​Dëshmitari thotë se Salih Mustafa u kishte dhënë mbështetje morale civilëve gjatë luftës

Aktuale

​Dëshmitari thotë se Salih Mustafa u kishte dhënë mbështetje morale civilëve gjatë luftës

Më: 28 mars 2022 Në ora: 15:24
​Dëshmitari thotë se Salih Mustafa u kishte dhënë mbështetje morale civilëve gjatë luftës

Dëshmitari i dytë i mbrojtjes në gjykimin ndaj Salih Mustafës, Ahmet Ademi ka thënë se pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, Salih Mustafa e Fatmir Humolli e kishin vizituar atë në shtëpinë e tij dhe ishin takuar me njerëzit e tjerë që po strehoheshin në lagjen ku banonte Ademi në Prishtinë.

Para trupit gjykues në Hagë, Ademi ka rrëfyer edhe rastin kur policia serbe kishte rrahur e maltretuar familjen e tij.

Ademi: Djali im ka mbetur me pasoja pasi serbët e kanë rrahur nënën e tij

Incidenti ka ndodhur në familjen time pasi NATO ka filluar bombardimet, tani kanë ardhur policia kanë hyrë nëpër lagje dhe incidenti ka ndodhur të familja ime pas bombardimeve të NATO-s...Djalit tim në atë kohë nuk i kanë bërë asgjë por e ka parë duke i rrahur nënë dhe prej asaj kohe djali është me trauma, e kam pasur nëpër mjek por i ka mbetur ajo frika, trauma në kokë. Bashkëshorten e kanë rrahur”, ka thënë ai.

Sipas tij, serbët kishin hyrë në të gjithë lagjen dhe kishin maltretuar e rrahur banorët që i kishin gjetur aty.

Pas kësaj, Ademi ka deklaruar se janë vizituar nga tre pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndër të cilët Salih Mustafa e Famtir Humolli.

Sipas tij, ata u kishin dhënë mbështetje morale civilëve.

Ademi: Pas fillimit të bombardimeve më kanë vizituar Salih Mustafa e Fatmir Humolli

Ndërkohë pas incidentit, ka pasur edhe popullatë prej tjera anë në lagjen tonë, kanë ardhur pjesëtarët e ushtrisë sonë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, tre persona, kanë qëndruar gjatë ditës, na kanë dhënë mbështetje morale, mos me u frikësu, (na kanë thënë) nuk kanë punë me ju por me ne, na kanë dhënë mbështetje... Fatmir Humolli, Salih Mustafa dhe një tjetër ka qenë por e kam harruar emrin, e këta dy po. Kanë qenë në lagjen tonë, kanë biseduar personalisht me mua, se e kanë ditë që unë punoj në Kryqin e Kuq, kanë biseduar me mua si po shkon puna, u km sqaruar punën e popullatës, stresin e popullatës”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se vizita e tyre është bërë rreth fundit të marsit apo fillimit të prillit të vitit 1999.

Ademi: Salih Mustafa u ka dhënë mbështetje morale popullatës civile

Atë natë në mbrëmje kur kanë ardhur kanë bujtur të shtëpia e axhës tim, kanë qëndruar tërë natën, të nesërmen tërë ditën kemi biseduar me popullatë nëpër lagje, edhe unë kam qenë bashkë me ta, i kemi vizatuar popullatën, kemi biseduar me popullatë, Salihu u ka dhënë mbështetje morale, mos u frikësoni, nuk kanë punë me ju, kanë punë me ne, por ja hyri edhe NATO... Nëse nuk gaboj ka qenë fundi i marsit, fillimit i prillit, tash nuk më kujtohet a ka qenë data 30 mars apo 2,3,4 prill, por në atë periudhë prej datës 30 deri 4 prill, nuk më kujtohet dita saktësisht, po e di që ka qenë fundi i marsit dhe fillimit i prillit”, ka thënë dëshmitari.

Ai ka thënë se pjesëtarët e UÇK-së kanë qenë të pa-armatosur dhe se me vete kanë pasur çantë dhe fletore në të cilën sipas tij merrnin shënime nga ato çka u thoshin banorët.

Ademi: Mustafa e Humolli kanë qenë të interesuar të dinë gjendjen e civilëve

Këta kanë qenë të interesuar të marrin informacione nga popullata sesi po zhvillohet puna aty, apo kemi maltretime, a po kemi probleme, a po na maltreton kush, ne u kemi sqaruar që këto gjëra i kemi pasur probleme, dhe u kemi shpjeguar krejt, po du me thënë në lagjen tonë aty”, ka thënë ai.

Ademi ka thënë se pas qëndrimit një natë në shtëpinë e familjarit të tij, pjesëtarët e UÇK-së janë larguar në drejtim të Llapit.

Dëshmitari ka thënë se Salih Mustafën e kishte takuar edhe më parë në zyret e kryqit të kuq, para bombardimeve të NATO-s.

Ai ka thënë se për Mustafën e ka njohur që është pjesë e UÇK-së por nuk ka ditur më shumë rreth tij.

Gjatë pyetjeve, avokati mbrojtjes Julius Von Bone e ka pyetur dëshmitarin nëse ndonjë punëtor i Kryqit të Kuq kishte vdekur gjatë luftës.

Dëshmitari Ademi: Vetëm doktori, Shpëtim Robaj ka vdekur dhe ka vdekur tani persona të tjerë, vullnetarë tonë kanë vdekur pas luftës. Një ka shkuar në Francë, tjetri në Suedi.

Avokati Von Bone: Në atë kohën pas incidentit, periudhën kohore pas incidentit që i ndodhi familjes tuaj, sa kohë vazhduat ju të punonit për Kryqin e Kuq?

Dëshmitari Ademi: Ne kemi punuar gjatë luftës nonstop dhe tash punoj prapë në Kryqin e Kuq.

Avokati Von Bone: Kryqi i Kuq a kishte zyre në Llukarë?

Dëshmitari Ademi: Jo. Kryqi i Kuq me vullnetarët e vet në vitin 2000 nëse nuk gaboj, vullnetarët e Kryqit të Kryq, ndër ta kam qenë edhe unë, në varreza e kemi bërë rivarrimin e shtatë personave, aty ka qenë prezent KFOR-i, ka qenë prezent UNMIK-u dhe ka qenë prezent zyra ligjore. Ne e kemi bërë zhvarrimin, kemi hapur gropat, personat e OSBE-së i kanë marrë i kanë future, sepse ka pasur edhe familjarë aty afër, cilat viktima janë verifikuar janë ndarë anash, cilat nuk janë verifikuar i kanë marrë viktimat i kanë fut nëpër thasë dhe i kanë çuar në Rahovec ku ka qenë zyra ligjore e AND-së, e personave që i kanë marrë prej varrezave, derisa u është bërë AND se kujt i përket ai trup. Aty kemi zhvarrosë, tani kemi varrosë prapë, aty ka qenë KFFOR-i, policia e UNMIK-ut, ka pas ardhur Cali me disa ushtar por vetëm me xhaketa me llogo të UÇK-së, pa armatim kanë qenë aty. Janë përshëndet me ne të gjithë, si të KFOR-it, si të OSBE-së, edhe aty e kam parë Calin.

Ahmet Ademi do të përgjigjet edhe në pyetjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, para trupit gjykues në Hagë.

Ai është dëshmitari i dytë i mbrojtjes në gjyqin ndaj Salih Mustafës i cili është arrestuar më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Salih Mustafa po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues ai është deklaruar i pafajshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat