“Kasapët e Ballkanit” përplasin Kosovën dhe Serbinë në KS të OKB-së – tensione SHBA-Rusi

Aktuale

“Kasapët e Ballkanit” përplasin Kosovën dhe Serbinë në KS të OKB-së – tensione SHBA-Rusi

Më: 20 prill 2022 Në ora: 21:49 Përditësuar në ora: 23:57 më 20.04.2022
Donika Gërvalla i drejtohet mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Donika Gërvalla përmend edhe rastin e Dick Martyt në KS të OKB-së

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka përmendur kërcënimin me jetë që i është bërë senatorit zviceran Dick Marty nga shërbimi sekret serb. Ajo i është përgjigjur deklaratave të ministrit të jashtëm serb, Nikolla Selakoviq, në KS të OKB-së, që tha se serbët në Kosovë “po rrezikohen”.

Gërvalla iu përgjigj duke thënë se këto janë deklarata të rremë të njëjta me ato të Millosheviqit e që krijoi pretekste për ndërhyrje në shtete tjera.

“Ministri i jashtëm jo vetëm që po mundohet të falsifikojë faktet, por edhe të krijojë një perceptim sikur Millosheviqi. Ai mundua të krijojë një perceptim sikur serbët janë në rrezik dhe duhet ndërhyrja ushtarake për t’i mbrojtur. Kemi pasur raste të tilla. Kemi rastin “Panda” në Pejë ku faji iu la UÇK-së për vite të tëra, ndërkohë që ishin serbët që vritën serbët. Më lejoni të flasë për Dick Martyn. Ai akuzoi për krime përfaqësues kosovar që kanë kryer krime lufte gjatë luftës dhe pas saj. I njëjti zotëri Dick Marty iu tha mediave ditëve të fundit se policia zvicerane iu afrua dhe i ofroi sigurinë më të mëdha për shkak se intelegjenca serbe deshi ta vrasë dhe t’ia lë fajin Kosovës. Janë fjalët e Policisë Zvicerane e jo të Kosovës. Është traditë e lashtë dhe shumë e rrezikshme. Sic e shohim edhe në Ukrainë kur njerëzit thonë se kemi njerëz në rrezik, e që ata nuk janë. Por kjo bëhet vetëm për përfitime politike”, tha ajo.

Gërvalla tutje tha se Kosova ka një ndër kushtetutat më moderne në Europë që u lejon minoriteteve të drejta dhe përfaqësim në institucione. Ajo kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar të reagojë për atë që po ndodh në Ballkan tani.

 “Nuk është për qytetarët serbë në Kosovë, pasi ata mbrohen nga një kushtetutë shumë moderne të krijuar më 2008. Jam krenare që them se kemi një ndër kushtetuat më moderne në Europë që u jep minoriteteve përfaqësim në të gjitha nivelet dhe institucionet. Nuk është për serbët por për Serbinë dhe qëllimet e tyre politike që ta largojnë shtetin e Kosovës. Por ne jemi aty dhe do të jemi aty. Kemi treguar se demokracia dhe liritë janë fundamentet tona. Nëse shihni shtetet tjera të Ballkanit perëndimor, kemi 90% aprovim të qytetarëve për anëtarësim në BE dhe më shumë se 90% në NATO. Iu apeloj që e dimë se lufta në |Urkainë iu merr kohën që keni, por ajo që po ndodh tani në Ballkan dhe jo më 1999, të dërgoni mesazhin e duhur. Është shumë e madhe që të injoroni atë që po ndodh tani”, shtoi ajo.

SHBA: Kosova dhe Serbia të angazhohen në dialog

Shtetet e Bashkuara e Amerikës i kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, ndërsa ka bërë thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së që t’i jap fund misionit të UNMIK-ut në Kosovë.

Zëvendës ambasadori amerikan në OKB, Richard Mills, tha se ruajtja e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor mbetet me rëndësi jetike. Ai tha se Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara që të nxisin një shoqëri prospurese shumetnike që mirëmban e ruan dhe respektuan e të drejtat njeriut.

Ne i inkurajojmë të dyja palët që të angazhohen në mënyrë energjike në të gjitha aspektet e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian për të gjetur zgjidhje për çështjet e mbetura, të zbatohet marrëveshjet ekzistuese dhe të bëjnë përparim konkret drejt normalizimit të marrëdhënieve me njohje të ndërsjellë”, tha Mills.

Mills tha se Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të rifillojnë bashkëpunimin për personat e pagjetur.

Gjithashtu, Mills u shpreh që misioni i UNMIK-ut duhet të përfundojë pasi tashmë është i panevojshëm në Kosovë.

“Mbetet po aq e qartë që ka qenë ndonjëherë, UNMIK e ka përmbushur misionin e vet që prej mandatit të përcaktuar në vitin 1999, e përgëzojmë punën, mirëpo misioni paqeruajtës në Kosovë është absolutisht është i panevojshëm, është koha të rekrutojmë frekuencën e këtyre raportimeve në një herë në vit, UNMIK ka pas rol në ditët e hershme të stabilizimit në Kosovë por që e ka tejkaluar ekzistencën e vet, Këshilli duhet ta drejtojë mundin e vet në çështje të tjera, pra i bëjmë thirrje Këshillit që ta përfundojë mandatin e UNMIK dhe t’i lejojë OKB të marrë një rol më efektiv në Kosovë ne dobi edhe të gjithë rajonit”, tha ai.

Mills i reagoi edhe përfaqësueses së Rusisë në këtë Këshill e cila akuzoi NATO-n për shkelje të të drejtave por që deklaroi se pamjet nga Bucha nuk i japin të drejtë të flasë për të drejta të njeriut.

Selakoviq-Gërvallës: Kasapët e vërtetë të Ballkanit janë Thaçi dhe Veseli

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikola Selakoviq ka replikuar me ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Ai në kundërpërgjigje i ka thënë Gërvallës se kasapët e vërtetë të Ballkanit janë Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.

“Në vend që të fliste për problemet reale në terren, ajo po fliste për dëshirat e saj politike. Po fliste për kasapët e Ballkanit, por kasapët e vërtetë janë ish-presidenti i të ahsutquajturës Kosovë, Hashim Thaçi dhe ish-kryetari i kuvendit të ashtuquajturës Kosovë, Kadri Veseli. Që të dy janë në Hagë në paraburgim në Gjykatën Speciale të formuar nga Prishtina për krimet e UÇK”, është shprehur Selakoviq.

“Serbia është shtet i pavarur dhe sovran me qëllime të pavarura politike. Akuzat ndaj Serbisë që është dorë e zgjatur e dikujt janë mungesë respekti për OKB. Serbia është shtyllë e stabilitetit në rajon”.

Përfaqësuesi amerikan: UNMIK-u duhet ta përfundojë misionin në Kosovë

Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka marrë fjalën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku UNIKU-u po raporton për Kosovën. Përfaqësuesi amerikan ka thënë se UNMIK-u duhet ta përfundojë misionin në Kosovë.

Ruajtja e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor mbetet gjë kritike, ka thënë ai.

“Misioni paqeruajtës në Kosovë është i panevojshëm, është koha që këto raportime të reduktohen në njëherë në vit. UNMIK-u e ka tejkaluar ekzistencën e vet. I bëjmë edhe një herë thirrje këshillit që ta përfundojë mandatin e UNMIK-ut dhe t’i lejojë OKB-së që të marr një rol tjetër”, tha ai.

Poashtu, SHBA ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që t’i përkushtohen dialogut në Bruksel për t’i zgjidhur problemet që i kanë.

“Dialogu i ndërmjetësuar nga BE mbetet mënyra më e mirë drejt përparimit. E mbështesim planin e BE-së për t’i thirrur liderët e dy shteteve për ta vazhduar dialogun. I bëjmë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të vazhdojnë punën për të pagjeturit. Kanë arritur rezultatet të prekshme deri tani”, ka thënë ai.

Amerika i reagon Rusisë në mbledhje të Këshillit të Sigurimit: Nuk mund të na mbani ligjërata

Përfaqësuesi i SHBA-së në KS të OKB-së ka filluar fjalimin e tij për mandatin e UNMIK-ut në Kosovë duke përgënjeshtuar disa fjalë të delegacionit rus.

Përfaqësuesja ruse filloi fjalimin e saj duke përmendur bombardimet e NATO-s në Kosovë dhe duke thënë se ato janë bërë me uranium të varfëruar dhe ka krijuar radiacion. SHBA reagoi duke thënë se këto fjalë janë gënjeshtra dhe se për fat të keq po duhet shpesh që të ketë ndërhyrje ndaj fjalimeve ruse në takime ndërkombëtare për shkak të lajmeve të rreme që shpërndajnë.

“Është mbledhja e parë për UNMIK-un prej ndërhyrjes brutale të Rusisë në Ukrainë. Stabiliteti i Ballkanit Perëndimor mbetet i rëndësisë së veçantë. Duhet ti përgjigjemi delegacionit rus. Filloi me informacione të rreme që i presim fatkeqësisht nga delegacioni rus këto ditë, që përdori termin uranium i varfëruar dhe radiacion. Nuk dua të marrë kohë për këto informacione të rreme. Por i kemi parë live pamjet nga Bucha e Mariupol që nuk besoj se mund t’i shohë asnjë rus. Të jesh nga delegacion i një shteti që ka krijuar këto pamje nuk besoj se mund të mbajë dikush ligjërata për të drejtat e njeriut”, tha ai.

Tutje ai tha se misioni i UNMIK-ut është përmbushur dhe se Kosova nuk ka më domosdoshmëri për të.

Shqipëria kërkon nga OKB-ja largimin e misionit të UNMIK-ut nga Kosova

Përfaqësuesi i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Ferit Hoxha, ka folur për arritjet e Kosovës gjatë viteve të fundit.

Në fjalën e tij në mbledhjen e KS-së ku po diskutohet për Kosovën, ai ka thënë se OKB-ja duhet të rishikojë misionin e UNMIK-ut në Kosovë, pasi që ajo nuk ka çfarë shërben më atje.

“Tashmë kemi të bëjmë me një demokraci të plotë. Që nga viti 1999, UNMIK-u e ka shoqëruar Kosovën gjatë rrugës drejtë së ardhmes. Por, pas Pavarësisë së Kosovës dhe legjitimitetit të konfirmuar nga GjND-ja, përgjegjësitë e UNMIK-ut dalë ngadalë kanë kaluar në institucionet e vendit. Tashmë kemi ardhur në një moment që të shohim realitetin dhe përparimin e Kosovës. UNMIK-u aktualisht nuk ka asnjë rol thelbësor në Kosovë, pasi që sundimi i Ligjit është përgjegjësi e policisë, KFOR-it dhe EULEX-it atje. Sistemi i gjyqësorit gjithashtu është i konsoliduar. Situata në Kosovë pra nuk është çështje e paqes dhe sigurisë. Kur flasim për paqeruajtjen në Kosovë, kjo nuk ka kuptim tani. Ky mision (UNMIK-u), kushton mbi 40 milionë dollarë në vit, andaj kërkoj që të rishikohet edhe një herë ky mision. Duhet të ketë rishikim nga ana e OKB-së dhe ndërprerja e këtij misioni në Kosovë”, ka thënë Hoxha.

Megjithatë, ai ka thënë se puna e UNMIK-ut deri më tani në Kosovë është për tu lavdëruar, por se e sheh të pakuptimtë vazhdimin e këtij misioni atje, duke marrë parasysh se sipas Hoxhës “misionet e OKB-së janë për të kryer një mision dhe ky mision në Kosovë ka mbaruar”.

Në fjalën e tij, Hoxha ka thënë se duhet më shumë përqendrim të palëve në dialog dhe të ketë proces produktiv dhe jo pa rezultate.

Hoxha ka thënë se Pavarësia e Kosovës është një realitet që duhet të pranohet edhe nga Serbia dhe të gjitha vendet që nuk e njohin Kosovën, pasi që vetëm në këtë mënyrë mund të ecet përpara.

“Ne i dimë të gjitha gjenocidet e krimet që janë kryer në rajon me shpërbërjen e Jugosllavisë. Millosheviqi ka përfunduar në burg, ai nuk është tash, andaj duhet t’i lëmë pas këto çështje, ta pranojmë realitetin dhe të vazhdojmë përpara”, ka thënë Hoxha.

Ai ka thënë se qytetarët e Kosovës kanë vendosur të jenë të pavarur qysh nga viti 2008, andaj ky realitet duhet të pranohet nga të gjithë.“Pavarësia e Kosovës është realitet që nga viti 2008 dhe nuk është çështje diskutimi askund, e as këtu. Ka qenë çështje diskutimi për kosovarët dhe ata kanë vendosur të jenë të pavarur”, ka thënë Hoxha.

Në fjalën e tij, Hoxha ka përgëzuar edhe një herë Kosovën që mbështeti Ukrainën dhe u rreshtua në anën e Perëndimit, ndërsa ka thënë se Rusia është duke përdorur ende aleatët e saj në Ballkan për të destabilizuar këtë rajon.

Gërvalla: Aleksandar Vuçiq në kohën e gjenocidit ka qenë ministër i Millosheviqit për propagandë

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, në fjalën e saj në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku po diskutohet për vendin tonë ka tërhequr vëmendjen ndaj përpëjkjeve, siç tha ajo, të Rusisë dhe Serbisë për të destabilizuar Ballkanin, e veçanërisht Kosovën.

Duke përmendur sulmet e fundit ndaj zyrtarëve policorë në veri të vendit, Gërvalla u shpreh se ato vijnë nga territori serb dhe kjo nuk mund të bëhet pa dijeninë e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Ekipet tona të policisë etnikisht të përziera po sulmohen në kufi me armë, gurë, granata e gjithçka tjetër. Fatmirësisht nuk kemi ende asnjë të lënduar. [...] Sulmet po vijnë nga territori serb dhe nuk do të ishin të mundura po mos t’i lejonte Vuçiq. Serbia dhe Rusia vazhdojnë të jenë kërcënimi më i madh ndaj paqes në rajon. Nëse nuk e mbyllim Kutinë e Pandorës të hapur nga Dodik, Putin e Vuçiq, Ballkani mund të bëhet përsëri vend i errët”, tha Gërvalla.

Duke u ndalur te presidenti serb, ajo kujtoi se i njëjti ka shërbyer si ministër në kohën e Millosheviqit, i cili është përgjegjës për disa luftëra në Ballkan.

“Është me rëndësi të përmendet se në atë kohë, presidenti i tanishëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në kohën e gjenocidit ka qenë ministër i Millosheviqit për propagandë. Ashtu si në Bosnje edhe në Kosovë nuk ka qenë luftë por ka qenë fushatë shfarosëse, ashtu si po bënë edhe sot Putini në Ukrainë. Ne nuk do t’i harrojmë ato krime, e as bota nuk bën t’i harrojë”, vijoi Gërvalla.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Gërvalla, u shpreh se “Serbia vazhdon të mbetet satelit i Rusisë dhe për këtë shkak Ballkani vazhdon të mbetet jostabil”.

“Pavarësia e Kosovës ka lindur nga gjenocidi i kryer nga Serbia. Kosova ka rezistuar një kohë të gjatë, derisa jemi detyruar t’i mbrojmë familjet tona dhe në fund erdhi NATO na shpëtoi. Ky gjenocid ka treguar se drejtësia gjithmonë triumfon”, tha Gërvalla.

Në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, ku po shqyrtohet raporti i rregullt gjashtëmujor për Kosovën i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Gërvalla foli edhe për rolin e UNMIK-ut.

“UNMIK-u nuk ka më rol në jetën e qytetarëve tonë. Kosova si shtet sovran i përmbush detyrat ndaj qytetarëve tanë. Jemi të kënaqur që kemi zgjeruar raportet e mira ndërshtetërore në gjithë globin. Shumica e shteteve të BE-së e OKB-së njohin vendin tanë”, tha ajo.

Rusia flet për ambiciet e Kosovës për t’u anëtarësuar në NATO

Përfaqësuesja e Rusisë në Këshillin e Sigurimit ku po mbahet seanca për Kosovën ka folur me shqetësim për ambiciet e Kosovës për t’u anëtarësuar në NATO, për të cilat tha se Prishtina po kërkon integrim të përshpejtuar në NATO, për të kërkuar zbarkimin e një baze ushtarake në rajon.

Përfaqësuesja e Rusisë thotë se ideja që të krijohet një ushtri e plotë në Kosovë është në kundërshtim të plotë me rezolutën 1244.

“Jemi shumë të alarmuar nga përpjekjet e vazhdueshme që nga shkurti ku kryeministri dhe rrjeti i tij që ta minojë situatën në rajon, duke e përshkallëzuar retorikën anti serbe dhe duke e ftuar perëndimin qe ta marrë Kosovën nën mbrojtjen e saj dhe ta mbrojë nga kërcënimet e pretenduara që qëndrojnë mbi të.

Prishtina ka filluar të kërkojë integrim të përshpejtuar në NATO për të kërkuar zbarkimin e një baze ushtarake në rajon. Kjo vije si ide që të krijohet një ushtri e plotë në Kosovë e që është në kundërshtim të plote me rezolutën 1244 dhe janë në rrezik që të përshkallëzojnë tensionet”, tha ajo.

Tutje ajo shtoi se në këto kohë, Brukseli e as Uashingtoni nuk janë në pozitë që të ushtrojnë ndikim mbi Prishtinën.

“Në këtë kohë, as Brukseli e as Uashingtoni nuk janë në pozitë që të ushtrojnë ndikim domethënës mbi Prishtinën, bile edhe kritikat e ashprave ndaj Kosovës për dështimin e tyre që të jenë në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut që së fundi I kanë zbatuar, edhe kjo nuk ka sjell kurrfarë rezultati dhe qartazi kësi lloj vrojtime janë të pamjaftueshme.

Nuk janë ndërmarrë kurrfarë hapa të prekshëm dhe kjo e ka sjellur dialogun në një ndërprerje të plotë dhe kjo qon Brukselin drejt diskreditimi përmes përpjekjeve mediatikeve dhe kjo është për fat të keq duke e pasur parasysh përshkallëzimin e tensioneve në krahinë, dhe këto mund të përshkallëzohen në tërë Evropën, kërcënimet siç janë të natyrës terroriste e ekonomike”, tha ajo, sipas përkthimit të transmetuesit publik.

Përfaqësuesja e Rusisë tha se pozita e Rusisë mbetet e pandryshuar, ku baza për zgjedhjen e Kosovës dhe Serbisë mbetet në rezolutën 1244.

“Pra në fillim dëshirojmë të nënvizojmë. Pozita e Rusisë mbetet e pandryshuar. Rezoluta 1244 mbetet baza për zgjedhjen e kësaj çështjeje. Ne kërkojmë nga Prishtina dhe Beogradi të arrijnë një zgjidhje në bazë të Rezolutës. Dëshirojmë të kujtojmë kolegët tanë se ky mars shënon përvjetorin e bombardimeve të NATO’s mbi Serbinë, ku mijëra civilë janë zhdukur. Qindra objekte mes tyre, spitale shkolla e monumente. UÇK’ja është zgjedhur si aleati në terren dhe krime të shumta të UÇK mbeten të pandëshkuara. Vrasje dhe trafikim organesh njerëzore. Tani jemi në 2022 dhe ende po presim që nga Gjykata Speciale të ketë hetime të drejta dhe dënime meritore. Përpjekjet e Prishtinës janë që të kundërshtojnë proceset gjyqësore dhe ta bindin bashkësinë ndërkombëtare që ajo nuk po kryen punë”, tha ajo.

Shefja e UNMIK-ut: Prishtina dhe Beogradi të angazhohen më aktivisht në dialog

Në fjalimin e saj të parë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së si Përfaqësuese Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP) dhe Shefe e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, iu bëri thirrje Prishtinës dhe Beogradit të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe më aktive në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Përderisa ky proces ka arritur rezultate domethënëse për çështje të ndryshme praktike, deri më tani, normalizimi gjithëpërfshirës i marrëdhënieve në mes të dy palëve vazhdon të jetë i paarritshëm”, Ziadeh në shënimin e 9-vjetorit të Marrëveshjes së Parë të Parimeve për Normalizimin e Marrëdhënieve.

“Pajtimi dhe adresimi i shqetësimeve nga e kaluara duhet të shërbejnë për përforcimin e përpjekjeve për arritjen e qëllimeve të rëndësishme strategjike,” shtoi ajo.

Duke përmendur gjendjen në Ukrainë dhe ndikimin e saj të vazhdueshëm në sigurinë dhe ekonominë në Evropë, Ziadeh ritheksoi se qëndrueshmëria e institucioneve demokratike në mbarë Ballkanin është faktor kyç për një Evropë të sigurtë dhe demokratike.

Ajo tha që edhe para këtyre zhvillimeve, ekonomia e Kosovës kishte pësuar goditje, duke theksuar ndikimin e pandemisë COVID-19 në mirëqenien e rajonit. “Në këtë kontekst, bëhet edhe më urgjente gjetja e mënyrave praktike të bashkëpunimit ekonomik në mes Beogradit, Prishtinës dhe të gjithë fqinjëve në rajon”, vijoi Ziadeh.

Shefja e UNMIK-ut përshëndeti procesin e zgjedhjeve në Serbi, për të cilin tha se përkrahjen nga të dyja palët, 19,000 serbë të Kosovës votuan në qendra të veçanta të votimit në Serbi, edhe pse, nuk u arrit zgjidhja për t’iu mundësuar pjesëmarrje në Kosovë.

Pas raportimeve të kohëve të fundit për sulme kundër Policisë së Kosovës, ajo bëri thirrje për dënim të përbashkët dhe veprime të shpejta për t’i sjellë përgjegjësit e këtyre veprimeve para drejtësisë. Ajo po ashtu inkurajoi Prishtinën dhe Beogradin të gjejnë zgjidhje të përhershme për targat dhe energjinë.

Në rrethanat aktuale aq të ndërlikuara, Ziadeh u bëri thirrje udhëheqësve që të jenë të matur në veprimet dhe retorikën e tyre politike.

Ziadeh po ashtu theksoi se UNMIK-u nuk është as pengesë as forcë shtytëse për rezultatin përfundimtar të preferuar nga njëra apo pala tjetër. Ajo shpjegoi se misioni e vazhdon trashëgiminë e përkrahjes institucionale, duke punuar në sinergji me familjen e agjencive, fondeve dhe programeve të OKB-së, për të siguruar kushte për një jetë paqësore dhe normale për të gjithë banorët e Kosovës.

“UNMIK-u vazhdon të mbetet qendër e njohurive, përvojave dhe ekspertizave relevante … duke përkrahur një shoqëri aktive civile, promovuar masa të reja për ta ndihmuar Kosovën në forcimin e rendit dhe ligjit, duke kontribuar në fuqizimin e grave dhe rinisë, duke ofruar ekspertizë dhe përkrahje për mekanizmat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut: të gjitha këto do të mbeten prioritete kryesore”, u shpreh Ziadeh.

Serbia e luan “viktimën” në KS: Aksionet e policisë në Kosovë po frikësojnë serbët

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikolla Selakoviq, ka folur në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku po diskutohet për Kosovën.

Në fjalën e tij, Selakoviq ka deklaruar se Qeveria e Kosovës po vështirëson jetesën e qytetarëve serbë në Kosovë, duke përmendur këtu edhe pamundësimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

Ai ka thënë se me këto veprime, institucionet në Kosovë kanë treguar edhe një herë diskriminim ndaj qytetarëve të etnisë serbe.

Selakoviq ka përmendur edhe aksionet e Policisë së Kosovës në veri të vendit, duke ekzagjeruar aksionin e policisë dhe duke akuzuar institucionet e Kosovës se po i frikësojnë qytetarët serbë.

“Policia speciale ka zbarkuar me automjete të blinduara duke konfiskuar targa në veri të vendit, por që qëllimi shihet se ka qenë frikësimi i qytetarëve serbë në Kosovë. Normalisht, reagimi i qytetarëve ka qenë i revoltuar. Ka pasur rast kur edhe një qytetar është plagosur me plumb në shpinë”, ka thënë Selakoviq.

Ai ka përmendur edhe arrestimin e disa zyrtarëve në Komunën e Shtërpcës, përfshirë edhe ish-kryetarin e kësaj komune, lidhur me dyshimet për marrje e ryshfetit, dhënie e ryshfetit dhe keqpërdorim i detyrës zyrtare.

“Kjo po përçon mesazhe të qarta tek qytetarët që bazohen në urrejtje e frikë, siç është pamundësimi i votës, gjë që mund të ndikojë që serbët të zhduken fare nga Kosova”, ka deklaruar ai.

Selakoviq ka thënë se ka dorëzuar edhe një dokument në Këshillin e Sigurimit ku ka përmendur “incidentet” në Kosovë që po ndikojnë në jetët e qytetarëve serbë atje, duke vazhduar kështu që të luajë rolin e viktimës në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat