Azem Vllasi flet për protestat në veri të Kosovës: Propaganda e Vuçiqit do të zgjat vetëm edhe një javë

Aktuale

Azem Vllasi flet për protestat në veri të Kosovës: Propaganda e Vuçiqit do të zgjat vetëm edhe një javë

Më: 26 mars 2022 Në ora: 00:37
Azem Vllasi

Njohësi i çështjeve politike në vend, Azem Vllasi, foli në Edicionin Special për protestat e sotme të serbëve në veri të Mitrovicës, për çka tha se është e dirigjuar nga Beogradi.

“Krejt kjo i përngjan mënyrës së manipulimit me serbët e Kosovës nga ana e Beogradit, qysh nga koha e regjimit të Sllobodan Millosheviqit. Kurdo që Serbisë iu janë dashur serbët e Kosovës, si mjet për presione ndaj Kosovës – i kanë aktivizuar në takime, protesta e demonstrata”, tha Vllasi.

“Vuçiqit jo që i nevojitet numri i votave nga serbët e Kosovës, por Vuçiqi po bën fushatë zgjedhore, duke u treguar si njeri i cili mbron serbët gjithandej, jo vetëm në Serbi por edhe në Bosnjë, Mal të Zi dhe veçanërisht në Kosovë. Kjo është një propagandë e njohur – kjo zgjat edhe një javë, deri sa të kryhen zgjedhjet në Serbi”, shtoi ai.

“Serbët e Kosovës asgjë nuk bëjnë pa pas sinjal dhe nxitje nga Beogradi, madje edhe kjo se kinse ju paska thënë Vuçiqi se mos i braktisni institucionet dhe kinse Rakiq paska thënë se të kemi respektojmë, kjo është një farsë”, u shpreh tutje avokati.,

“Është vetëm një kërcënim dhe tentim për ta destabilizuar çështjen në Kosovë, për të provokuar reagimin e Qeverisë së Kosovës, dhe unë mendoj se Qeveria duhet ti merr shtruar këto provokime, të mos reagoj në topin e parë”.

Vllasi tha se Serbia po mundohet të shkaktojë destabilizim në Kosovë, Bosnjë apo Mal të Zi, në mënyrë që Perëndimi ta kthejë vëmendjen në Ballkanin Perëndimor, dhe të hiqet fokusi në agresionin rus ndaj Ukrainës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat