“Katrahura” në raportimin e Rozeta Hajdarit, përmendet rasti i drogës e qiraja mijëra euro e pianos

Aktuale

“Katrahura” në raportimin e Rozeta Hajdarit, përmendet rasti i drogës e qiraja mijëra euro e pianos

Më: 19 prill 2022 Në ora: 07:22 Përditësuar në ora: 11:22 më 19.04.2022
Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti

“Katrahura” në raportimin e Rozeta Hajdarit, përmendet rasti i drogës e qiraja mijëra euro e pianos

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka raportuar në Komisionin për Ekonomi. Por, gjatë raportimit në lidhje me Projektin e konkurrueshmërisë dhe gatishmërisë për eksport-CERP, me huamarrje nga Banka Botërore pati edhe tensione mes anëtarëve të Vetëvendosjes dhe kryetarit të këtij komisioni, Ferat Shalës nga PDK.

Shala kritikoi ministren Hajdari se janë shkelur të gjitha kriteret e kërkuara për projektin e konkurrueshmërisë, dhe sipas tij përfitues të këtyre mjeteve janë kompani ndërtimore dhe këshilluese.

Po ashtu ai ngrehi edhe një shqetësim, se sekretari i kësaj ministrie është përfitues për shkollim në AUK.

Në lidhje me “Projektin e Konkurrueshmërisë dhe Gatishmërisë për Eksport-CERP huamarrje nga Banka Botërore” pati edhe tensione mes anëtarëve të LVV dhe kryetarit të këtij komisioni, Ferat Shalës nga PDK, anëtarëve Pal Lekaj nga AAK dhe Valentina Bunjaku nga LDK.

Mbledhja është ndërprerë pas tensioneve mes anëtarëve të komisionit dhe ministes Hajdari.

Debati mes tyre është përcjellë me ndërprerje të fjalëve nga njëri-tjetri.

Për pianon 4 mijë euroshe që u mor me qera në Dubai, e u pagua nga buxheti i Kosovës, u ngrit debat i ashpër në komisionin për Financa ku po raporton ministre Rozeta Hajdari.

‘’Mos na shitni pallavra këtu ju ministrat. Keni bërë shkelje flagrante të marrëveshjes ndërkombëtare që është ratifiku në Kuvend’’, i tha Pal Lekaj ministre Hajdarit.

’Po më vjen keq për gjitha këto aludiume, të cilat dalin tek një eksport i pianos, që s’ka lidhje fare me buxhetin ndërkombëtar’’, u përgjigj Hajdari.

‘’Qysh s’ka lidhje”, tha Lekaj.

‘’Unë s’kam paguar pianon me paratë e huasë së bankës botërore. Ato pare janë nga buxheti i vitit 2021, dhe pjesa tjetër nga buxheti i vitit 2022″.

‘’Mos na i përsërit 100 mijë herë, këtu me lexu’’, tha Lekaj.

Deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku, kritikoi anëtarët e komisionit parlamentar – anëtar të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet – për përmendjen e rastit të kapjes me drogë në veturë të ish-sekretarit të Ministrisë së Tregtisë, Burim Rreci.

“Është marre me u përmend vjedhja e telefonave, me u përmend droga dhe thjeshtë me u deviju gjithçka në këtë mbledhje. Nuk është në rregull kjo”, tha ajo.

Mimoza Kusari-Lila përmendi paraprakisht gjatë diskutimit rastin e kapjes me 50 kilogramë marihuanë të ish-sekretarit Rreci.

Përplasje në Komisionin për Ekonomi

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka raportuar këtë të martë para deputetëve anëtarë të Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, lidhur me gjendjen dhe administrimin e rezervave shtetërore të mallrave si dhe lidhur me “Projektin e Konkurrueshmërisë dhe Gatishmërisë për Eksport-CERP huamarrje nga Banka Botërore”.

Gjatë kësaj mbledhje të komisionit, deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka pyetur ministren për një mori çështjesh, ndër të tjerash edhe për disa trajnim që kishin të bënin me njërin nga zyrtarët e ministrisë.

E në deklarim e sipër, ministrja Hajdari tha se “ka marrë shumë shantazhe nga mediat”.

Nuk dihet se për çfarë saktësisht fliste ministrja, pasi që nuk e sqaroi por ajo tha se këto “shantazhe”, kishin të bënin me trajnime e edukime.

“Po marr shantazhe nga mediat, jo trajnimi, jo edukimi e të tjera.Nuk janë nënshkruar marrëveshjet në hotelin e lartcekur, por ka qenë një tjetër.Ne kemi trashëguar një ministri ku nuk kemi vend për mbi 130 persona.”, tha ministrja Hajdari.

Mbledhja e Komisionit për Ekonomi është duke vazhduar ku po diskutohen për disa pika të rendit të ditës.

E pas përfundimit të fjalës nga ministrja Hajdari, nga deputetët e tjerë pati ankesa se deputeti Shala nuk ua dha fjalën e as mundësinë që të parashtrojnë pyetje gjatë gjithë mbledhjes.

E deputetja e VV-së, Mimoza Kusari-Lila tha se Shala po tenton të denigrojë personalitetin e Sekretarit të Përgjithshëm i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, i cili është staf civil.

“Ekziston procesverbali dhe incizimi. Pyetje gjithnjë i kishi me tendenca, a keni shku a keni bë? Normal që ministria nuk ka vend për mbi 130 persona që vinë të nënshkruajnë. Ka deviju kjo mbledhje.”, tha Kusari-Lila.

​Ministrja Hajdari raporton në Komisionin për Ekonomi

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari do të raportojë këtë të martë para deputetëve anëtarë të Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti.

Ministrja Hajdari do të raportojë lidhur me gjendjen dhe administrimin e rezervave shtetërore të mallrave; si dhe lidhur me “Projektin e Konkurrueshmërisë dhe Gatishmërisë për Eksport-CERP huamarrje nga Banka Botërore”.

Komisioni pritet të mblidhet në ora 9:00.

Rendi i ditës:

1. Miratimi i rendit të ditës;

2. Miratimi i procesverbalit nga mbledhja e mbajtur më datë 12.04.2022;

3. Shqyrtimi i Raportit me rekomandime për Projektligjin nr.08/L-056 për mbrojtjen e konkurrencës;

4. Caktimi i ekspertit për hartimin e nismës legjislative “Projektligji për kriptovaluta”;

5. Raportimi i ministres së industrisë, ndërmarrësisë dhe tregtisë, znj.Rozeta Hajdari, lidhur me gjendjen dhe administrimin e rezervave shtetërore të mallrave; si dhe lidhur me “Projektin e Konkurrueshmërisë dhe Gatishmërisë për Eksport-CERP huamarrje nga Banka Botërore”;

6. Të ndryshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat