Latifi: U dhanë certifikata të rreme për vota, nuk janë më shumë se 13 mijë e 500 veteranë

Aktuale

Latifi: U dhanë certifikata të rreme për vota, nuk janë më shumë se 13 mijë e 500 veteranë

Më: 29 mars 2022 Në ora: 22:27
Blerim Latifi

Profesori universitar Blerim Latifi, ka shpjeguar arsyet të cilat sipas tij, çuan në rritjen e numrit të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“100 gjyqe me ju bo ju keni me dalë të pafajshëm (Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK’së) sepse shkaqet janë tjetërkund”, tha Latifi.

“I ke tre lloj shkaqesh të cilat kanë sjell problemin e fryrjes së listave. Janë tre faktorë. E ki një shkak politik, që lidhet me klientelizmin politik. Parti të caktuara, liderë të caktuar politikë, s’po dua me hy me emra konkretë kanë dhënë certifikata të rreme, dëshmi të rreme për luftëtarë me këmbim të votës dhe të mbështetjes politike”, shpjegoi Latifi.

“Shkaku i dytë që ka çuar në fryrjen e listave është faktori social. Ky është vend i varfër, njerëzit pa vende pune, pa mundësi i kanë hyrë kësaj rruge të paligjshme me siguruar një certifikatë të rreme si pjesëtarë i UÇK’së që me marrë një pension apo si quhen ato”, tha ai.

“Shkaku i tretë, është shkaku honorifik. Dikush thjesht për arsye prestigji, ka dashtë me marrë një certifikatë të rreme, me i thanë dikujt se ka qenë në UÇK”, pohoi Latifi.

Ai tregon një mënyrë të zgjidhjes së kësaj çështje.

“Si zgjidhet ky problem?”, pyet Latifi, “duke u nis nga diagnoza e saktë e problemit. Kur të kemi diagnozën e saktë, atëherë edhe terapinë e kemi”, shtoi ai.

Latifi nuk mendon se janë më shumë se 13 mijë e 500 veteranë të luftës së fundit në Kosovë.

“Diagnoza është kjo: Komandantë të brigadave, njësive të cilët shpeshherë jo vetëm për shkaqe politike, elektorale, klientelizmit politik apo sociale apo honorifike, apo dikush ka dashtë krejt faresfisin e vetë me bo ushtarë të UÇK’së e kështu me radhë”, tha Latifi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat