​Nuk votohet komisioni hetimor për situatën energjetike, opozita e sheh të nevojshëm këtë komision

Aktuale

​Nuk votohet komisioni hetimor për situatën energjetike, opozita e sheh të nevojshëm këtë komision

Më: 28 mars 2022 Në ora: 13:13
Kuvendi i Kosovës

Me 23 vota për dhe 50 kundër, Kuvendi i Kosovës nuk e miratoi themelimin e komisionit për hetimin e situatës me energji elektrike nga Qeveria e Kosovës. Krijimin e këtij komisioni e ka propozuar PDK dhe mori mbështetje edhe nga partitë tjera opozitare. Ndërsa, ende pa u hedhur në votim nga mazhoranca deklaruan se do ofrojnë transparencë.

Seancën menjëherë e kanë lëshuar deputetët e PDK-së.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri u shpreh se krijimi i këtij Komisioni Parlamentar Hetimor është i rëndësishëm dhe do të kryej punë të jashtëzakonshme.

Tahiri: Komisioni hetimor është i nevojshëm

Konsiderojmë që kjo periudhë është shoqëruar me disa parregullsi duke filluar nga ngritja e çmimit të cilin ne veçse e kemi dërguar në Gjykatën Themelore të Prishtinës, pastaj edhe çështja e procedurës së blerjes së energjisë elektrike dhe shumë çështje që besoj që do t’i ngrisë ky komision hetimor parlamentar për menaxhimin e krizës energjetike. Ne konsiderojmë se ngritja e këtij komisioni është tejet e nevojshme dhe pa dashur të ngrisë debat për këtë çështje ne si grup parlamentar besojmë që ky komision hetimor ka një punë jashtëzakonisht të madhe”, theksoi ai.

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila u shpreh se për supozimet e opozitës, mbetet komisionit t’i hetojë, ndërsa shtoi se Qeveria do të ofrojë transparencë lidhur me situatën energjetike.

Kusari-Lila: Qeveria do jetë transparente

“Kryetari i grupit parlamentar të PDK tha pa dashur me bë debat por në fakt bëri konkluza të cilat se janë punë e komisionit hetimor parlamentar e nuk janë tashmë të paragjykohen se çfarë do jenë gjetjet e komisionit hetimor parlamentar si mekanizëm i Kuvendit, për ngritjen e çmimit tha se duhet të hidhet dritë, dritë besoj që dihet se pse është rritur çmimi jo vetëm tek ne po në gjithë botën edhe procese të tjera të cilat ne natyrisht qëndrojmë të hapur dhe besoj që Qeveria ashtu siç ka qenë deri më tani me transparencë me të gjithë mekanizma tjetër përfshirë edhe Agjencisë që i raportojnë Kuvendit sipas detyrës zyrtare do të jenë këtu për të dhënë sqarimet e nevojshme”, theksoi ajo.

Të rëndësishëm e ka konsideruar krijimin e këtij Komisioni Hetimor Parlamentar për menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës, edhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

Gashi: Grupi parlamentar i LDK konsideron të rëndësishëm një proces hetimor

“Grupi parlamentar i LDK konsideron të rëndësishëm një proces hetimi lidhur me procesin e shtrenjtimit të energjisë elektrike pra një proces hetimor parlamentar ku do të hetohen të gjitha institucionet puna e tyre duke filluar nga ZRRE veprimi dhe mos veprimi i tij me kohë, deklarimet e ZRRE-së rreth shtatorit të vitit të kaluar se Kosova nuk do të ketë krizë me energjike elektrike dhe nuk ka nevojë për panik dhe nuk ka nevojë për asnjë masë tjetër, pastaj thellimi i krizës deri në atë masë sa që Kosova deri më pak se 1 muaj humb qindra milionë euro duke blerë energji elektrike në tregun e lirë të energjisë elektrike…Besoj që komisioni përkatës do i shtroj do të gjej përgjigjen e duhur dhe nga gjetjet e këtij komisioni institucionet e duhura do të marrin vendimet e tyre”, theksoi ai.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri u shpreh se ky Komisioni Hetimor duhet të trajtojë 5 çështje të rëndësishme që lidhen me këtë krizë.

Tahiri: Për ne janë të rëndësishme 5 çështje

“Themelimi i këtij grupi që do bëjë një hetim parlamentar dhe për ne janë të rëndësishme 5 çështje të trajtohen në thelb pagesën e rrymës në veri të Kosovës të dihet saktësisht se sa është shuma a është 40 milionë siç po thuhet a është më pak apo është më shumë, e dyta ka të bëjë me një organ tonë të Kuvendit të Kosovës, një organ të pavarur rolin e ZRRE-së në raport me ndikimin politik dhe sinkronizimin që ky institucion e ka pasur me Qeverinë në përcaktimin e tarifave të cilat kanë ngritur çmimin e energjisë mbi supet e qytetarëve privat dhe duke mos rritur tek sektori privat. E treta ka të bëjë me komunikimin që ka bërë KEDS me Qeverinë letrat që ka zotëri Murati dhe kryeministri duhet t’i deponoj tek ky grup prej korrikut apo gushtit, prej kur kanë marrë informacione se po hyjmë në krizë e reagimi ka qenë tepër i vonshëm. Pika e katërt lidhet me gjendjen emergjente”, theksoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat