Klinaku: Kosova duhet të kërkojë sqarime për deklaratat e Dick Martyt

Aktuale

Klinaku: Kosova duhet të kërkojë sqarime për deklaratat e Dick Martyt

Më: 13 prill 2022 Në ora: 15:20
Konferenca per media

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka kërkuar nga Gjykata Speciale që ish-senatori Dick Marty të ftohet si dëshmitar pas deklarimeve të këtij të fundit se ka qenë cak i një atentati nga shërbimi sekret serb.

U.d i drejtorit të OVL të UÇK-së, Faton Klinaku, u ka bërë thirrje autoriteteve të shtetit të Kosovës që të ngrenë në instanca ndërkombëtare deklarimet e ish-raportuesit në Këshillin e Evropës, Dick Marty, se është kërcënuar me vrasje nga shërbimi serb e që synonte të fajësonte shqiptarët për këtë.

Në një konferencë për media të mërkurën, nga OVL-ja e UÇK-së kanë thënë se presin veprime si nga Kosova ashtu edhe nga autoritetet e Shqipërisë.

“S’është hera e parë që Serbia mundohet t’ua veshë shqiptarëve të gjitha të këqijat që i ka bërë. Ka pas shumë ngjarje tjera, si rasti ‘Panda’ që i ka vrarë vetë fëmijët dhe është munduar t’ua veshë pjesëtarëve të UÇK-së apo rasti i Martinoviqit me shishen e famshme që gjoja shqiptarët e paskan dhunuar. Serbia si shtet e pushtues vazhdimisht ka bë këso inskenime e ngjarje e është munduar t’ua veshë shqiptarëve. Shteti i Kosovës sot s’do të duhej të heshtte. Qoftë Qeveria, Kuvendi apo Presidenca. Sidomos tash kur gjoja po kërcënohet nga shërbimi serb, e ta ngrejë si çështje në takime me organizmat ndërkombëtarë sepse është luftë kundër Kosovës dhe UÇK-së”, ka thënë Klinaku.

Ai ka shtuar se nga Shqipëria presin që të iniciojë rezolutë të re në Këshillin e Evropës për ta hedhur poshtë raportin e Martyt me të cilin akuzohej UÇK-ja për trafikim organesh.

U.d i drejtori të OVL të UÇK-së, Faton Klinaku, ka thënë se Kuvendi i Kosovës, përmes MPJD-së është dashur të kërkojë sqarime shtesë Parlamenti Evropian rreth akuzave të Martyt për të ashtuquajturën “shtëpia e verdhë”, në të cilën është supozuar se janë kryer trafikim me organe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat