Këshilli Prokurorial i Kosovës në shërbim të krimit apo të drejtësisë, në sytë e botës!?

Aktuale

Këshilli Prokurorial i Kosovës në shërbim të krimit apo të drejtësisë, në sytë e botës!?

Nga: Idriz Morina Më: 7 prill 2022 Në ora: 14:26
Këshilli Prokurorial i Kosovës në mbledhjen e fundit

Këshilli Prokurorial i Kosovës, që duhet të jetë institucioni themelor, për sigurimin e zbatimit të ligjshmërisë, po akuzohet se në emër të votës, shumësisë së saj, nuk ka vendosur drejt në zgjedhjen, përkatësisht emërimin e kandidatit Blerim Isufaj.

Anëtarët e Këshillit nuk e kursyen asnjë votë, por ia dhanë që të gjitha Isufajt.

Të koritur

Dikur në traditën shqiptare ishte një lloj shenjtërie, që e kodonte imazhin e shqiptarëve. Veçanërisht, ishte e ndjeshme dhe e papranueshme, sjellja e ulët në sy të botës (në publik). Shkelja e këtij kodi nënkuptonte korinë, apo humbjen e fytyrës, e madje turpërimi në sy të botës, për burrin, ishte thuaj si me vdekur: “Më mirë i vdekur se sa i koritur”!

Por, sot?!

Nëse jo vetë votat, por procesi i zgjedhjes, gjithsesi i bëri të pakënaqur diplomatët europian në Kosovë. I pari që reagoi lidhur me procesin është shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog. Zhgënjimin e tij e ka shprehur në rrjetin e tviterit.

“Përkundër thirrjeve të vazhdueshme të BE-së për të siguruar një përzgjedhje të drejtë, transparente dhe të bazuar në merita të Kryeprokurorit të Shtetit, Këshilli Prokurorial i Kosovës përfundoi procesin e përzgjedhjes duke shpërfillur këto parime. Të habitur dhe të zhgënjyer me veprimet e KPK-së”, ka shkruar ai.

Ambasadori amerikan Hovenier, është shprehur i shqetësuar se për procesin e zhvilluar nga Këshilli, duke vlerësuar se këto momente shkaktojnë humbjen e besimit tek qytetarët.

“Fakti që anëtarët e KPK-së nuk i përfillën apelet e ligjshme dhe rekomandimet e panelit shqyrtues nuk i përfillin atij standardi. Shtetet e Bashkuara nuk kishin kandidatë të preferuar dhe as nuk gjykuam kualifikimet e kandidatëve individualë. Jemi të shqetësuar se mënyra se si KPK i ka zhvilluar këto procedura ka dëmtuar besimin e publikut kosovar dhe besimin tonë në KPK si institucion publik”, thuhet në reagimin e ambasadorit Hovenier.

Ambasada amerikane si disa prani të tjera diplomatike e kanë përcjellur procesin e zgjedhjes nëpërmjet përfaqësuesve.

Edhe ambasadori i Gjermanisë John Rode, është një tjetër diplomat i rëndësishëm i zhgënjyer me procesin.

“Kjo është me të vërtetë zhgënjyese dhe jo rruga përpara e Kosovës sidomos kur OJQ-të e njohura si Instituti i Kosovës për Drejtësi e Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) kanë shprehur shqetësime të ngjashme”, ka shkruar ambasadori Rohde.

Sipas detyrimeve kushtetuese Këshilli Prokurorial i Kosovës është institucion plotësisht i pavarur në kryerjen e funksioneve të tij, në pajtim me ligjin. Këshilli Prokurorial i Kosovës siguron qasje të barabartë në drejtësi për të gjithë personat në Kosovë. Këshilli Prokurorial i Kosovës siguron që Prokurori i Shtetit të jetë i pavarur, profesional, i paanshëm dhe pasqyron natyrën shumetnike të Kosovës dhe parimet e barazisë gjinore.

Por, a e ka arritur këtë detyrim?

Sipas ambasadorëve perëndimor, jo vetëm që nuk është bërë kjo, por është një rezultat negativ, i shprehur nëpërmjet vlerësimit kulminant si zhgënjim!

Nëse Këshilli Prokuroria po dështon të ofrojë drejtësi, atëherë kush duhet dhe kush mund ta bëjë gjënë e duhur.

Nëse sistemi i kontrollit të punës së Prokurorisë zhgënjen, atëherë çfarë bëjnë prokurorët?!

Kush nuk do t’i zhgënjente qytetarët? Prokurorët, mbështetësit kryesor të drejtësisë në vend, do të thotë se janë vënë në shërbim të grupeve të interesit

Si mund të mos zhgënjeheni në drejtësinë e Kosovës, kur veprat e mashtrimit klasik i kualifikojnë, si vepra që duhet të zgjidhen si çështje civile, e në gjykatë dihet pastaj zvarritja e tyre me vite e vite, dhe dekada, pa arritur në zgjidhje!

Kërcënimet me jetë, i mbyllin me raporte informuese, disa të tjera me një raport të veçantë, pas asnjë veprim apo masa ndaj autorit të krimit.

Veprat e kërcënimeve me jetë, të një grupi ndaj një grup tjetër, qoftë edhe gazetarësh, i kualifikojnë si shqetësime apo si thirrje mosdurimi, pavarësisht që akuzat dhe shpifjet i bashkëshoqërojnë duke nxitur dhunë, dhe në të njëjtën kohë shpifjet t’i shfrytëzojnë si alibi për arsyetim të krimit!

Asgjë nuk janë të zhgënjyer ambasadorët në Këshillin Prokurorial, çka janë të zhgënjyer shqiptarët nga mos zbardhja e vrasjeve politike, atentateve, plagosjeve tashmë 23 vjet, dhe po përmbushet çerekshekulli pa vënë fare drejtësi.

A nuk do të duhej të ishte puna parësore e Këshillit, që të arrihej kjo drejtësi!

E cila përveç se nuk u ofrua për viktimat ajo dëmtoi dhe po dëmton seriozisht raportet ndërnjerëzore dhe profesionale.

Sipas organizatave që e monitoruan procesin, Instituti i Kosovës për Drejtësi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe Lëvizja FOL, vlerësojnë se paneli vlerësues a ka “cenuar meritokracinë e procesit”.

“KPK-ja ka dështuar që gjatë procesit të intervistimit të kandidatëve për kryeprokuror të Shtetit të sqarojë dhe sigurojë se kandidati për kryeprokuror të Shtetit ka integritet të pakontestuar dhe që i përshtatet pozitës së kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në reagimin e tyre.

Këto organizata kanë kërkuar para emërimit të kryeprokurorit, që procesi të anulohej dhe të përsëritej.

Kush duhet të jap llogari

Çështja është se sipas modelit të ndërtimit të institucioneve të pavarura, si në këtë rast të Këshillit Prokurorial nuk ka kush i merrë në përgjegjësi anëtarët e Këshillit, veçmas si në këtë situatë kur kanë votuar të gjithë pa përjashtim për një kandidaturë si ajo e Isufajt.

Ligji për Këshillin Prokurorial nuk e parasheh shkarkimin grupor të tyre, po ashtu as Kushtetuta dhe se ushtrimi dhe përgjegjësia për detyrat është individuale, ndërsa rasti i votës, është vështirë të kthehet në gjykim shkarkimi, pasi është vështirë të kualifikohet si një shkelje e rëndë.

Nisur nga kjo me shumë gjasë përmbysja e rezultatit mund të ndodhë vetëm nëpërmjet vullnetit të Presidencës, qëndrimit që do të mbaje Vjosa Osmani, e cila gëzon të drejtën e mos dekretimit për kryeprokuror të Kosovës, personin që besohet se tashmë u emërua me shkelje të rënda procedurale.

Shkeljet e vëna në dukje nga kandidatët që ishin në garë, u hodhën poshtë po nëpërmjet makinerisë së votimit, me shumicë votash.

Si duket këtyre prokurorëve nuk u bën përshtypje shkelja e të drejtave të tilla të individëve, një model që është instaluar prej kohësh në drejtësinë në Kosovë.

Një çështje tjetër kjo që ka bërë që procesi të konsiderohet i pabesueshëm, pasi anëtarët e Këshillit mbyllën sytë para provave!

Ata si duket e tronditën edhe njëherë botën demokratike, kur para syve të tyre lejuan shkeljet.

Procesi më së paku ka përmbushur pritjet për drejtësi, objektivitet, merita dhe transparencë, edhe sipas gjykimit amerikan.

“Në disa raste Shtetet e Bashkuara shprehën pritshmëritë për procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të ardhshëm të shtetit që ne besojmë se janë të përbashkëta nga qytetarët kosovarë: të jetë i drejtë, objektiv, transparent dhe i bazuar në merita”, thuhet në vlerësimin e ambasadorit Hovenier.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat