I vështirësohet lirimi Pjetër Shalës nga Gjykata Speciale - arsyeja kryesor është dëshmitari kryesor!

Aktuale

I vështirësohet lirimi Pjetër Shalës nga Gjykata Speciale - arsyeja kryesor është dëshmitari kryesor!

Më: 27 prill 2022 Në ora: 16:55
Pjetër Shala

Pjetër Shala, në luftë i njohur me nofkën komandant “Ujku” është njëri nga ish-pjesëtarët e UÇK-së që aktualisht po gjykohet për krime lufte në Dhomat e Specializuara të Gjykatës në Hagë.

Që nga arrestimi i tij në mars të 2021-ës, Shalës i janë refuzuar të gjitha kërkesat për mbrojtje në liri, që do të çonin në lirimin e tij nga paraburgimi.

E në kërkesën e fundit të bërë nga Shala, Prokuroria ka argumentuar se pse sipas saj komandant “Ujkut” nuk duhet t’i mundësohet lirimi nga paraburgimi.

Në njërën nga pikat, Prokuroria përmend faktin se Shalës së shpejti do t’i bëhet i ditur identiteti i personit që sipas organit të akuzës vërteton përfshirjen dhe rolin e tij në kryerjen e krimeve që pretenduara në aktakuzë.

“Faktorë relevantë shtesë në këtë drejtim janë depozitimi i Dokumentit Paragjyqësor të Prokurorisë dhe dokumenteve të tjera të Rregullës 95(4), të cilat i ofruan të Akuzuarit më shumë detaje, në lidhje me provat kundër tij dhe burimet e tyre, dhe përfundimisht do të çojnë në një proces progresiv në heqjen e masave mbrojtëse të dhëna për dëshmitarët në këtë rast.  Për më tepër, i Akuzuari së shpejti do të njihet me identitetin [I REDAKTUAR], i cili vërteton përfshirjen dhe rolin e tij të rëndësishëm në kryerjen e krimeve të akuzuara në këtë rast”, thuhet në një shkresë të Prokurorisë.

Ndryshe, Pjetër Shala është i arrestuari i fundit nga Prokuroria e Specializuar e Hagës.

Ditëve të fundit ka pasur raportime se mund të ketë edhe arrestime të reja nga Specialja, mirëpo që të njëjtat kanë mbetur vetëm në nivelin e spekulimeve mediatike.

Aktit të arrestimit fillimisht dhe ligjërisht në bazë të punës së deritanishme të Gjykatës Speciale duhet t’i prijë një fletëarrest i lëshuar nga gjykatësi paraprak. Ky i fundit, caktohet në rastet kur ka një aktakuzë ndaj ndonjë individi. Pra, arrestimet nga Specialja deri tani kanë ndodhur pas konfirmimit të një aktakuze.

Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Herën e fundit kur një gjyqtar paraprak u caktua të merret me një çështje/aktakuzë, ishte rasti i Nasim Haradinajt e Hysni Gucatit, e të cilët nuk akuzohen për krime lufte, por për vepra penale që ndërlidhen me administrimin e drejtësisë.

Këtë e kanë konfirmuar edhe nga zyra për informim e Gjykatës Speciale.

“Vendimi i fundit publik i Kryetarit të Dhomave të Specializuara për caktimin e gjyqtarit të procedurës paraprake është vendimi i datës 29 tetor për caktimin e gjyqtarit të procedurës paraprake në rastin e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Speciale.

Neni 39, pikat 3 dhe 4 të Ligjit për Dhomat e Specializuara specifikojnë edhe modalitetet ligjore të arrestimit.

“Me kërkesë të Prokurorit të Specializuar, gjyqtari i procedurës paraprake mund të lëshojë urdhërarrestim apo fletarrestim dhe të urdhërojë transferimin e personave në Dhomat e specializuara, si dhe çfarëdo urdhri tjetër që mund të kërkohet për zhvillimin e hetimeve dhe për përgatitjen e shqyrtimit gjyqësor të drejtë dhe të shpejtë, përfshirë urdhrat që kanë të bëjnë me mundësinë e veçantë hetimore dhe masat e posaçme hetimore”, thuhet në pikën 3 të nenit 39.

“Në zbatim të urdhërarrestit ose fletarrestimit të lëshuar nga Dhomat e specializuara, personi kundër të cilit është konfirmuar aktakuza merret në ndalim (nëse nuk është në paraburgim), informohet menjëherë për akuzat kundër tij dhe transferohet në Dhomat e Specializuara. Nëse nuk është lëshuar fletarrestimi dhe nëse është në liri, i akuzuari thirret për t’u paraqitur personalisht ose përmes videolidhjes në shqyrtimin fillestar para Dhomave të Specializuara”, thuhet në pikën 4 të nenit 39 të Ligjit për Dhomat e Specializuara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat