MASHT-i tregon se çka do të bëjë me udhëzimin administrativ që ndalon bartjen e shamisë në shkolla

Aktuale

MASHT-i tregon se çka do të bëjë me udhëzimin administrativ që ndalon bartjen e shamisë në shkolla

Më: 8 prill 2022 Në ora: 15:57
Foto ilustrim

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) aktualisht nuk ka në plan që të rishikojë udhëzimin administrativ i cili ndër të tjera e ndalon bartjen e uniformës fetare në shkolla. Kështu tha zëvendësministri Dukagjin Pupovci. Megjithatë, ai ka shtuar se të gjithë fëmijëve duhet t’u mundësohet vijimi i mësimit në shkolla.

Në konferencën e rregullt javore për media derisa është pyetur nëse MAShT e ka në plan të ndryshojë udhëzimin administrativ, Pupovci e ka mohuar një gjë  të tillë.

“Ne nuk dëshirojmë të dërgojmë tani mesazhe të gabuara në opinion në atë formën që shkolla jonë nuk është laike, sepse shkolla e Kosovës, shkolla publike në Kosovë është shkollë laike dhe kjo duhet të respektohet ndërkaq duhet të respektohen të drejtat e të gjithë fëmijëve që të vijojnë shkollimin dhe po veprohet në atë drejtim. Ka raste ndonjëherë të shkarjeve te them ashtu kur ndodhin situata të cilat janë të padëshiruara për ne por mendoj që me një reagim të shpejtë ato zgjidhen përndryshe nuk kemi ndonjë plan që tani për tani ta rishikojmë të udhëzim”, ka thënë zëvendësministri i Arsimit.

Ai ka thënë që të gjithë fëmijëve duhet t’u mundësohet shkuarja në shkollë.

“Këto udhëzime janë të pranishme prej vitit 2008, ju po referoheni versionit të fundit të vitit 2014 ku njëra ndër ndalesat, krahas telefonit celular, veshjeve ekstravagante e kështu me radhë është edhe bartja e uniformës fetare, do të thotë thjeshtë është çështja të interpretimi i asaj që ne e konsiderojmë si uniformë fetare. Tani është një pikëpyetje e madhe se në çfarë mase është shamia pjesë e uniformës fetare, por një gjë e kemi qëndrim kategorik që të gjithë fëmijëve duhet t’u mundësohet shkuarja në shkollë dhe ashtu është duke u vepruar”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat