Fetoshi: Anëtarësimi i Kosovës në NATO mesazh i qartë politik me pengesa të patejkalueshme

Aktuale

Fetoshi: Anëtarësimi i Kosovës në NATO mesazh i qartë politik me pengesa të patejkalueshme

Më: 21 prill 2022 Në ora: 21:53
FSK

Deklarata e dhënë sot nga senatori amerikan, Chris Murphy, sipas profesorit universitar, Arben Fetoshi, shpreh angazhimin e vazhdueshëm të SHBA-ve për ruajtjen e paqes në rajon

Sipas tij, anëtarësimi i Kosovës në NATO është një mesazh i qartë politik me pengesa të patejkalueshme.

“Është angazhim i vazhdueshëm i SHBA-ve për të dëshmuar përkujdesjen e tyre sa i përket mbajtjes së paqes në rajonin tonë të brishtë. E në këtë kuadër deklaratën e senatorit Murphy për anëtarësimin e Kosovës në NATO jam i prirur ta shikoj dhe besoj që edhe institucionet tona do të duhej ta shohin në këtë kontekst, do të thotë si mesazh të qartë politik por që ka para vetes pengesa të patejkalueshme”, u shpreh Fetoshi.

Mirëpo, Fetoshi mendon se e rëndësishme për Kosovën do të ishte që SHBA-të dhe aleatët e tjerë të NATO-s të heqin kufizimet sa i përket sigurisë, me qëllim që Kosova të rrisë potencialet e veta mbrojtëse.

“Në këtë kuadër mendoj që ajo çka do të ishte shumë e rëndësishme për ne, për angazhimin tonë për tu konsoliduar brenda ombrellës së sigurisë që përfaqëson aleanca veriatlantike, lidhet me përpjekjet e institucioneve tona si hap i parë që t’i kërkojmë SHBA-ve dhe aleatëve të tjerë të NATO-s heqjen e kufizimeve sa i përket zhvillimit të kapaciteteve të forcës tonë të sigurisë me qëllim që Kosova të përgatitet të rrisë potencialet e veta mbrojtëse”, deklaroi Fetoshi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat