Dështon seanca ndaj Naser Pajazitajt, palët në procedurë mungojnë pa arsye

Aktuale

Dështon seanca ndaj Naser Pajazitajt, palët në procedurë mungojnë pa arsye

Më: 4 prill 2022 Në ora: 11:51
Pamje nga seanca

Për shkak se palët në procedurë munguan pa arsye, ka dështuar seanca e rigjykimit e paraparë të mbahet të hënën në Gjykatën Themelore në Ferizaj, në rastin ku Naser Pajazitaj akuzohet për vrasjen e Donjeta Pajazitajt më 2015 në Deçan. 

Kryetari i trupit gjykues, Ibrahim Idrizi, njoftoi se palët në procedurë: mbrojtësi i të akuzuarit Naser Pajazitaj, avokati Gëzim Kollçaku dhe të dëmtuarit Shkëlqim dhe Lumnije Pajazitaj, mungojnë në seancë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas gjykatësit Idrizi, të njëjtit janë njoftuar me kohë për seancën e sotme, ndërsa mungesën nuk e kanë arsyetua.

Gjykatësi bëri të ditur se sot janë bërë përpjekje për t’i kontaktuar përmes telefonit, mirëpo të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Në seancë mungoi edhe prokurorja Valbona Disha-Haxhosaj, për të cilën, gjykatësi Idrizi fillimisht ka njoftuar se do të vonohet deri në orën 11:00, por pasi e njëjta deri në këtë orë nuk është paraqitur dhe se në seancë nuk janë paraqitur asnjë nga palët në procedurë, e njëjta u njoftua që seanca e sotme nuk do të mbahet.

Në këto rrethana, trupi gjykues mori vendim në bazë të të cilit ka njoftuar dhe u ka tërhequr vërejtjen palëve që munguan lidhur me pasojat ligjore të mosprezencës pa arsye në shqyrtimet gjyqësore.

Ai tha se të njëjtit do të njoftohen sërish për seancat e radhës, të cilat u caktuan për 7 dhe 8 prill 2022.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat