​Hajdari: S’ka mungesë të grurit, s’kemi si t’i kundërpërgjigjemi Serbisë për bllokadën

Aktuale

​Hajdari: S’ka mungesë të grurit, s’kemi si t’i kundërpërgjigjemi Serbisë për bllokadën

Më: 29 mars 2022 Në ora: 15:20
Rozeta Hajdari

Ani se Kosova aktualisht është e furnizuar mjaftueshëm me grurë, megjithatë duke parë rrezikun e përshkallëzimit të mëtejmë të agresionit në Ukrainë, dhe bllokimit të eksportit të grurit nga ane Serbisë në vendin tonë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka marrë përgjigje pozitive nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës sa i përket importit të grurit në të ardhmen e afërt edhe nga SHBA-të.

Gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka treguar pse nuk kanë marrë masa ndaj Serbisë për ndalimin e grurit, dhe ka thënë se në rast që Kosova përballet me ndonjë krizë, mund të jetë blerës i grurit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga shtetet perëndimore nga vera ose vjeshta e ardhshme e këtij viti. 

Pas ndaljes së grurit nga Serbia, ministrja Hajdari ka treguar shtete mike të Kosovës me të cilat janë në komunikim zyrtarë, dhe që ka progres në negociata për furnizim me grurë.

Hajdari: Kosova mund të blejë grurë në të ardhmen nga ShBA-të

“Unë kam parë që Kosova nuk ka pasur varësi nga Ukraina për import, por kryesisht ka qenë nga Serbia. Ne kemi kontaktuar edhe vendet e tjera, duke filluar me Slloveninë, Kroacinë, Hungarinë, Turqinë, me Francën dhe me SHAB-të. Fatmirësisht kemi përgjigjet pozitive prej shumicës së këtyre vendeve ndonëse kanë barrierat edhe ato shtetet që kanë ndaluar eksportet. Por, me marrëveshje ministër-ministër, jemi në një progres të mirë kur ndodhë që të kemi ndonjë krizë që mund ta ketë Kosova në të ardhmen, mund ta zhbllokojmë këtë përmes marrëveshjes. Ne duhet të përgatitemi, edhe pse kemi shtuar rezervën shtetërore për 10 milionë euro shtesë, duhet t’i shtojmë rezeravt shtesë, sepse, nuk i dihet, i dihet fillimit, por jo mbarimit. Duke filluar me kërkesën që kemi dërguar tek Ambasada Amerikane dhe të tjerët që të llogarisim në të ardhmen kah vera, vjeshta, sepse nuk i dihet situatave të reja, dhe të na vendosin në listë. Dhe kemi marrë përgjigje pozitive që Kosova është në listën e kërkesave të vendeve tjera po ashtu, që edhe Kosova është në listë për të qenë një prej blerësve të ardhshëm nëse ka me pasur nevojë. Por, prapë se prapë nuk është mjaft duhet gjithmonë me qenë aktiv dhe me kërkuar edhe prej vendeve të tjera”, theksoi Hajdari. 

Duke iu përgjigjur deputetit Armend Muja, se Kosova barriera tarifore ose jo tarifore me ShBA-të, ministrja Hajdari i shpreh se Kosova nuk ka asnjë barrierë ndaj SHAB-së, veçse siç theksoi ajo ndoshta mund të ketë SHAB ndaj vendit tonë. 

Hajdari: Kosova ndoshta ka barriera ndaj SHBA-së

“Nuk kemi, ndoshta kemi barriera që ata të eksportojnë në Kosovë, që ne duhet ta largojmë atë, por nuk kemi barriera për të eksportuar në Amerikë”, theksoi ajo. 

Kështu, deputeti Armend Muja, ka propozuar që të orientohet linja e furnizimit me mallra nga shtetet perëndimore dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e jo sipas tij nga lindja. 

Muja: Sugjeroi të blejmë grurë nga perëndimi dhe Amerika, s’kemi të bëjmë asgjë me lindjen

“Mirëpo që të blejmë grurë nga ajo(SHBA-të), a mund të mendojmë, që në këtë vit edhe për arsye gjeopolitike dhe sigurisë nacionale, ta riorientojmë furnizimin e grurit. Mendojë që është kohë e duhur dhe zinxhiri jonë blerës të lidhet përfundimisht me perëndimin, nuk kemi të bëjmë me lindjen asgjë”, theksoi ai. 

Ndërkaq, kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala theksoi se kanë pritur nga kjo qeveri që të marrë masa qoftë edhe masa reciprociteti ndaj Serbisë për ndalimin e grurit që ia ka bërë kjo e fundit Kosovës. 

Sipas tij asnjë kilogram grurë nuk lejon Serbia të eksportohet drejt Kosovës dhe kështu ai tha se është bllokuar linja e furnizimit me mallra esenciale ushqimore. 

Shala: Kemi prit reciprocitet ndaj Serbisë pas vendimit për ndaljen e grurit drejt Kosovës

“Nuk kam parë asnjë veprim dhe asnjë komunikim qeveritar, por cili është qëndrimi i qeverisë përkatësisht I juaji në raport me bllokimin që ka bëtë Serbia për grurin dhe produktet tjera, që kemi importuar dikur grurë, ndërsa sot e kemi të bllokuar. A ka ndonjë reagim, një kundër masë, një kundër veprim apo një lloj reciprociteti, të cilin e kemi pritë pas veprimeve të tilla të një anshme vulgare dhe të panevojshme në këtë situatë”, tha Shala. 

Ministrja Hajdari duke treguar se Kosova aktualisht nuk ka mungesë të grurit, tha se Kosova nuk ka si t’i kundërpërgjigjen Serbisë për bllokadën me këtë produkt strategjik, pasi sipas saj, nuk ka mallra për t’i ndalur këtij shteti fqinjë. 

Hajdari: Serbia ka ndalur eksportin me grurë, por ne s’kemi çka t’i ndalim asaj 

“Unë nuk e kam kuptuar prej asnjë prodhuesi ose nga rrjeti shitësve me pakicë dhe shumicë, që ata kanë mungesë të furnizimit me grurë. Ata janë ok(në rregull) dhe nuk kanë ndonjë problem për furnizim, sepse kemi pasur edhe shtete të tjerë, jo vetëm Serbia dhe Turqia… Nuk është vendimmarrje ashtu si mendojmë ne revansh ose hakmarrje, por gjithmonë duke u bazuar në evidencë… Kur ne marrim kërkesë nga asociacioni i industrisë së ushqimit, po është e nevojshme që të reagojmë dhe gjithmonë kemi hapësirë për të reaguar bazuar në ligje, por kur të nisim hetimet nuk është mirë që brenda 60 ditësh të marrim ndonjë veprim… Po është e vërtet që ka pasur disa nga shtetet që kanë ndalur eksportin për grurin, sepse është krizë për ato, edhe ne po rishqyrtojmë, por tash çka kemi ne për të ndalur si eksport. Ne kemi ndoshta shumë pak produkte për të eksportuar”, theksoi ai. 

Gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, ministrja Hajdari, ka thënë se gjatë vitit 2021, numri i ankesave të konsumatorëve ka arrit në 2000 ose 300 për qind më shumë se në vitin 2020. 

Hajdari: Janë adresuar rreth 2 mijë ankesa për shkeljen e drejtave të konsumatorëve 

“Janë adresuar rreth 2 mijë ankesa në lidhje me shkelej ne të drejtave të konsumatorëve në tregun vendosur shumë prej të cilave kishin të bëjnë me kualitetin dhe cilësinë e produkteve dhe shërbimeve. Pra është rritur për 300 për qind numri i ankesave të konsumatorëve në vitin 2021”, tha ajo. 

Ndërkohë tha se gjatë vitit të kaluar, niveli i eksporteve të mallrave të Kosovës është rritur për 62 për qind.

Hajdari shtoi se gjatë vitit 2021, investimet e huaja kanë qenë gati 500 milionë euro.

Ajo ka njoftuar anëtarët e Komisionit për projektligjet e miratuara nga Kuvendi dhe projektligjet që janë në proces të miratimit.

Hajdari po ashtu ka thënë rreth 80 për qind e masave të MSA-së janë finalizuar nga kjo ministri gjatë vitit që shkoi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat