Vrasja e komandant “Mërgimit”, për çka akuzohen Xhavit Haliti dhe Azem Syla? / Letra e Ilirit, UÇK-ja nuk është pronë private

Aktuale

Vrasja e komandant “Mërgimit”, për çka akuzohen Xhavit Haliti dhe Azem Syla? / Letra e Ilirit, UÇK-ja nuk është pronë private

Nga: Idriz Morina Më: 9 maj 2022 Në ora: 13:49
Ilir Konushevci "Mërgimi"

"Dëshiroj që ushtrinë Çlirimtare të Kosovës askush të mos e marrë si pronë private”, ishte mesazhi ndoshta kryesor në letrën që Ilir Konusheci ia dërgonte miqve të tij, më 18.XI.1997, sipas botuesve të letrës.

Pra, që në këtë kohë Ilir Konusheci kishte kuptuar se si disa individ brenda organizimit të UÇK-së, po silleshin me lëvizjen çlirimtare gabueshëm, aq sa kishte tendenca të hapura ta shihnin si pronë, private.

Sipas kësaj letre ai ngre disa dilema shqetësuese dhe të cilave u përgjigjet vet, si për organizimin e luftës guerile në Kosovë, e cila sipas letrës: “bëhet në mënyrë kaotike dhe jo profesionale”.

“Financimi i luftës guerile në Kosovë: “bëhet jo mirë”!

Iliri ankohej se lufta nuk po financohej mirë, përkatësisht se nuk po zgjidhej si duhet financimi, kritika për të cilat edhe është krijuar një version i motivit të ekzekutimit të tij.

Për vrasjen e Ilirit ka disa versione, të botuara, të cilat megjithatë nuk i ndryshojnë të dhënat thelbësore, si vendin, kohën, rrugën që kanë ndjekur, dhe njerëzit që e kanë bërë udhëtimin.

Pista më e dyshimtë për vrasjen e Konushecit, mbetet përplasja për prishjen e tregut të armëve. Ilir Konusheci, i takonte ‘grupimit’ (të pastrukturuar dhe që mund të ndodheshin në çdo grup të vërtetë) që për luftën duhej të jepje gjithçka. Ishin të tjerët, një pakicë e vogël, që luftën e shihnin si shans për fuqi, për pushtet dhe për para.

Image
Homazhet për Ilir Konushevcin dhe Hazir Malajn

Prita

Ilir Konushevci dhe mjeku Hazir Mala u vranë me 9 maj të vitit 1998, në Bajram Curr të Shqipërisë afër fshatit të vogël Miliskaje, në aksin rrugor Qafe Mali-Bajram Curr.

Ata ranë në një pritë, që mendohej se ishte e një bande të armatosur, por që ua mori jetën shefit të logjistikës së UÇK-së Ilir Konushevcit dhe mjekut tropojan Hazir Mala.

Ilir Konushevci, që kishte nofkën e luftës “Mërgimi” ishte njëri nga furnizuesit kryesor me armë të grupeve. Ai njihet se kishte një miqësi të fortë me haklajt, gjë që i mundësonte kalimin e arsenalit luftarak deri në kufi me Kosovën.

Sipas dëshmitarëve të kohës, që ishin pjesë e këtyre ngjarjeve drejtpërdrejt apo indirekt, ish kryeministri i Shqipërisë së asaj kohe, Fatos Nano, nuk e lejonte asnjë qarkullim armësh pa e mbledhur haraçin, akuzë kjo e ngritur nga Ibrahim Kelmendi, ish udhëheqës i LPK-së, dhe njëri prej atyre që me libra dhe shkrime zhvillimet i tregojnë më shumë sipas retrospektivës.

Po, nëse se ende nuk dihet se kush e porositi vrasjen e Ilir Konushecit, të paktën tashmë dihet se kush e ndaloi zbulimin e krimit. Sipas Ibrahim Kelmendit, i cili e fajëson Nanon, se e pengonte luftën duke kërkuar haraç për çdo armatim, ishte po Nano, ai që urdhëroi të mos hetohej vrasja e Konushecit dhe Shalës.

“Pikërisht Nano i ka dhënë urdhër Kryeprokurorit, që të mos hetohet vrasja në pritë që u është bërë Komandantit Ilir Konushevci dhe mjekut Hazir Mala, më 9 maj 1998, nga shoferi i shefit të policisë së Bajram Currit, tropojanit Bislim Demiri...”, shkruan Ibrahim Kelmendi, në një letër publike, të para pak ditëve.

Versioni i Neë York Times-it

Ende vazhdon të mbetet versioni më i besueshëm ai i dhënë nga gazeta amerikan Nju Jork Times, i botuar disa javë pas vrasjes së Ilir Konushecit.

Gazetari David Wallsh në New York Times, në artikullin "Udhëheqësi i UÇK-së urdhëron ekzekutimin e rivalëve, thonë komandantët rebelë", i cili mban datën 29 qershor, Iliri ishte përplasur me Xhavit Halitin, përkatësisht e kishte akuzuar se grupi i tij, po bënte luftë për përfitime nga armët. Kjo akuzë mund të çonte në prishjen e çmimit për shitjen e armatimit. Sipas këtyre burimeve grupi i Thaçit, një kuti granata e blinte me 2 dollarë dhe e shiste gati katërfish më shtrenjtë, 7 dollarë.

“Artikulli i Times raporton se në prill 1998 një komandant rebel që kishte transportuar shumë nga armët e akuzoi Halitin për përfitim. Komandanti akuzoi se krahu i djathtë i Thaçit po blinte kuti me granata për 2 dollarë për copë dhe i paguante lëvizjes 7 dollarë për çdo granatë. Komandanti, Ilir Konushevci, disa ditë më vonë u zu në pritë dhe u vra në një rajon të kontrolluar nga UÇK-ja në veri të Shqipërisë, në një vrasje për të cilën fajësoheshin serbët”.

Për vrasjen e Ilir Konushecit, Xhavit Haliti është akuzuar si porositës i vrasjes edhe nga Murat Jashari, tashmë i ndjerë. Murat Jashari, sipas dëshmisë së tij ka qenë mik me Xhavit Halitin, madje i ka besuar deri vonë gjatë luftës, kur sipas tij kishte filluar të merrte informacione që nuk përputheshin.

Në letra e tij Murat Jashari, e ka botuar një me një listë të gjatë pyetjesh, qindra për Xhavitin, si në pyetjen me numër 90: "90. Më 9 Maj (e shtunë) 1998, a je ti që përgatite vrasjen e Mërgimit, a është kështu? 91. Cili ka qenë Roli i Sokol Bashotës në këto burgosje e vrasje?”

Xhavit Haliti, duke e shmangur çdo përgjegjësi nga vetja, ka deklaruar se vrasje Ilirit ka qenë aksidentale. “Personi i tretë kur ka dalë nga makina ka shti me armë. Këta thonë Iliri ka shti me armë, Iliri nuk ka shti me armë. Ka shti në drejtim të njerëzve të pritjes. Aty është vra vëllau i një me mbiemrin Demiri. Këta e kanë marrë e kanë qu në spital dhe aty ka vdek. Prej aty nuk e di në cilin spital nuk di ku e kanë qu. Edhe kur ka vdek, këta janë kthy mbrapa dhe i kanë gjet Ilirin edhe doktorin tu u kthy mbrapa, edhe i kanë ekzekutu si shenjë hakmarrje. Më vonë vëllaun tjetër Demirin e kanë vra Florim Krasniqi dhe Fatmir Haklaj, cili e kanë ngre gishtin ata e dinë. Me emra them. E kam hetu me mundësitë e mia në detaje”, ka rrëfyer vite më parë në tv, Haliti.

Një version të mënyrës së vrasjes, dhe jo të motiveve apo të porositësve e ka botuar "Zëri i Kosovës”, me titullin "Si u vra Ilir Konushefci, Komandant “Mërgimi”. Sipas këtij rrëfimi dëshmitari e përshkruan kështu vrasjen: “Duke iu afruar me shumë fshatit Fierzë s’kanë pasur më shumë raste dhe i kanë zbritur nga makina duke i shtyrë drejt përroit të Poravës e aty kanë qëlluar barbarisht mbi ta!! Mbaj mend si sot kur kam shkuar në Morgun e Spitalit që Iliri ka pas 18 vrima dhe të gjitha në trup, asnjë në kokë apo këmbë, vetëm edhe dy vrima në krah të majtë. Nga vrimat në bark i dilnin zorrët jashtë. Hazir Mala i ka dalë përpara për ta mbrojtur dhe i ka pas vrimat në të gjithë trupin, ndërsa Iliri më shumë ka pasë vrima në anën e majtë sepse e ka mbrojtur trupi i Hazirit”, ka thënë dëshmitari pa treguar identitetin.

Grupi i vrasësve është eliminuar

Sipas një mediumi që thirret në burime të Shërbimit Informativ të Shqipërisë, emrat e grupit që ia kishte zënë pritën Ilir Konushevcit e Hazir Malës janë: Bislim Demiri, Agim Demiri, Petrit Braha, Isa Kernaja dhe Shkëlzen Kurbala.

Dhe se të gjithë këta kanë gjetur vdekjen në vrasje të ndryshme, përveç Petrit Brahës, i cili u ka mbijetuar plagëve në gjendje të rëndë. Ai ka mbetur i paralizuar dhe jeton në Belgjikë.

Nga të gjithë të vrarët, njëri prej tyre është vrarë në shkëmbim zjarri me Ilir Konushecin dhe doktorin Shala, ndërsa vëllain tjetër e kanë vrarë në shenjë hakmarrje për vrasjen e mikut në besë, familja tropojanë Haklaj.

Ndërsa, të tjerët thuhet se janë vrarë në periudhën 2000-2005, në konfliktet e Tropojës mes familjes Haklaj dhe rivalëve të saj.

Image
Xhavit Haliti

Akuzat e Kelmendit

Një version e ka dhënë edhe ish-miku i tij, Qerim Kelmendi, në një letër publike të vitit 2016. Vetë Qerimi është ekzekutuar disa vjet më parë, në një mënyrë misterioze, afër shtëpisë së tij në fshat, dhe vetura është djegur, së bashku me trupin.

Kelmendi thotë se DOSJA e vrasjes së Ilir Konushevcit dhe dr. Hazir Males është e blinduar në arkivat e Shtetit shqiptarë, sipas tij, “me urdhër të Faos Nanos”.

Ndërsa, flet për luftën ai ju kthehet rastit të vrasjeve të mbetura enigmatike për opinionin. “Normal se ka raste enigmatike dhe tragjike që kanë ndodhur në atë luftë të vështirë, dhe njëri ndër rastet e pandriçuara, që është blombuar dhe blinduar në Dosjet e Shtetit shqiptarë, pa dyshim është rasti i bashkëluftëtarit tonë, Ilir Konushevcit. Ditën tragjike kur janë vrarë në prit Ilir Konushevci dhe Dr. Hazir Mala, për fatin e mirë, që të kemi shpresë se kjo tragjedi të zbardhet, atë dit është vrarë edhe njëri nga ata që ishte pjesë e pritës, pra është vrarë edhe krimineli Agim Demiri, që është vëllau i Besim Demirit, qe po ashtu ka qenë në pritë, dhe që është vrarë më pastaj nga Fatmir Haklaj”, ka shkruar Qerimi.

Sipas Kelmendit, në përcjellje të Ilirit dhe doktorit Malaj, ishte edhe një punëtor i SHIK-ut (Shërbimit Informativ Kombëtar të Shqipërisë, si quhej atëherë). Ai beson se ky person ishte dërguar nga Xhavit Haliti.

Si shtron edhe dilemën se nëse ata dy u vranë në shkëmbim zjarri si mbijetuan tre veta të tjerë, spiuni i SHISH-it dhe dy shoferët e kamionëve të UÇK-së?!

Për të argumentuar se vrasja ishte e organizuar, Kelmendi pyet, se si u bë që punonjësi i SHIK-ut, nuk e lajmëroi rastin në stacionin e parë të policisë dhe as nuk kërkoi ndihmë prej tyre.

Sipas tij, hetuesia nuk ka lëshuar asnjëherë flet arrest ndaj Shkelzen Kurtbalës, pjesëmarrës në vrasje. “Ai ka qenë edhe njëri ndër kriminelët që e ka vrarë Ilirin dhe Hazirin, ndërsa është kursyer t’i vrasë dhe masakrojë pjesëtarin-përcjellësin e SHIK-ut dhe 2 shoferët e kamionit- maunës”, shkruante Kelmendi.

Ai jep edhe dy detaje interesante, ku ishte vetë dëshmitarë në një mbledhje të LPK-së në Frankfurt. E para se në atë mbledhje pas vrasjes së Ilirit, kishte shkuar Xhavit Haliti nga Shqipëria, dhe as që i kishte njoftuar të pranishmit për vrasjen.

Detaji i dytë është, kur vetë Kelmendi e kishte pyetur Azem Sylën, se si është “Mërgimi”, ai i kishte thënë, se është shëndosh e mirë, si top.

“Pas disa minutave thërrasin prapë e na njoftojnë se është vrarë Ilir Konushvci. Jam ngritur në këmbë dhe kam shkue si i tërbuar tek dera ku ishte Azem Syla. I thashë: “Dajë si është Mergimi”, ma ktheu, “shnosh e mirë, si Topi, në Tiranë” dhe pas këtij dialogu kanë filluar përplasjet fizike dhe sigurimi ka intervenuar...”

Letra e ndryshuar e Ilirit

Në dyshimin e parashtruar në fillim të shkrimit, gjatë kërkimit të botimeve të letrës së Ilirit, gjenden dallime, në dukje jo aq të rëndësishme, por që dëshmojnë për mungesën e autenticitetit të letrës së publikuar.

Ne kemi pyetur familjarët, por ata e mohojnë se e kanë në zotërim origjinalin e letrës, e cila duket se është subjekt i botimit të një libri për Ilirin, kështu që tani për tani nuk mund ta mbështesin se cili variant është origjinal apo më i saktë i letrës.

Pavarësisht nga këto ne kemi gjetur mospërputhje ndërmjet versionit të botuar nga Bedri Islami dhe atij të Sherafedin Berishës, tek “Pashtriku”, i cili kryesisht ka ruajtur besnikërinë ndaj letrave origjinale, siç ishte rasti me letrat e Murat Jasharit, drejtuar udhëheqësve të Shtabit të UÇK-së.

Nën pikën se si bëhet financimi i luftës guerile në Kosovë? Në njërin version thuhet:

-mjete të tjera nuk u jepen njësiteve pa kryer aksion,

-ndarja e mjeteve anëtarëve të familjeve të ushtarëve të vrarë nga 400 DM çdo gjashtë muaj…

Ndërsa, në letrën e botuar nga Sheradin Berisha, thuhet e kundërta, se ushtarët do të mund të marrin 500 DM për çdo aksion të kryer, pra jepet shuma, por edhe kushti për t’i përfituar ato:

“– stimulimi i ushtarëve për çdo aksion 500 dm,

– mjete tjera nuk u jepen njësive pa kryer aksion,

– ndarja e mjeteve anëtarëve të familjeve të ushtarëve të vdekur çdo gjashtë muaj”.

Pra, dallon edhe në pikën për ndarjen e mjeteve për familjet me ushtarë dëshmorë, në rastin më sipër shkruan nga 400 Dm, ndërsa në rastin e dytë, koha e pagesës mbetet e njëjtë çdo gjashtë muaj, por nuk ka evidentim të shumës.

Në fakt edhe datimi i kësaj letre mund të mos jetë i saktë, pasi kjo letër nuk ishte e botuar në kohën e shkrimit, por shumë vite më vonë, dhe botuesi i saj, mund ta ketë ‘zhvendosur’ në kohë.

Ish-presidentja Jahjaga, më 20 qershor 2011, i ka dorëzuar familjes Konushevci, urdhrin ‘Hero i Kosovës’ me të cilin nderonte dëshmorin, Ilir Konushevci.

Image
Ilir Konushevci me shokun e tij Adrian Krasniqin, në Tiranë

 

 

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat