​Dëshmitari thotë se Salih Mustafa u kishte dhënë mbështetje morale civilëve gjatë luftës

Aktuale

​Dëshmitari thotë se Salih Mustafa u kishte dhënë mbështetje morale civilëve gjatë luftës

Më: 28 mars 2022 Në ora: 08:00 Përditësuar në ora: 17:35 më 28.03.2022
Sali Mustafa

Përfundon dëgjimi i dëshmitarit të dytë të mbrojtjes

Ahmet Ademi, dëshmitari i dytë i mbrojtjes së Salih Mustafës në Hagë, ka thënë se nuk ka qenë në dijeni se ekziston njësia BIA dhe se nuk ka njohur ndonjë pjesëtar të saj. Ai i ka thënë turpit gjykues që në Kryqin e Kuq të Kosovës vinin disa persona për të marrë pajisje mjekësore e gjëra ushqimore për civilët dhe se për të njëjtit kishte dëgjuar të tjerët të thoshin se i takojnë BIA-s.

Ademi, i cili ka treguar se gjatë periudhës së luftës ka shërbyer në Kryqin e Kuq të Kosovës, ka thënë se Salih Mustafën e ka parë derisa ka ardhur të marrë gjëra në zyre.

Ai ka thënë se nga të tjerët që punonin në zyrën e Kryqit të Kuq kishte dëgjuar se personat që vinin ishin nga BIA dhe se pjesë e tyre ishte komandant Cali.

Ademi: Nuk e kam ditur se ekziston njësia BIA

“Unë për vete nuk kam qenë në dijeni se nuk i kam njohur askënd, por i kam dëgjuar të zyrat që thoshin se erdhën pjesëtarët këta të BIA-s erdhën të marrin sende, ndër ta ka qenë komandanti, ndër ta ka qenë Salihi, atëherë e quanin Cali, as unë emrin nuk ia kam ditë, e quanin Cali, i merrte gjërat me disa persona të tjerë, i merrnin gjëra, ushqimore, medikamente, qumësht për fëmijë, i mbushnin torbat dhe vazhdonin rrugën, ajo ka qenë dy apo tre herë të ne në atë kohë. Aty e kam dëgjuar fjalën BIA, se as nuk kam qenë në ngjarje, as sot nuk e di çka do të thotë fjala BIA”, ka thënë Ademi.

Ai ka thënë se Salih Mustafën e takuar disa herë gjatë periudhës së luftës.

Dëshmitari ka thënë se zyra e Kryqit të Kuq nuk ka marrë urdhra nga askush dhe as nga ndonjë brigadë apo njësi e UÇK-së.

Ademi ka thënë se nuk ka qenë asnjëherë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës veçse u ka shërbyer atyre dhe popullit të Kosovës si anëtar i Kryqit të Kuq.

Ai ka thënë se në vitin 1997 serbët e kishin larguar nga Kryqi i Kuq dhe pastaj ishte pjesë e themelimit të Zyrës së Kryqit të Kuq të Kosovës.

Emrin e tij në listën e veteranëve të luftës së UÇK-së, Ademi e ka arsyetuar si respekt të cilin ka thënë se e kanë bërë të tjerët, për shkak të kontributit që ka dhënë si ndihmës.

Ademi: Nuk kam qenë UÇK, kam ndihmuar të tjerët përmes Kryqit të Kuq

“Në shërbim të UÇK-së, anëtar i UÇK-së, nuk kam qenë, kam qenë vetëm punëtor i ndihmës që i kam bartur sendet dhe i kam dërguar nëpër pika të ndryshme, si në Drenicë, Llap, Gollak, Karadak, Gjilan, por për hir të atyre, se nuk jam i vetmi unë në listë, por ka edhe shumë të tjerë që janë futur në listë njerëz të cilët kanë dhënë kontributin e vet. Nuk është e thënë vetëm të kapësh armën dhe të dilësh për të luftuar, por është e thënë se edhe kush ka dhënë kontribut, dhe këtë pasi e kanë bërë Nehati e këta të tjerët më kanë treguar se më kanë futur në listën e veteranëve për kontributin e dhënë gjatë periudhës ’98-99”, ka thënë ai.

Ademi ka shtuar se nuk e ka pranuar ndihmë financiare nga shteti në emër të statusit të veteranit.

Gjyqi ndaj Salih Mustafës në Hagë do të vazhdojë nesër me dëgjimin e dëshmitarit të tretë të mbrojtjes.

Mustafa është arrestuar më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues është deklaruar i pafajshëm.

Ademi: Pas fillimit të bombardimeve më kanë vizituar Salih Mustafa e Fatmir Humolli

Dëshmitari i dytë i mbrojtjes në gjykimin ndaj Salih Mustafës, Ahmet Ademi ka thënë se pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, Salih Mustafa e Fatmir Humolli e kishin vizituar atë në shtëpinë e tij dhe ishin takuar me njerëzit e tjerë që po strehoheshin në lagjen ku banonte Ademi në Prishtinë.

Para trupit gjykues në Hagë, Ademi ka rrëfyer edhe rastin kur policia serbe kishte rrahur e maltretuar familjen e tij.

Ademi: Djali im ka mbetur me pasoja pasi serbët e kanë rrahur nënën e tij

“Incidenti ka ndodhur në familjen time pasi NATO ka filluar bombardimet, tani kanë ardhur policia kanë hyrë nëpër lagje dhe incidenti ka ndodhur të familja ime pas bombardimeve të NATO-s...Djalit tim në atë kohë nuk i kanë bërë asgjë por e ka parë duke i rrahur nënë dhe prej asaj kohe djali është me trauma, e kam pasur nëpër mjek por i ka mbetur ajo frika, trauma në kokë. Bashkëshorten e kanë rrahur”, ka thënë ai.

Sipas tij, serbët kishin hyrë në të gjithë lagjen dhe kishin maltretuar e rrahur banorët që i kishin gjetur aty.

Pas kësaj, Ademi ka deklaruar se janë vizituar nga tre pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndër të cilët Salih Mustafa e Famtir Humolli.

Sipas tij, ata u kishin dhënë mbështetje morale civilëve.

Ademi: Pas fillimit të bombardimeve më kanë vizituar Salih Mustafa e Fatmir Humolli

“Ndërkohë pas incidentit, ka pasur edhe popullatë prej tjera anë në lagjen tonë, kanë ardhur pjesëtarët e ushtrisë sonë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, tre persona, kanë qëndruar gjatë ditës, na kanë dhënë mbështetje morale, mos me u frikësu, (na kanë thënë) nuk kanë punë me ju por me ne, na kanë dhënë mbështetje... Fatmir Humolli, Salih Mustafa dhe një tjetër ka qenë por e kam harruar emrin, e këta dy po. Kanë qenë në lagjen tonë, kanë biseduar personalisht me mua, se e kanë ditë që unë punoj në Kryqin e Kuq, kanë biseduar me mua si po shkon puna, u km sqaruar punën e popullatës, stresin e popullatës”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se vizita e tyre është bërë rreth fundit të marsit apo fillimit të prillit të vitit 1999.

Ademi: Salih Mustafa u ka dhënë mbështetje morale popullatës civile

“Atë natë në mbrëmje kur kanë ardhur kanë bujtur të shtëpia e axhës tim, kanë qëndruar tërë natën, të nesërmen tërë ditën kemi biseduar me popullatë nëpër lagje, edhe unë kam qenë bashkë me ta, i kemi vizatuar popullatën, kemi biseduar me popullatë, Salihu u ka dhënë mbështetje morale, mos u frikësoni, nuk kanë punë me ju, kanë punë me ne, por ja hyri edhe NATO... Nëse nuk gaboj ka qenë fundi i marsit, fillimit i prillit, tash nuk më kujtohet a ka qenë data 30 mars apo 2,3,4 prill, por në atë periudhë prej datës 30 deri 4 prill, nuk më kujtohet dita saktësisht, po e di që ka qenë fundi i marsit dhe fillimit i prillit”, ka thënë dëshmitari.

Ai ka thënë se pjesëtarët e UÇK-së kanë qenë të pa-armatosur dhe se me vete kanë pasur çantë dhe fletore në të cilën sipas tij merrnin shënime nga ato çka u thoshin banorët.

Ademi: Mustafa e Humolli kanë qenë të interesuar të dinë gjendjen e civilëve

“Këta kanë qenë të interesuar të marrin informacione nga popullata sesi po zhvillohet puna aty, apo kemi maltretime, a po kemi probleme, a po na maltreton kush, ne u kemi sqaruar që këto gjëra i kemi pasur probleme, dhe u kemi shpjeguar krejt, po du me thënë në lagjen tonë aty”, ka thënë ai.

Ademi ka thënë se pas qëndrimit një natë në shtëpinë e familjarit të tij, pjesëtarët e UÇK-së janë larguar në drejtim të Llapit.

Dëshmitari ka thënë se Salih Mustafën e kishte takuar edhe më parë në zyret e kryqit të kuq, para bombardimeve të NATO-s.

Ai ka thënë se për Mustafën e ka njohur që është pjesë e UÇK-së por nuk ka ditur më shumë rreth tij.

Gjatë pyetjeve, avokati mbrojtjes Julius Von Bone e ka pyetur dëshmitarin nëse ndonjë punëtor i Kryqit të Kuq kishte vdekur gjatë luftës.

Dëshmitari Ademi: Vetëm doktori, Shpëtim Robaj ka vdekur dhe ka vdekur tani persona të tjerë, vullnetarë tonë kanë vdekur pas luftës. Një ka shkuar në Francë, tjetri në Suedi.

Avokati Von Bone: Në atë kohën pas incidentit, periudhën kohore pas incidentit që i ndodhi familjes tuaj, sa kohë vazhduat ju të punonit për Kryqin e Kuq?

Dëshmitari Ademi: Ne kemi punuar gjatë luftës nonstop dhe tash punoj prapë në Kryqin e Kuq.

Avokati Von Bone: Kryqi i Kuq a kishte zyre në Llukarë?

Dëshmitari Ademi: Jo. Kryqi i Kuq me vullnetarët e vet në vitin 2000 nëse nuk gaboj, vullnetarët e Kryqit të Kryq, ndër ta kam qenë edhe unë, në varreza e kemi bërë rivarrimin e shtatë personave, aty ka qenë prezent KFOR-i, ka qenë prezent UNMIK-u dhe ka qenë prezent zyra ligjore. Ne e kemi bërë zhvarrimin, kemi hapur gropat, personat e OSBE-së i kanë marrë i kanë future, sepse ka pasur edhe familjarë aty afër, cilat viktima janë verifikuar janë ndarë anash, cilat nuk janë verifikuar i kanë marrë viktimat i kanë fut nëpër thasë dhe i kanë çuar në Rahovec ku ka qenë zyra ligjore e AND-së, e personave që i kanë marrë prej varrezave, derisa u është bërë AND se kujt i përket ai trup. Aty kemi zhvarrosë, tani kemi varrosë prapë, aty ka qenë KFFOR-i, policia e UNMIK-ut, ka pas ardhur Cali me disa ushtar por vetëm me xhaketa me llogo të UÇK-së, pa armatim kanë qenë aty. Janë përshëndet me ne të gjithë, si të KFOR-it, si të OSBE-së, edhe aty e kam parë Calin.

Ahmet Ademi do të përgjigjet edhe në pyetjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, para trupit gjykues në Hagë.

Ai është dëshmitari i dytë i mbrojtjes në gjyqin ndaj Salih Mustafës i cili është arrestuar më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Salih Mustafa po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues ai është deklaruar i pafajshëm.

Ademi: Serbët më kanë rrahur në rrugë derisa dërgoja ndihma

Ahmet Ademi, dëshmitari i dytë i mbrojtjes në gjykimin ndaj Salih Mustafës në Hagë, ka rrëfyer për jetën e tij gjatë periudhës së luftës në Kosovë. Ai i ka treguar trupit gjykues për dhunën dhe maltretimet e tjera që forcat policore serbe kishin kryer mbi të dhe familjen e tij.

Ademi ka thënë se ka punuar në Kryqin e Kuq deri në vitin 1997, ku pastaj është larguar nga serbët dhe ka shërbyer pastaj në mënyrë ilegale për të ndihmuar familjet shqiptare gjatë luftës.

Para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ademi ka thënë se në vitin 1997, serbët e kishin larguar nga punë atë dhe disa kolegë të tjerë, për faktin se ishin shqiptarë.

Ademi: Gjatë luftës kam shërbyer ilegalisht në Kryqin e Kuq

“Gjatë luftës kam punuar në Kryqin e Kuq të Kosovës, prej moshës 28 vjeçare, deri në vitin 1997, kam punuar në Kryqin e Kuq, në vitin 19997 na kanë larguar prej punës dhe tani kemi vepruar ilegalisht, kemi hapur një zyre të Kryqit të Kuq të Kosovës për popullatën tonë, atë e kemi bërë. Kryq i Kuq i Serbisë na dëboi nga puna në 97, në vitin 1997 me profesorin Isuf Dedushaj dhe anëtarë të tjerë kemi hapur një zyre të Kryqit të Kuq ilegalisht i cili ka vepruar në Prishtinë dhe mbarë Kosovën”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Kryqi i Kuq i Serbisë nuk donte që punëtorët shqiptarë të kuptonin veprimet e tyre dhe as të ndihmonin popullin shqiptar.

Andaj sipas tij kishte lindur nevoja që të hapej një tjetër zyre e Kryqit të Kuq në mënyrë që populli shqiptar të mund të furnizohej me ushqim dhe gjëra të tjera elementare.

Ademi: Pajisjet mjekësore gjatë luftës i merrnim përmes donacioneve

“Pajisjet mjekësore i merrnim përmes donacioneve, ka pasur një fond ‘vendlindja thërret’, kemi pasur një barnatore aty afër dhe i merrnim barnat, dhe prej donatorëve të tjerë”, ka thënë dëshmitari.

Ai ka thënë se ndihmat i shpërndanin në zona të ndryshme si në Drenicë, Llap, Gollak e Gjilan.

Dëshmitari i mbrojtjes ka thënë se kur kanë filluar bombardimet e NATO-s, në mars të vitit 1999, njerëzit më nuk kanë mundur të shkonin në zyret e Kryqit të Kuq për të marrë gjërat që u nevojiteshin, sepse rrezikoheshin nga forcat serbe.

Sipas tij, ndihmat janë shpërndarë përmes vullnetarëve.

Ademi: Serbët më kanë rrahur në rrugë derisa dërgoja ndihma

“Po janë kontrolluar, popullata është kontrolluar (nga serbët) nëpër rrugë, më kanë kontrolluar, më kanë ndalë, më kanë pyetur, më kanë rrahur në mes të rrugës... Ka pas një rast kur më kanë zënë mu më kanë rrahur dhe si duket 50 marka mi kanë marrë në atë kohë, edhe më rrahën edhe i morën dhe më thonin pse po mban ti marka kur këtu je në Serbi, nuk janë këto nuk janë valuta tona, paraja jonë është e Serbisë, kështu që unë kam hangër edhe rreh edhe m’i kanë marrë 50 marka”, ka thënë ai.

Ndërsa pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, ai ka thënë se në shtëpinë e tij kishin shkuar forcat serbe ku i kishin rrahur e maltretuar gruan dhe djalin.

Ademi: Forcat policore serbe e kanë rrahur gruan dhe djalin tim

“Kam banuar por me vështirësi. Në një moment kanë ardhur forcat policore dhe ma kanë maltretuar gruan dhe djalin 4 vjeç që e kam pasur. Unë prej frikës kam hip në çati dhe prej çatisë i shikoja duke ma maltretuar gruan, familjen dhe prej asaj kohe djalin e kam jo mirë me shëndet mendor, prej traumave”, ka deklaruar ai.

Ai ka thënë se kjo ka ndodhur nga mesi apo fundi i muajit mars 1999 por ka shtuar se nuk i kujton mirë datat.

Ademi: Serbët e kanë rrahur gruan time dhe djalin me sopatë

“Gjatë bombardimeve ka ndodhur kur kanë ardhur policia dhe ma kanë rrahur gruan dhe fëmijën, me sopatë të vogël”, ka thënë ai.

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po vazhdon të dëgjohet dëshmia e dëshmitarit të dytë të mbrojtjes në gjykimin ndaj Salih Mustafës.

Ai është arrestuar më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Salih Mustafa po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë, ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues ai është deklaruar i pafajshëm.

Vazhdon procesi gjyqësor ndaj Sali Mustafës

Në Dhomat e Specializuara në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish pjesëtarit të UÇK-së, Sali Mustafës.

Javën e kaluar para trupit gjykues në Hagë u paraqit dëshmitari i parë i mbrojtjes në rastin e Mustafës, Brahim Mehmetaj.

Në mbrojtje të Sali Mustafës do të dalin gjithsej 17 dëshmitarë.

Aktakuza ndaj Mustafës, i cili është i arrestuari i parë nga Specialja, është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat