Kush i bëri dhe i porositi mbi 100 vrasje seriale të shqiptarëve të Kosovës!? / Dik Marti?!

Aktuale

Kush i bëri dhe i porositi mbi 100 vrasje seriale të shqiptarëve të Kosovës!? / Dik Marti?!

Idriz Morina Nga Idriz Morina Më 14 prill 2022 Në ora: 11:33
Foto ilustrim: Disa nga ata që u vranë për motive politike, në mesin e tyre dy gazetarë të "Bota sot", Bardhyl Ajeti e Bekim Kastrati

Dik Marti me ngjarjen që e zbuloi për jetën e tij së fundmi tani për tani ajo nuk mund të kanalizohet si një përpjekje për të shfajësuar të akuzuarit në Hagë, dhe të tjerët që potencialisht mund të akuzohen.

Dik Marti njoftoi javën e kaluar, se ka gati dy vite që jeton në ankth nën mbrojtjen e jashtëzakonshme të ushtrisë elite zvicerane dhe të inteligjencës së këtij shteti, sepse Serbia e ka shënuar në mesin e të vdekurve, dhe ka urdhëruar vrasjen e tij, dhe pas aktit t’i fajësojë shqiptarët!

I vetmi ‘drejtim’, i këtij mesazhi, deri më tani, është goditja e Serbisë dhe Shërbimit Sekret Serb - BIA, se ai është përpjekur të vrasë, një prej personaliteteve që goditën në një mënyrë shqiptarët apo imazhin e luftës së shqiptarëve, për pastrimin e të cilit siç kanë vlerësuar dhe teoritizuar, por edhe praktikuar miqtë tanë amerikan, është bërë gjykata speciale, Dhomat e Specializuara me seli në Hagë.

Ne ende nuk e dimë të vërtetën e plotë për ‘mesazhin’ e zbulimit të kërcënimit me ekzekutim nga shteti serb, sepse nuk kemi informacion të sublimuar.

Image
Foto ilustrim: Dik Marti dhe Hashim Thaçi

Kush janë autorët?

Të shtyrë nga interesat personale, klanore dhe grupore, për shkak të mungesës së lirisë së kokave të klanit, nuk mund ta riinterpretojmë mesazhin, që na e dha pa kode, pa nën kode, por si thuhet, ‘cullak’, vetë Dik Marti apo ata që qëndrojnë pas tij, dhe pse e zgjodhën këtë kohë?

Kush janë autorët, zyrtarët e hartimit dhe miratimit të planit të ekzekutimit të Dik Martit? Ndoshta janë autoritetet më të larta shtetërore të Serbisë?! Dhe vërtetë dikush prej tyre e ka urdhëruar këtë vrasje!

Duke u përpjekur që ta zhvendosin mesazhin me çdo kusht te raporti që çoi në krijimin e gjykatës speciale, ndoshta ju për momentin po e mbroni Serbinë me dallgët e pluhurit dhe zhurmave të krijuara nga interpretimi juaj, aspak gjakftohtë dhe i pa mbështetur në dije shkencore dhe metodologji.

Përpjekjet e tilla, si të njerëzve të afërt në politikë të Thaçit dhe në media, janë hapur të motivuara nga interesat rrethanore dhe nga objekti i qëllimit të tyre, që është goditja e gjykatës speciale dhe më përtej, goditjes së institucioneve, se kinse u zbulua rrjeti Marti-Serbi, një dakordancë për të dëmtuar shqiptarët.

Këto interpretime deri tani, janë interesa subjektive, dhe nuk kanë mbështetje në argumente, që lidhen me rastin, lajmin për kërcënimin me vrasje-ekzekutim nga Serbia të ish-raportuesit të Këshillit të Evropës, i cili pat hartuar një raport që gjerësisht është kritikuar në të gjitha mënyrat nga shqiptarët.

Për të arritur ata në përfundimin e tyre, duhet të sigurohen provat se Marti ishte pjesë e shërbimeve apo u pagua nga shërbimet serbe apo ruse! Deri atëherë duhet të presim, dhe të mos ngufasim një proces hetimor, që duket se ka nisur!

Shteti serb fajtor

Pra, mesazhi-porosia për ta ekzekutuar nga Serbia Dik Martin, denoton qartësisht se shteti serb është fajtor, se ai duhet hetuar dhe ndëshkuar për porosinë skandaloze.

Por, shumë shqiptarë, politikanë, disa media, disa gazetarë po e bëjnë të kundërtën, në vend se ta shfrytëzojnë këtë mesazh të qartë që diplomacia shqiptare (dhe ne të tjerët me aq sa mundemi) ta fajësojë Serbinë, për ta mbërthyer para botës si një shtet destruktiv e kriminal, që në vazhdimësi ka kryer krime, jo vetëm ndaj shqiptarëve, në atdheun e tyre, por edhe në diasporë dhe jo në pak raste kanë vrarë zyrtarë të lartë shtetesh, si deputeten dhe ministren e Punëve të Jashtme të Suedisë Anna Lindh (2003), një avokate e njohur, dhe tani tentuan edhe një personalitet zviceran.

Ndoshta Marti ishte i bazuar në shkallën e lartë të neutralitetit politik, nga mund të jetë motivuar atëherë të merrte përsipër raportimin për viktimat dhe mënyrën e vrasjes së tyre, nga pala shqiptare. Megjithatë gjykata speciale nuk u themelua për të hetuar pretendimin kryesor të Raportit Marti, ‘heqjen e organeve të viktimave dhe trafikimin e tyre’, përkundrazi ky depozitim u hoq nga hetimi i prokurorit amerikan Williamson, dhe ju shtuan drejtësisht dhe qartësisht, vrasjet politike të shqiptarëve!

Por, edhe ky rrafsh kërkimi na nxjerr jashtë objektivitetit të analizës, siç argumentuam më parë.

Politika, institucionet, mediat duhet ta shfrytëzojnë këtë ngjarje, për ta paraqitur imazhin e vrugnuar të Serbisë para botës, si një shtet që kryen dhe porosit ekzekutime personalitetesh edhe në shtetet me sigurinë më të lartë, siç është Zvicra.

Në këtë argumentim, ne duhet të kërkojmë ndëshkim për shtetin serb, dhe të lëmë për një çast interesat e tjera. Nëse më vonë argumentohen pretendimet e grupit e klanit që ndodhet në Hagë, atëherë mund të fillohen e kërkohen veprime të tjera.

Prandaj, ata që përshpejtojnë ta ridrejtojnë ‘mesazhin’ Marti, për qëllime të tyre, në momentin aktual, më së paku mund të thuhet se është nguti, dhe një përpjekje, që siç ka ndodhur deri më tani, e pasuksesshme dhe e panevojshme, përveç se që lexohet si detyrim i palëve dhe individëve të lidhur me krimin.

Vrasjet politike dhe pasioni për krimin

Para se njerëz si Buzhala dhe të tjerë të akuzojnë duke blasfemuar ata që kërkojnë ndëshkimin për vrasjet politike të atyre që ndodhen në Hagë, që në fakt janë argumentues të krimeve politike të shkaktuara nga ai klan (në Hagë), duhet të japin përgjigje, se pse nuk u zbardhën vrasjet politike për 23 vjet, dhe nëse gjykata e Hagës nuk i zbardh vrasjet politike, kush do të mund ta kryente këtë mision?!

Image
Koloneli Ahmet Krasniqi në mes, koloneli Tahir Zemaj dhe ushtarakja e policia e vrarë Sebehate Tolaj

Nëse gjykata speciale nuk i kryen këto gjykime për vrasjet politike, ku dhe kur duhet të mbajnë shpresë shqiptarët për drejtësi ndoshta për rreth 100 vrasje politike, e disa zyrtarë në LDK thonë rreth 200?!

I tërë perëndimi u ngrit në këmbë për masakrën në Reçak me rreth 45 shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe, dhe më pas ndodhi Rambujeja!

I tërë Perëndimi u ngrit në këmbë për masakrën ruse në Buqa, po atje ende nuk janë zbuluar më shumë se rreth 400 të vrarë, e nuk kishte asnjë gjeneral apo kolonel ushtrie të vrarë, por ne i kemi dy kolonel të vrarë, dhe madje njërin në detyrë, në selinë e tij, ministrin e Mbrojtjes, Ahmet Krasniqin;

Në Buqa, nuk kishte asnjë të djegur pasi ishte vrarë (të djegur nga armët e ndaluara po), ne pas luftës, pa luftë, e kemi një avokat të djegur, Shaban Manajn.

Atje nuk ka asnjë shkrimtar të shquar ukrainas të plagosur, ne e kemi Sabri Hamitin.

Të paktën pesë gazetarë të vrarë këtu, në Buqa asnjë!

Pra, ata i vrau Rusia dhe bota u ngrit në këmbë, këta i vranë dhe plagosën shqiptarët, dhe kush duhet të ngritet në këmbë?!

Ju po doni të thoni se 100 vrasje të vrarë në një kohë të shkurtër, shkaktojnë më shumë dhembje se 100 vrasje të kryera në kohë të ndryshme!

Nëse porositësit janë të njëjtë ku po e gjeni dallimin!?

Ju doni ta mohoni me çdo kusht drejtësinë për vrasjet politike

... Ju po mendoni se drejtësia nuk duhet të veprojë fare, që as shoqëria dhe as pasardhësit, por edhe paraardhësit e viktimave, kurrë të mos e kuptojnë të vërtetën... dhe mediat e gazetarët profesionistë të abdikojnë nga roli i tyre!

Ju doni ashtu siç dëshironte të ndodhte me Projektligjin për Amnistinë të hartuar nga qeveria Thaçi, pastaj të kërkuar e promovuar me ngulm nga Baton Haxhiu pak muaj para arrestimit të presidentit në detyrë-Thaçit nga gjykata speciale në Hagë, për themelimin e të cilës me çdo kusht ngulmoi vetë ai.

Ai deshi të shkonte vetë si president në Hagë, dhe ta komprometonte shtetin e Kosovës, institucionet, edhe më, para bashkësisë ndërkombëtare, sipas modelit antishtetëror e antinjerëzor të narcistëve se nëse vdes vet, asgjë mos mbet mbi këtë botë (plastë kiameti), pavarësisht që zyrtarë ndërkombëtarë, miq të Kosovës, dhe autor si unë, i kërkonim dorëheqjen para se të vinte dita të shkonte në gjykatë.

Ju harroni se zbardhja e vrasjeve, veçmas e atyre politike, është në imanencën e vetë drejtësisë, deshëm apo nuk deshëm ne të tjerët në mesin e turmës apo kudo ndodhemi. Madje shqiptarët e kanë thënien e famshme: Gjaku nuk humb kurrë! Tautologji e jetës, dhe formulë e pashkruar e drejtësisë perëndimore.

Ende Perëndimi e kërkon autorin e vërtetë të “Gjek Kasapit”, vrasësit serial më të famshëm dhe më makabër! Po kush i kreu dhe i porositi këto mbi 100 vrasje seriale të shqiptarëve të Kosovës!?

Pra, Berat mos e fsheh pasionin tënd për inkriminim, dhe falje të krimit, sepse ti ndoshta thellë në ndërgjegje ishe i detyruar ta bësh këtë.

Ne nuk po flasim për ata që ishin të komprometuar në luftë apo para saj, por kryesisht për ata, që kapën armët dhe udhëhoqën luftën jo vetëm njësoj me ata idhujt tuaj, Hashimi dhe Kadria që ndodhen në Hagë, por luftuan triumfalisht në Loxhë, e veçmas në Koshare, dhe për ata që e mbështetën Rugovën dhe institucionet e Republikës!

Për ata shqiptarë që ndërtuan po guximshëm një shtet e një sistem paralel, dhe krijuan e mbrojtën identitetin tonë shtetëror, pa të cilin nuk do të ishim këtu sot, të pavarur!

Po, tjetra si po mendoni ju që ne të pranohemi në Europë nga europianët, në BE, në NATO..., me këtë nivel të mohimit të drejtësisë për tjetrin dhe të tjerët, ndërkohë, që kjo duhet të ndodhë (mohimi), sipas jush, sepse ju duhet t’i gëzoni pa fund dhe t’i shtoni pasuritë tuaja, shumë prej të cilave i keni fituar krejtësisht jashtëligjshëm, si dhuratë për mbrojtjen, fshehjen dhe mohimin e krimit!

Image
Katër nga udhëheqësit e UÇK-së që janë të arrestuar nga gjykata speciale, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat