Mustafa flet për takimin Kurti-Vuçiq-Scholz: Rrethanat e dialogut tani janë më të vështira shkaku i Rusisë

Aktuale

Mustafa flet për takimin Kurti-Vuçiq-Scholz: Rrethanat e dialogut tani janë më të vështira shkaku i Rusisë

Më: 3 maj 2022 Në ora: 20:28
Isa Mustafa

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka ftuar në takim kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti si dhe presidentin serb , Aleksandar Vuçiq.

Takimi në fjalë pritet të zhvillohet pasditen e nesërme. E padyshim se kjo thirrje e kancelarit gjerman ktheu edhe më tepër vëmendjen në drejtim të dialogut, por edhe ndaj Kosovës dhe Serbisë.

Lidhur me këtë, lajmi ka kontaktuar ish-kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa.

Mustafa ka deklaruar se Gjermania në vazhdimësi ka treguar interesim dhe është angazhuar për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

E ftesën e kancelarit Scholz, Mustafa e cilësoi si vazhdimësi të politikës së jashtme gjermane ndaj dialogut.

Ftesën e kancelarit Scholz e kuptoj si vazhdimësi të politikës së jashtme gjermane ndaj dialogut. Por edhe si energji me SHBA-të, për ta lëvizur nga vendnumërimi procesin e dialogut”, deklaroi Mustafa.

Mustafa u shpreh se “tani dialogu, sipas mendimit tim, përkufizohet nga dy veçori të rëndësishme”. Sipas tij veçoria e parë është se agresioni rus në Ukrainë tregoi se paqja nuk është e përhershme dhe se prandaj kërkohet vullnet dhe përgjegjësi për ta parandaluar çdo konflikt potencial.

“Dhe e dyta, se rrethanat e dialogut janë më të vështira se më parë, për shkak të ngjarjeve në Ukrainë dhe interesimit të Perëndimit që ta tërheq Serbinë në anën e vendeve që e përbëjnë koalicionin perëndimor.”, shtoi Mustafa.

Sipas tij, nuk duhet lënë asnjë hapësirë që të përfitojë Rusia në Ballkan nga neglizhenca dhe lokalpatriotizmi i elitës së tanishme shtetërore, prandaj dialogu duhet të zhvillohet dhe të bëhen përpjekje për përmbylljen e tij me njohje reciproke.

Isa Mustafa përpos kësaj, deklaroi se vetëm kjo i jep shans një paqeje të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor.

“Liderët e tanishëm duhet ta kuptojnë se nuk bëhet politika e Kosovës duke u munduar që çdo ditë t’u tregojnë SHBA-ve dhe vendeve të BE-së se sa e rrezikshme dhe e keqe është Serbia dhe Rusia, sepse ata i njohin, por duke marrë guximin dhe kurajon për të tejkaluar mentalitetin e tyre populist, për t’u ulur me Serbinë, për ta përmbyllur një marrëveshje që e ruan sovranitetin shtetëror të Kosovës, por e cila të dy vendeve dhe jo vetëm atyre, iu siguron paqe të qëndrueshme.”, përfundoi Mustafa.

Dita e nesërme do të jetë mjaftë e rëndësishme sa i përket zhvillimeve Kosovë-Serbi. Kjo pasi përpos takimeve të shumta të cilat janë zhvilluar në Bruksel, e që lidhen me marrëveshjet në mes dy vendeve, tanimë fokusi do të përqendrohet edhe në Gjermani, saktësisht në Berlin.

Kancelari Scholz, i cili ka pak kohë i cili është vendosur në postin që për vite drejtoi kancelarja Angela Merkel, siç duket vëmendjen që në fillim e ka kthyer tek zhvillimet në mes Kosovës dhe Serbisë.

Në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi ka kohë që nuk ka patur takime nga krerët e shteteve. Takimet e fundit të zhvilluar në dialog u bënë nga përfaqësuesit shtetërorë, nga Kosova zv/kryeministri Besnik Bislimi si dhe nga pala serbe, Petar Petkoviq, nga e ashtuquajtura Zyra për Kosovën.

Është pikërisht ambasadori gjerman, Jorn Rohde, i cili së fundi ka zbuluar pak nga takimi i nesërm.

Rohde njoftoi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti si dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, do të diskutojnë për dialogun në mes dy vendeve.

Scholz tha se pas takimit, do të ketë një konferencë të përbashkët na Kurti dhe Vuçiq. Kjo konferencë është paraparë të nis në ora 16:00.

“Nesër, kancelari Scholz do të presë kryeministrin Kurti dhe Presidentin Vuçiq në takime të ndara në Berlin. Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, do të ketë konferencë të përbashkët nga ora 16:00.Që të dyja takimet do të fokusohen në koordinime të mëtutjeshme në reagimin ndaj agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, marrëdhëniet politike e ekonomike dhe bashkëpunimin rajonal. Takimi gjithashtu do të shërbejë si mbështetje për dialogun Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga BE-ja.”,deklaroi Scholz.

Ambasadori i Gjermanisë, Rohde tha gjithashtu se në mbështetje të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, kancelari Scholz ka ftuar përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirsolav Lajçak, i cili do të mbajë një takim të përbashkët me kryeministrin Kurti, si dhe presidentin Vuçiq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat