptohet pa Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin

Shefi i grupit parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri, në nisjen e fjalimit të tij në seancën solemne në përvjetorin e bombardimeve të NATO-s ka shprehur mirënjohje dhe falënderim për ish-Sekretaren e Shtetit, Madeleine Albright, e cila vdiq të mërkurën në moshën 87 vjeçare.

“Shpreh falënderimin dhe mirënjohje për Madeleine Albright për angazhimin dhe përkushtimin e saj që Kosova të jetë vend i çliruar”.

Tahiri më pas tha se dita e sotme shënon përkujtimin e një ngjarjeje historike për vendin dhe kombin tonë, ngjarje për të cilën tha se është produkt i një momenti ekzistencial për popullin e Kosovës.

“Dita e sotme shënon përkujtimin e një ngjarje historike për vendin dhe kombin tonë, një ngjarje e cila është produkt i një momenti ekzistencial për popullin e Kosovës, sepse për të ardhur te ajo ngjarje, populli ynë u desh të përndiqej, të shpërngulej, të vritej e të masakrohej për faktin e vetëm se e donte lirinë e vetë dhe shtetin e vetë të lirë e demokratik”.

“Sot si në çdo 24 mars, kujtojmë këto dy premisa themelore të kësaj date. Sakrificën e popullit tonë si realitet dhe ndërhyrjen e NATO-s si përgjigje ndaj po këtij realiteti. Ndërhyrje e cila i dha fund dhunës shtetërore në përmasa të gjenocidit mbi popullsinë civile të Kosovës. Ne kemi qenë dhe jemi mirënjohës ndaj shteteve anëtare të NATO-s të cilat vendosën që mos të lejojnë edhe më tej krimin e regjimin e Millosheviqit. Jemi mirënjohës ndaj ushtarakëve, nga ata që drejtuan e deri te ata që morën pjesë për t’i dhënë fund krimeve e masakrave ndaj popullit të Kosovës. E dhjetëra mijëra burrave dhe grave, të rinjve dhe të rejave që kauzën kombëtare për çlirim e bartën mbi supet e veta për dekada”.

“Pa asnjë ndryshim, s’mund të kuptohet dhe të kujtohet kjo datë pa kryefjalën e të gjitha sakrificave e përpjekjeve tona në luftën e drejtë për liri të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Lufta e drejtë e Kosovës e udhëhequr nga UÇK-ja ishte faktori që përcaktoi realitetin e kësaj date që sot po e shënojmë. Kjo luftë së bashku me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, së bashku me protagonistët e saj në mbështetje të popullit të Kosovës, ajo që bëri aleanca ushtarake të vihet në mbështetje të mbrojtjes së vlerave më të larta të civilizimit perëndimor, paqes, lirisë dhe demokracisë, vlera për të cilat UÇK u ngrit dhe luftoi”.

Tahiri përmendi edhe ish-presidentin Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, për të cilët tha se kjo datë s’ka kuptim pa ata.

“Në shënjimin e kësaj date historike e kemi të pamundur të astrahojmë të vërtetën historike të kësaj date e cila nuk do të kishte ndodhur dhe s’do të ishte e tillë pa karakterin e fortë dhe të paluhatshëm të atyre që synim të vetëm e kishin çlirimin nga robëria. S’mund të kuptohet kjo datë pa UÇK-në, pa udhëheqësit e saj, si presidentin Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimit e shumë të tjerë, protagonistë të UÇK-së, që trasuan themelin e saj, pra këtë themel dhe vazhdimësinë e rrugës për çlirimin e bën mbi amanetin e qindra e të rënëve për liri, si komandantit legjendar Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Luan e Shkëlzen Haradinaj, e shumë bijave të atdheut tonë, dëshmorë e martirë të popullit tonë. Këta emra i bëjnë nder kësaj date. Përmes tyre, kjo datë merr kuptimin e vërtetë historik e të përjetshëm për popullin e Kosovës si dhe për këta protagonistë rruga e çlirimit ka pasur kosto të lartë, dhe kjo kosto po na përcjell vazhdimisht edhe sot e kësaj dite. Kur ata që ishin protagonistë e partnerë të aleancës së vendeve demokratike e liridashëse po përballen me drejtësi për shkak të aludimeve të pabaza e të padrejta ndaj tyre. Nga një frymë që s’është vetëm frymë kundër UÇK-së e kundër Kosovës, por edhe vetë kundër NATO-s, kosto e vërtetë e padrejtë ndaj tyre. Si çlirimtarë do të duhej të ishin sot me ne për të shprehur mirënjohjen ndaj NATO-s dhe botës demokratike në këtë datë të shënuar, ata sot dalin në një seancë për të sfiduar kështu edhe kapitullin e fundit që ta dëshmojnë pastërtinë e luftës çlirimtare sepse misioni i UÇK-së ishte i qartë dhe lufta e saj ishte e pastër”, tha Tahiri

Kusari–Lila: Askush nuk e paramendoi që në këtë ditë, Albright do të vazhdonte rrugën e saj në përjetësi

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se 24 marsi i vitit 1999 shënon fillimin e fundit të luftës në Kosovë e cila u intensifikua me bombardimet e NATO-s ku ndër të tjera e kujtoi edhe Madeleine Albright.

“Askush nuk e paramendoi se personazhja kryesore sekretarja e shtetit amerikan, Madeleine Albright, do të vazhdonte rrugën e saj në përjetësi. Simbolika përveç se është e veçante në vete përmban edhe një mesazh, atë të vendosjes të fokusit të gruas në të gjitha proceset”, tha ajo.

Kusari Lila tha se ish-sekretarja Madeleine Albright do të shërbejë shumë gjatë si inspirim për vajzat dhe gratë.

“Simboli më i mire i diplomates së rangut botëror. Dita e sotme na sjell shumë kujtime”.

Kryetarja e Kusari Lila tha se shembulli i saj mbetet në proceset edhe kur vendimmarrja është e vështirë.

Kusari tha se është shumë e rëndësishme të kujtojmë ushtarët e të rënë e gjeneratave që ranë për liri.

Kurti: 23 vjet pas luftës, fqinji ynë verior nuk kërkon falje as nuk i pranon krimet – NATO i dha fund iluzioneve të Millosheviqit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e veçantë të Kuvendit të Kosovës për përvjetorin e ndërhyrjes së NATO-s ka kujtuar ndalimin e gjenocidit serb në Kosovë, 23 vjet më parë, kur edhe nisën sulmet ajrore të NATO-s kundër caqeve serbe.

Kurti ka falënderuar të gjithë që ndërhynë për të ndaluar serbët për krimet që kryenin në Kosovë.

Kurti kujtoi se qindra masakra janë kryer në Kosovë. Po ashtu ai ka kritikuar Serbinë që nuk po pranon krimet e veta tash e sa vjet.

“23 vjet më parë NATO u bashkua për ta ndalë gjenocidin. Gjenocidi i dytë në Evropën kontinentale. 19 shtetet arritën konsensus për të ndaluar Millosheviqin, i cili veçse kishte kryer gjenocid në Bosnje. Ndërhyrja e NATO-s ishte e nevojshme. Kur dhuna nisi të marrë masa gjenocidi, rezistenca ishte e pashmangshme. Ndërsa dështonin përpjekjet diplomatike amerikane, në Kosovë çdo ditë hapeshin varre për fëmijë, burra e gra që masakroheshin”, u shpreh Kurti.

“Mizoritë që shkaktonin serbët, në fund të vititt 1998 e në fillim të 1999, alarmuan bashkësitë ndërkombëtare. Në pranverën e vitit 1999 kemi pasur 20 mijë gra të dhunuara, 80 për qind u dëbuan nga shtëpitë. Sot i kemi mbi 1600 persona të zhdukur, 12 mijë civil të paarmatosur janë vrarë dhe ende s’ka drejtësi”, tha tutje kryeministri Kurti.

“23 vjet pas luftës, fqinj ynë verior as nuk kërkon falje as nuk i pranon krimet. Në vend të zbuloheshin ekzekutorët e krimeve, ata fajësojnë NATO-n për bombardime. Ata bashkë me Rusinë po keqinterpetojnë edhe ndërhyrjet në Ukrainë. Ajo në Kosovë, ishte ndërhyrje legjitime sepse Millosheviqi nuk po hiqte dorë nga spastrimi etnik. Ne kishim në njërën anë UÇK-në, dhe kjo ndërgjegjësoi ndërkombëtarët për të na mbështetur. Lufta mbrojtëse në Ukrainë, po gjen mbështetje të jashtëzakonshme nga perëndimi, sikur te ne atëherë.Ne kemi dënuar invazioninet e Federatës Ruse. NATO dhe të gjithë duhet ta mbrojë Ukrainën. 24 marsi 1999, pati sjellë shpresë por edhe vuajtje. Sot i përkujtojmë të gjithë dëshmorët e martirët që ranë për liri. NATO i dha fund iluzioneve të Millosheviqit”, u shpreh Kurti.

Kuvendi e nis seancën me një minutë heshtje në nderim të Madeleine Albright

Kuvendi i Kosovës po mban seancë të veçantë për shënimin e 23-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë.

Seanca ka nisur me një minutë heshtje në nderim të ish-Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, e cila dje ndërroi jetë.

Kryekuvendari Glauk Konjufca tha që kontributi  i saj ka qenë “i çmueshëm dhe i pazëvendësueshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

 

Kuvendi mban seancë solemne

Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë solemne për përvjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s.

Seanca solemne do të mbahet me fillim nga ora 11:00.

24 marsi i vitit 1999-të është historike për popullin e Kosovës.

Kjo datë shënon edhe kapitullimin e okupatorit serb.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat