Shaip Kamberi kritika të ashpëra Arifit: More pushtetin në Preshevë me puç

Aktuale

Shaip Kamberi kritika të ashpëra Arifit: More pushtetin në Preshevë me puç

Më: 14 prill 2022 Në ora: 00:43
Shaip Kamberi

Politikani shqiptar Shaip Kamberi ka komentuar ngjarjet deri në rrëzimin e Ardita Sinanit nga pozita e kryetares së Preshevës dhe marrjen e këtij posti nga Shqiprim Arifi.

Ky i fundit, sipas tij, e bëri këtë me anë të puçit.

Megjithatë, siç thotë Kamberi, Shqiprim Arifi dhe Sami Salihu morën padinjitetshëm dhe turpërisht karriget e pushtetit e aty, humbën popullin.

Krejt kjo, vazhdon ai, pa dëgjuar Tiranën dhe Prishtinën.

Reagimi i plotë:

Prej se kur zyrtarizuan listën e tyre për zgjedhje parlamentare, Shqiprim Arifi dhe Sami Salihu më akuzonin mua se isha shkaktari i mosunitetit në Luginë, në emër të kinse “Mosrespektimit të Marrëveshjes së Tiranës 2020”.

Por, unë, siç isha në Tiranë më 2020, isha edhe në Prishtinë më 2021.

Tash, ata nuk erdhën. Shqiprimi Arifi asnjëherë. E dikur as Sami Salihu.

Nuk përfillen Tiranën dhe Prishtinën. Madje sot deklarojnë se nuk kanë nevojë me i dëgjuar, se vendosin vet.

E logjikshme. E pritshme.

Sepse nuk ishin te Tirana dhe Prishtina.

Tash, vetëm është kristalizuar pasqyra. Po reflekton prej aeroplanit.

Shqiprim Arifi dhe Sami Salihu nuk dëshiruan Tiranën dhe Prishtinën, sepse prishej realizimi i planit të tyre të dakorduar paraprakisht.

Ai plan ishte tashmë në realizim e sipër. Paralelisht aktrohej uniteti i synuar. Se tinëzisë i duhet farsa për ta maskuar.

Qëllimi i planit: Zëvëndësimi i politikës sonë me një politikë më të përshtatshme në emër të shqiptarëve.

Kjo edhe në parlament, edhe në komuna. Në dy faza.

Arritën me eliminuar nga parlamenti politikën tonë (megjithëse u mbështet bindshëm me rreth 10.000 vota) duke e pamundësuar listën e përbashkët zgjedhore shqiptare, në emër të parimit të përfaqësimit. Por, në parlament nuk arritën me zëvëndësuar me politikë më të përshtatshme. Nuk i deshi populli. Vetëm 3000 vota!

Me vulën e humbësve dhe përfaqësuesve të padëshiruar nga shqiptarët vazhduan realizimin e planit në Komunën e Preshevës. Për t’u dukur fitues. Me puç. Sërish pa vota të popullit. Sërish pa dëgjuar Tiranën dhe Prishtinën.

Morrën padinjitetshëm dhe turpërisht karriget e pushtetit. Por edhe aty, humbën popullin.

Janë sot pushtet i etabluar nga lartë. Me tjetërsim të vullnetit të marrë nga poshtë. Me kontrabandim mandati kuvendari. Prandaj edhe gjithë ky mllef ndaj tyre. Prandaj edhe frikësohen nga zgjedhjet.

Ky është fati i pushteteve të tilla. I politikanëve të tillë.

Nga bunkeri ku kanë bërë planet e tyre larg syve të qytetarëve përfundojnë në karriget e pushtetit të bunkerizuar nga qytetarët.

Sepse siç e treguan zgjedhjet, siç tregoi takimet te Kryeministri i Republikës së Kosovës, e siç po e tregon mllefi popullor ndaj tyre, ata janë sot të vetmuar dhe të izoluar. Janë anti-popullor. Janë pakica ekstreme e shqiptarëve të Luginës.

Shqiprim Arifi dhe Sami Salihu, të përkohshme kanë karrigat. Të përhershëm kanë emrat në historinë e atyre shqiptarëve që morrën pushtet në Serbi pa përkrahjen e shqiptarëve.

Sado që do të provojnë sa më shumë të mbijetojnë në karriget e pushtetit të grabitur, do të vjen dita kur do të dalin nga oborri i puçit të tyre prej lartë, edhe më turpshëm se si kanë hyrë.

Ne shumica duhet tutje me u organizuar dhe me vazhduar dinjitetshëm politikën tonë.

Mbështetja e sotme masive shqiptare në Luginë, Kosovë, Shqipëri dhe mërgatë për politikën tonë, dëshmon më së miri se ne jemi në rrugën e duhur, në anën e duhur të historisë.

Këtë degradim të politikës shqiptare në Luginë do ta ndalim bashkërisht. Duke e bërë politikën më mirë. Duke e bërë më të bashkuar. Duke e bërë më të përgjegjshme. Duke e bashkërenduar edhe më shumë me Kosovën dhe Shqipërinë.

Për interesin e shqiptarëve.

Për interesin e Luginës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat