Shakatë që përfunduan me nervozizëm në Kuvend

Aktuale

Shakatë që përfunduan me nervozizëm në Kuvend

Më: 28 mars 2022 Në ora: 15:34
Pamje nga Kuvendi i Kosovës

Me debat të nxehtë ka përfunduar pika që parashihte hedhjen në votim të formimit të komisionit hetimor parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë, megjithëse goxha me të qeshura u patën propozuar emrat e anëtarëve të komisionit në fjalë.

I pari e ka nisur shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi. Duke qeshur, ai ka thënë se LDK-ja e propozon Driton Selmanajn për anëtar të komisionit, duke mos ju referuar atij si deputet, por si profesor.

Më pas ka vazhduar shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri. “Ne e propozojmë për anëtar të grupit hetimor doktorin e mirënjohur Pal Lekaj”, është shprehur Tahiri, duke shtuar të qeshurat në sallë.

Për të mos e prishur atmosferën, humorin e ka vazhduar kryeparlamentari, Glauk Konjufca.

“I nderuar grup multietnik, cilin doktor të shkencave e propozoni… nëse nuk keni, munden t’ua huazojnë grupet tjera parlamentare se i kanë me tepri”, ka thënë Konjufca duke i bërë deputetët të qeshin sërish.

Por, pas të qeshurave, u kthye nervoza.

Deputetët nga LVV-ja nuk e votuan formimin e komisionit, opozita siç dihet nuk i ka numrat, dhe për rrjedhojë komisioni mbeti pa u formuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat