​Peci për sulmet në veri: Serbia do të vazhdojë me çdo kusht ta eskalojë situatën

Aktuale

​Peci për sulmet në veri: Serbia do të vazhdojë me çdo kusht ta eskalojë situatën

Më: 26 prill 2022 Në ora: 16:16
Foto ilustrim

Sulmet ndaj Policisë së Kosovës janë vazhdimësi e planeve të Serbisë për të provokuar situatën në veri të vendit.

Kështu thotë, drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci, sipas të cilit serbët janë duke e provokuar situatën në veri, që pastaj të vazhdojnë me hapa të mëtutjeshëm të eskalimit të situatës në këtë pjesë të vendit. 

Peci thotë për KP se sulme si ky i sotmi ndaj policëve në Zupç të Zubin Potokut, nuk do të ndalen derisa Serbia të marrë një mesazh të fortë nga Perëndimi se nuk mund të vazhdojë në këtë formë. 

Ish-ambasadori përjashton mundësinë që sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit të kenë karakter ndëretnik. Derisa thekson se Serbia do t’i përdorë të gjithë mekanizmat e luftës hibride për të shkaktuar trazira, derisa nuk e merr hapin vendimtar për tu shkëputur nga Rusia, që sipas tij, vështirë se do të ndodhë. 

Peci: Serbia po provokon situatën në veri

“Unë nuk mendoj që këto janë incidente ndëretnike. Kjo është pjesë e një lufte hibride të cilën Serbia është duke e bërë ndaj Kosovës. Ata janë duke e provokuar situatën në veri, që pastaj të vazhdojnë me hapa të mëtutjeshëm të eskalimit të situatës në këtë pjesë të vendit, pikërisht në këtë kohë kur është duke u bërë presion i madh për rifillimin e negociatave për arritjen e një zgjidhjeje, e cila duhet të jetë e fokusuar në njohjen reciproke. Mendoj se ky është qëllimi kyç i Serbisë. Ata nuk do të ndalen derisa të marrin një mesazh të fortë nga Perëndimi se nuk mund të vazhdojnë në këtë formë. Ata do të vazhdojnë me çdo kusht të eskalojnë situatën, në këtë formë të një lufte hibride ndaj Kosovës”, thotë ai. 

Ai tërheq vërejtjen se provokime të tilla janë të rrezikshme, pasi situata mund të kalojë në një dimension tjetër, rrjedhat e të cilës vështirë se mund të parashikohen.

Peci: Shpresoj të mos ketë viktima në njerëz, përndryshe situata mund të marrë rrjedha të papashikueshme 

“Kjo është e rrezikshme shumë, sepse unë shpresoj që në asnjë formë nuk do të ketë viktima në njerëz. Sepse, nëse vjen deri te diçka më e madhe, atëherë ne kalojmë në një dimension tjetër të situatës në veri, për të cilën nuk mund ta parashikoj se çfarë rrjedha mund të marrë”, thekson ai. 

Sulmi i sotëm ndaj një njësie patrulluese të Policisë së Kosovës derisa automjeti i tyre po qarkullonte nga Mitrovica në drejtim të kufirit të Bërnjakut është i gjashti me radhë i kësaj natyre. Para disa ditëve janë sulmuar edhe njësi të tjera policore në veri të vendit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat