Ambasada gjerman dënon sulmin ndaj Policisë në Veri

Aktuale

Ambasada gjerman dënon sulmin ndaj Policisë në Veri

Më: 26 prill 2022 Në ora: 20:52
Jorn Rohde

Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë Jorn Rohde ka dënuar sulmin e sotëm ndaj Policisë së Kosovës në veri.

Një njësi patrulluese e Policisë së Kosovës është sulmuar sërish mëngjesin e sotëm me armë zjarri derisa automjeti i tyre po qarkullonte nga Mitrovica në drejtim të kufirit të Bërnjakut. Ngjarja ka ndodhur në Zupçe të Zubin Potokut, dhe fatmirësisht, përveç dëmeve materiale, nuk kishte policë të lënduar.

“Ne e dënojmë sulmin e pestë të neveritshëm ndaj Policisë së Kosovës brenda vetëm disa javësh. Mbështetje e plotë për autoritetet e zbatimit të ligjit të Kosovës për të sjellë autorët para drejtësisë”, ka shkruar diplomati gjerman në Twitter.

Ndryshe, zëdhënësi i policisë për rajonin e veriut, Branisllav Radoviq, ka bërë të ditur për KosovaPress se incidenti ka ndodhur në orët e mëngjesit në rajonin e Zubin Potokut, duke thënë se nuk i di detajet.

“Deri tash nuk kemi ndonjë të arrestuar, por po punojmë në zbardhjen sa më të shpejtë të këtij rasti”, ka thënë ai.

Përgjatë magjistrales Mitrovicë-Bërnjak, sot gjatë ditës situata vazhdon të jetë e qetë, ndërsa janë vërejtur forca të shtuara të Njësiteve Speciale të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat