​Kurti e Kandiq diskutojnë për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë

Aktuale

​Kurti e Kandiq diskutojnë për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë

Më: 20 prill 2022 Në ora: 18:13
Albin Kurti ka pritur sot në takim Natasha Kandiq

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim aktivisten e të drejtave të njeriut dhe drejtoreshën e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq me të cilën ka biseduar mbi çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Kurti me këtë rast ritheksoi qasjen serioze të Qeverisë së Kosovës për personat e zhdukur në luftë, duke potencuar se është e rëndësishme që duke punuar me mekanizmat vendorë e ndërkombëtarë, të bëhet më shumë për të mbyllur plagët e hapura.

Ndërsa për tryezën e sotme të drejtuar nga kryetarja e Komisionit parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, u theksua se është organizuar pa koordinim paraprak me Zyrën e Kryeministrit, Zyrën e Presidentes dhe kryetarit të Kuvendit, gjë që ka pamundësuar praninë e tre udhëheqësve të këtyre institucioneve në tryezë.

Kryeministri Kurti bëri të ditur se do të takojë përfaqësuesit e familjarëve të të zhdukurve gjatë luftës, për të biseduar për çështjen e të zhdukurve, që është prioritet për Qeverinë e Kosovës.

Në takim u bisedua për 27 prillin, kur Kosova shënon Ditën e të Pagjeturve në nderim të viktimave të masakrës në Mejë dhe gjithë personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Ndryshe, në Kosovë ende nuk është zbardhur fati i rreth 1.600 personave të cilët janë zhdukur në luftën e vitit 1998-99. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat