Kosova ndaloi eksportin e miellit, drithërave, vajit, sheqerit e kripës, MINT tregon se kur mund të tërhiqet ky vendim

Aktuale

Kosova ndaloi eksportin e miellit, drithërave, vajit, sheqerit e kripës, MINT tregon se kur mund të tërhiqet ky vendim

Më: 27 prill 2022 Në ora: 22:43
Foto ilustrim

Tashmë janë bërë dy javë që nga dita kur Qeveria e Kosovës mori vendim për ndalimin e përkohshëm të eksportit dhe rieksportit të disa produkteve themelore agro-ushqimore.

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, pati prezantuar propozimi-vendimin i cili edhe u miratua.

“Sado i vogël të jetë eksporti dhe rieskporti mund të rrezikojë furnizimin e Kosovës në të ardhmen. Pas diskutimeve edhe me Doganën e Kosovës, kemi marrë vendim që për të lehtësuar gjendjen të bëjmë ndalimin e përkohshëm të eksportit dhe rieksportit të disa produkteve themelore agroushqimore.”, pati deklaruar ministrja Hajdari.

Vendimi i propozuar ndalon eksportin e drithërave, miellit, vajit ushqimor, sheqerit dhe kripës.

Lidhur me këtë vendim, media ka kontaktuar ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Nga ministria u tha se vendimi për ndalimin e eksportit dhe rieksportit të produkteve bazë siç janë: Mielli, drithërat, vaji ushqimor, sheqeri dhe kripa është vetëm i përkohshëm dhe si i tillë nuk parashihet se sa do të zgjasë.

“Vendimi parashihet të jetë i përkohshëm. Pasi që vendimi është i tillë, kur të vlerësohet se situata është stabilizuar, do të përfundojë edhe ndalimi i përkohshëm i eksportit dhe rieksportit.”, u tha në përgjigjen e MINT-it.

Po ashtu nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është theksuar se Kosova vazhdon që eksportin më të madh ta ketë në vendet e rajonit.

Shteti ynë vazhdon të eksportojë produktet bazë kryesisht në: Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Serbi.

“Produktet bazë kryesisht eksportohen në vendet e rajonit, Shqipëri, Maqedoni dhe Serbi etj. në vlerë prej 1.3 milion euro.”, u tha nga MINT-i.

Ndryshe vendimi i Qeverisë së Kosovës për të ndaluar eksportin u mor pas një serie zhvillimesh në botë. Pas sulmeve agresive të Rusisë në Ukrainë, jo vetëm tek ne por në thuajse gjithë Evropën dhe më gjerë situata ekonomike, politike e sociale ndryshoi thuajse rrënjësisht.

Përpos Kosovës, vendimin për ndalimin e eksportit e morën thuajse të gjitha vendet e rajonit.

Për shkak të “frikës” së përkeqësimit të situatës dhe mbetjes pa produktet e nevojshme agro-ushiqmore, qeveritë vendosën që prodhimet të cilat i posedojnë t’i ruajnë më tepër për qytetarët e vetë në mënyrë që të mos shtohet rreziku i mungesës së tyre.

Derisa situata në Ukrainë ende vazhdon të jetë thuajse e njëjtë, eksporti vazhdon të jetë i ndaluar, deri në marrjen e një vendimi tjetër që nuk do të dëmtonte ekonominë e asnjë vendi.

Për shkak të sulmeve të vazhdueshme të Rusisë ndaj Ukrainës, shumica e shteteve të botës vendosën sanksione ndaj Rusisë. Kësisoj mos-marrja e produkteve të nevojshme të cilat ndër vite janë marrë nga Ukraina, si dhe vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë ndikoi edhe në shtrenjtimin e çmimeve në thuajse gjithçka për të cilën kanë nevojë njerëzit.

Por çmime ekstreme janë vërejtur më së tepërmi në derivate. Për rreth dy muaj, si në Kosovë, por edhe më larg çmimet e derivateve janë thuajse të “paimagjinueshme”, e shpesh herë edhe dëmtuese për xhepin e çdo qytetari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat