Krasniqi: S’mund të thotë askush nëse Dehari është vrarë apo vetëvrarë pa ekspertizë

Aktuale

Krasniqi: S’mund të thotë askush nëse Dehari është vrarë apo vetëvrarë pa ekspertizë

Më: 14 prill 2022 Në ora: 19:19
Frashër Krasniqi

Anëtari i PSD-së, Frashër Krasniqi, ka folur rreth ekspertizës së institutit zviceran për rastin e ish-aktivistit të VV-së, Astrit Dehari, i cili vdiq më 5 nëntor 2016 në rrethana ende të paqarta në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Krasniqi tha se nuk ia kanë pasur borxh Astrit Deharit që ta përdorin atë për motive politike, teksa tha se për 78 ditë sa Dehari e aktivistët e tjerë të VV-së kanë qenë në paraburgim, tash kryeministri i vendit Albin Kurti, s’e ka bërë asnjë deklaratë për ta.

“Kur jemi arrestuar bashkë me Astritin e aktivistët tjerë më 30 gusht 2016, deri më 5 nëntor jemi duke folur për 78 ditë nuk e kemi asnjë deklaratë as të Albin Kurti as Albulena Haxhiut e madje askujt në Vetëvendosje, përveç Dardan Molliqjat e Visar Ymerit në mbrojtje të aktivistëve”.

“Gjatë kësaj periudhe nuk gjendet asnjë deklaratë ku Albin Kurti flet për padrejtësinë e arrestimeve që iu ka bërë aktivistëve të VV-së në rastin politik kundër nesh”, është shprehur Krasniqi.

Ai tha se për mbajtjen në burg të Astrit Deharit, Albin Kurti e Albulena Haxhiu, s’kanë guxuar të flasin deri në momentin që ai [Astrit Dehari], është bërë i përdorshëm politikisht, teksa shtoi se Kurti kundër vendimit të kryesisë së VV-së ka thënë se “Astrit Dehari është vrarë”.

“Ne kemi thënë se mbajtja në burg e Astritit ka qenë e pajustifikueshme dhe ai ka vdekur brenda institucioneve që është dashur që ta kenë në përgjegjësi. Kjo ka qenë akuza dhe vendimi i VV-së se “kështu deklarojmë ne””.

“Tjetër është kur Albin Kurti krye në vete ka dalë të nesërmen e mbledhjes së kryesisë ku është vendosur se na nuk themi se a ka qenë vrasje apo vetëvrasje, por ka qenë e padrejtë mbajtja e tij në burg, sepse këtë informacion e kemi pasur ne, s’kemi pasur ekspertiza se a ka qenë vrasje apo vetëvrasje, ndërsa Albin Kurti del të nesërmen e thotë se e kanë vrarë Astritin, sepse kështu i duhet Astriti”, është shprehur Krasniqi.

Krasniqi thotë se askush nuk mund të dal e të thotë se nëse Astrit Dehari është vrarë apo vetëvrarë pa pasur ekspertizë.

“Askush s’mund ta konsiderojë vrasje apo vetëvrasje pa pasur ekspertizë, pa e ditë mirë situatën. Nuk mund të dalë Albin Kurti të nesërmen e të thotë se është vrasje, sepse nuk ka informacion për këtë punë. Kjo pastaj bëhet për arsye të keqpërdorimit politik”, ka thënë Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat