Arbër Vllahiu: Nga deklarimet në Prishtinë e Beograd del se dy palët janë gati për konflikt

Aktuale

Arbër Vllahiu: Nga deklarimet në Prishtinë e Beograd del se dy palët janë gati për konflikt

Më: 1 prill 2022 Në ora: 00:29
Arbër Vllahiu

Analisti politik Arbër Vllahiu ka thënë se duke parë deklarimet e Prishtinës dhe Beogradit, krijohet përshtypja se të dyja palët janë të gatshme për konflikt.

Ai, në “Rubikon”, deklaroi se të dyja palët po ngritin tensione, duke thënë se për “vallëzim tango duhen dy persona”.

“E para duhet qartësuar çka është e drejtë dhe ajo që është e drejtë a është edhe e mundshme dhe reale, e dyta çka është e mundshme a është e dobishme dhe e treta nëse është e dobishme a është e ligjshme dhe a është legjitime. Në tërë këtë tollovi që është krijuar ditëve të fundit duhet parë nëse vendimi i Qeverisë së Kosovës është vendim i dobishëm për Kosovën në një moment të caktuar politik, ose në një moment të caktuar kur ndodhin zhvillime të mëdha në botë – qoftë lufta në Ukrainë apo kriza të tjera në botë. Duhet ekskluzivisht parë se cila do të jetë dobia e vendimit të qeverisë së Kosovës. Nga deklaratat që i shohim unë mund të them që për vallëzim tango duhen dy vetë, por edhe për konfliktin duhen dy vetë. Nga krejt ajo që shohim sot nga deklarimet në Beograd dhe deklarimet në Prishtinë na del sikur të dyja palët janë shumë të gatshme për t’u konfliktuar me njëra-tjetrën”.

“Është deklarata e [Aleksandar] Vuçiqit në Beograd që Marrëveshja e Brukselit ka vdekur, kurse deklarata e [Albin] Kurtit në Prishtinë ka qenë që janë dhjetë organizata paralele apo të tilla në veri të Kosovës, të cilat mund ta rrezikojnë sigurinë e Kosovës. Jemi në një situatë kur të dyja palët janë të gatshme për konflikt, verbalisht dhe deklarativisht dhe që të dyja palët janë duke ngritur tensione”.

Bashkësia Ndërkombëtare, sipas Vllahiut, duhet të bëjë një kërkesë për të dyja palët që të qetësohen dhe të mos ngritin tensione.

Ai ka deklaruar se vendimi i Qeverisë së Kosovës për moslejimin e zgjedhjeve serbe në Kosovë është i drejtë, por jo edhe i dobishëm për shkak që, sipas tij, kjo e vë Kosovën në pozitë të vështirë karshi Bashkësisë Ndërkombëtare.

“Vendimet e Qeverisë së Kosovës janë të trefishta në konfliktuim me Bashkësinë Ndërkombëtare. Vitin e kaluar, në muajin shtator, kemi pasur vendimin e parë të Qeverisë së Kosovës, që ishte dërgimi i forcave speciale në veri të Kosovës në vend që ta bënte një formë tjetër, duke zhvendosur dialogun nga ai politik në teknik. E dyta është që Kosova është marrë më fajtore për ndërprerjen e dialogut me Serbinë dhe e treta janë dy vendimet për moslejimin e mbajtjes së referendumit serb dhe zgjedhjeve serbe në Kosovë”.

“Vendimi në aspektin kushtetues i Qeverisë së Kosovës është i drejtë, por a është vendimi i dobishëm në momentin e caktuar mendoj se jo. Mendoj se kemi ardhur në një pozicion kur politika e jashtme e Kosovës po konfliktohet me bashkësinë ndërkombëtare. Jemi në pozicion të vështirë karshi bashkësisë ndërkombëtare prej të cilës po kërkojmë anëtarësim në BE, anëtarësim në NATO, përshpejtimin e proceseve të tjera të ndërkombëtarizimit të Kosovës. Ne po kërkojmë diçka, por në anën tjetër nuk po kryejmë atë që po kërkohet prej nesh”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat