​Kurti: Nderojmë diversitetin duke nderuar njerëzit me autizëm

Aktuale

​Kurti: Nderojmë diversitetin duke nderuar njerëzit me autizëm

Më: 1 prill 2022 Në ora: 18:02
Kryeministri Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar sot se duke nderuar njerëzit me autizëm nderohet diversiteti.

I pari i ekzuekutivit këto komente i bëri në ngjarjen e organizuar nga Asociacioni Nacional i Autizmit në Kosovë në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Autizmit.

Në një komunikatë për media bëhet e ditur se Kurti ka thënë se do të mundësojnë pjesëmarrjen efektive në klasë, ndërsa klasa gjithëpërfshirëse do të funksionojë për të arritur potencialin e të gjithëve pa dallim.

“Sot, pra e nderojmë diversitetin duke nderuar njerëzit me autizëm. Duhet t’i nderojmë çdo ditë me angazhimin dhe ndërveprimin tonë që t'u ofrojmë mbështetjen dhe kujdesin që u nevojitet, t’ua përmirësojmë cilësinë e jetës. Për të jetuar të pavarur, duke qenë bashkëpjesëmarrës në shoqëri. Për të shtuar ndjenjën e përkatësisë, për jetë me dinjitet edhe me plot mundësi”, ka thënë Kurti.

Kurti theksoi se ndërgjegjësimin në rritje duhet përkthyer në rritje të veprimit dhe të punës së përbashkët për të adresuar sfidat e shumta. E kjo sipas tij, bëhet duke filluar nga ndërgjegjësimi mbi rëndësinë e diagnostikimit dhe të ndërhyrjes së hershme.

“Dëshmitë shkencore tregojnë se ndërhyrja e hershme çon në rezultate pozitive të mëvonshme në jetë, për njerëzit me autizëm. Kjo ditë le të na shërbejë për të rritur dhe shtuar njohuritë për autizmin, e për të ndryshuar botëkuptimet. Por edhe për të njohur e nderuar talentet dhe aftësitë unike të personave me autizëm, si anëtarë të çmuar të shoqërisë sonë”, shtoi ai.

Vitin 2022 Qeveria e Kosovës ua ka kushtuar personave me nevoja të veçanta.

Kryeministri Kurti ritheksoi përkushtimin e Qeverisë për të punuar bashkë me institucionet dhe organizatat partnere.

“Bashkë me organizatat partnere, prindërit e familjet, do të shtojmë angazhimin për të ndërmarrë hapa konkretë për tejkalimin e barrierave sistematike me të cilat përballen njerëzit me autizëm në jetën e tyre të përditshme. Për të shtuar mbështetjen për personat me autizëm, në aspektin e edukimit, ofrimit të shërbimeve sociale e shëndetësore, kujdesit më të mirë, integrimit, solidaritetit e mundësive për avancim”, ka thënë ai.

Kryeministri veçoi “Javën e Diversitetit”, që së shpejti do të organizojnë Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe organizatat partnere, ku fëmijët me autizëm do të shprehin talentin e tyre në garën e vizatimit.

Gjatë këtij viti do të punësohen 100 asistentë në të gjitha komunat e Kosovës, për mbështetjen profesionale të fëmijëve, në mesin e tyre edhe të fëmijëve me autizëm. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat