Lumezi deklarohet për herë të parë për skandalin “më të madh të pasluftës”

Aktuale

Lumezi deklarohet për herë të parë për skandalin “më të madh të pasluftës”

Më: 21 prill 2022 Në ora: 18:08
Aleksandër Lumezi

Ish-kryeprokurori i shteti, Aleksandër Lumezi, është deklaruar për herë të parë për skandalin më të madh të pasluftës i njohur si “Syri i Popullit”.

Ai një ditë para se t’i përfundonte mandati ka deklaruar se nëse agjentët e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës kanë dëshmuar me identitet të ndërruar në rastin “Syri i Popullit” me vendim të drejtorit, mund të ketë qenë e ligjshme.

Lumezi ka thënë se nuk e di nëse prokurori i rastit ka qenë në dijeni për këtë, por që sipas tij kjo mund të jetë bërë për mbrojtje të personave që punojnë në shërbimin informativ.

“Unë nuk di nëse prokurori i rastit që e ka hetuar këtë rast e ka ditur që AKI-ja ka ndërruar identitetin e dëshmitarëve. Nëse e ka ditur dhe nëse kjo është bërë për të mbrojtur konfidencialitetin dhe për mbrojtjen e personave që punonjnë në shërbimin informativ të Kosovës me vendim të drejtorit, unë mendoj që është e ligjshme”, ka thënë Lumezi.

Tutje ish-kryeprokurori i Kosovës tha se nëse ky rast ka qenë i kundërligjshëm, mund të ketë bazë për procedurë penale.

“Unë besoj që gjykatësit i kanë treguar por, edhe ky rast është në shqyrtim në gjykatë, në shkallë të parë, duhet të presim vendimin dhe nëse thotë se kjo ka qenë e kundërligjshme atëherë krijohet bazë për procedura penale ndaj dikujt”, shtoi tutje Lumezi.

Hulumtimi i publikuar është cilësuar si skandali më i madh i pasluftës në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Kështu kishte deklaruar avokati Arianit Koci pas publikimit të këtij hulumtimi.

“Gjyqësinë, sigurinë dhe inteligjencën e kam fah. Kam shumë informacione. Prandaj, nëse ky lajm është i vërtetë – e deri tash nuk ka reaguar askush zyrtarisht – lirisht mund të them që Vehbi Kajtazi me portalin Paparaci, e ka zbuluar skandallin më të madh në Kosovën e pasluftës”, ishte shprehur ai.

Një hulumtim i publikuar në muajin nëntor, zbuloi përfshirjen e dy agjentëve të AKI-së në dhënien e deklaratave të rrejshme në procesin gjyqësor ndaj anëtarëve të organizatës së ashtuquajtur “Syri i Popullit”.

Sipas shkrimit hulumtues të mediumit Paparaci, ish-prokurori special, Sylë Hoxha në një marrëveshje gojore në janar të vitit 2018 me ish-drejtorin e AKI-së, Driton Gashi, kanë përfshirë dy agjentë në këtë skandal. Sylë Hoxha dhe Driton Gashi ishin marrë vesh gojarisht që AKI t’i pajisë me identitete të rrejshme dy zyrtarët të cilët kishin vëzhguar Sadri Ramabajën në restaurantin Panorama në Zllatar më datë 11 mars 2017.

Me ato identitete ishin prezantuar në gjykatë si dy qytetarë të thjeshtë – njëri cigareshitës, e tjetri i papunë. Në janar të vitit 2018, ata kishin dëshmuar rrejshëm kundër Ramabajës dhe të tjerëve në rastin gjyqësor të ashtuquajtur “Syri i Popullit”.

Këto dëshmi mbi të cilat është mbështetur aktakuza janë përdorur më vonë nga ish-presidenti Thaçi për ta akuzuar kryeministrin aktual, Albin Kurti dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca për lidhje me terrorizmin, përkatësisht organizatën “Syri i Popullit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat