Albin Kurti ndalon shitjen e produkteve të Kosovës në vendet tjera

Aktuale

Albin Kurti ndalon shitjen e produkteve të Kosovës në vendet tjera

Më: 13 prill 2022 Në ora: 19:27
Albin Kurti

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndalimin e përkohshëm të eksportit në vendet e tjera të produkteve bazike agro-ushqimore për shkak të krizës së shkaktuar nga lufta në Ukrainë, transmeton Insajderi

Kryeministri Albin Kurti në fillim të mbledhjes së 69-të të Qeverisë ka thënë se vendimi për ndalimin e eksportit të produkteve bazë është me qëllimin që të sigurohet furnizimi i qytetarëve me këto produkte.

Drithërat, mielli, vaji ushqimor, kripa e kuzhinës dhe sheqeri nuk do të lejohet të eksportohen përkohësisht ngase ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari tha se “mund të rrezikohet tutje furnizimin e popullatës tonë në të ardhmen”.

“Për të lehtësuar gjendjen propozojmë ndalimin e përkohshëm të eksportit dhe rieksportit të disa produkteve themelore agro-ushqimore. Propozimi ynë mbështetet në Ligjin për Tregtinë e Brendshme dhe Ligjin për Tregtinë e Jashtme. Vendimi i propozuar ndalon eksportin dhe rierksportin e produkteve si drithërat, mielli, vaji ushqimor, sheqeri dhe kripa”, tha Hajdari.

Qeveria e Kosovës e ka miratuar në mbledhjen e sotme edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallën tatimore në të ardhura personale.

Kryeministri Kurti tha se miratimi i projektligjit në fjalë i hapë rrugë ngritjes së pagës minimale në 265 euro bruto apo në 250 euro neto.

Ndërkohë, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se kjo shumë është vetëm fillimi dhe varësisht prej rritjes ekonomike do të ndryshohet paga minimale.

Paga minimale aktualisht në Kosovë është 170 euro ndërsa nuk ka ndryshuar nga viti 2011.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat