​Instituti për të Vërtetën prezantoi videot dhe fletëpalosjet për komplekset memoriale në Reçak dhe Gradishë

Aktuale

​Instituti për të Vërtetën prezantoi videot dhe fletëpalosjet për komplekset memoriale në Reçak dhe Gradishë

Më: 29 prill 2022 Në ora: 15:31
Foto nga takimi

Instituti për të Vërtetën, Drejtësinë dhe Paqen ka bërë publikimin e videove dhe fletëpalosjeve për Kompleksin Memorial në Gradishë të Rahovecit dhe Kompleksin Memorial në Reçak të Shtimes, si pjesë e projektit “Promovimi i trashëgimisë historike dhe kulturore të fund shekullit XX - Komplekset Memoriale” të përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Republikës së Kosovës.

Blerim Krasniqi, nga Instituti për të Vërtetën, Drejtësinë dhe Paqen, në një konferencë për medie të premten, tha se qëllimi i këtij projekti është informimi për komplekset memoriale dhe mirëmbajtja e tyre nga institucionet vendore.

Krasniqi: Qëllimi është informimi dhe mirëmbajtja e komplekseve memoriale

“Qëllimi fisnik i ekipit të institutit është i fokusuar në informim të komplekseve memoriale që gjenden në Kosovë dhe të nxisë institucionet e Kosovës në mirëmbajtjen e tyre. Pasi, ato të jenë të vizitueshme gjatë gjithë vitit dhe të ketë informata të bollshme...Instituti për të Vërtetën, Drejtësinë dhe Paqen në kuadër të këtij projekti do të prezantojë para qytetarëve kompleksin Memorial në Reçak, Shtime dhe Gradishë, Rahovec. Në kuadër të këtij projekti Instituti ka përgatitur dhe publikuar dy fletëpalosje për dy komplekset veç e veç që do ti jepen komunave për t’i shpërndarë falas në hyrje të komplekseve”, tha ai.

Ai kërkoi nga qytetarët që komplekset memoriale të vizitohen, pasi të njëjtat edhe janë hapësira të zonave me interes të veçantë dhe përfshihen si objekte të trashëgimisë kulturore.

Krasniqi: Komplekset memoriale duhet të vizitohen

“Është me rëndësi të theksohet se komplekset memoriale janë hapësira të zonave me interes të veçantë të cilat në kuadër të tyre, përveç memorialëve shërbejnë si qendra përkujtimore për personalitete apo ngjarje të caktuara historike, përfshijnë edhe objekte të tjera të trashëgimisë kulturore të cilat duhet të vizitohet për t’i kujtuar këto personalitete që u sakrifikuan për liri dhe shtet ndërtim”, shtoi ai.

Iniciativat e tilla i mirëpriti edhe Drejtori i Agjencisë për Komplekset Memoriale, Bislim Zogaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat