Anëtarësimi në Këshill të Evropës, Kosova pritet të aplikojë sot

Aktuale

Anëtarësimi në Këshill të Evropës, Kosova pritet të aplikojë sot

Më: 12 maj 2022 Në ora: 07:56
Ilustrim

Kohë më parë është paralajmëruar se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshill të Evropës në muajin maj, ndërsa pritet që aplikimi të bëhet sot.

Javë më parë gazetari gjerman Michael Martens në një shkrim në gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung me titull “Rusia jashtë, Kosova brenda?”, ka raportuar se Kosova së shpejti mund të jetë anëtari më i ri i Këshillit të Evropës.

Martens në shkrimin e tij më tej thekson se Qeveria e Kosovës po planifikon të aplikojë për anëtarësim në KiE pas zgjedhjeve në Francë, ndërsa kjo pastaj mund të çojë në pranimin e Kosovës në vitin 2023.

E para disa dite lidhur me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në KiE, ka folur edhe deputeti gjerman, Knut Abraham.

Ai ka thënë se pas përgjigjes inkurajuese të Qeverisë gjermane për të mbështetur anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, hapi tjetër do të ishte që Kosova të dorëzojë aplikacionin e saj, më së miri tani, në mënyrë që të diskutohet në seancën e ardhshme të Komitetit të Ministrave në Torino më 20 maj.

E lidhur me aplikimin për anëtarësim në KiE, ka folur edhe Jeton Zulfaj, këshilltar politik i kryeministrit Albin Kurti, i cili ka thënë se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Sipas tij, Kosova i ka gjasat e mira dhe sipas tij, 2/3 e votave janë të siguruara.

Edhe për gazetarin gjerman Michael Martens, Kosova i ka gjasat e mira për tu anëtarësuar.

“Këshilli i Evropës mund të ketë së shpejti një anëtar të ri. Sipas informatave të FAZ nga Prishtina, Qeveria e Kosovës po planifikon të aplikojë për anëtarësim pas zgjedhjeve në Francë, ndoshta në maj. Kjo mund të çojë në pranimin e Kosovës në vitin 2023. Perspektivat vlerësohen si të mira në kryeqytetin e Kosovës, sepse përjashtimi i Rusisë, do të thotë se aleati më i rëndësishëm i Serbisë ka dalë nga Këshilli i Evropës”, kishte shkruar Frankfurter Allgemeine Zeitung.

E presidentja e vendit, Vjosa Osmani kohë më parë kishte paralajmëruar aplikimin për anëtarësim në Këshill të Evropës.

Gjatë një konferencë për media që e kishte pasur në Prishtinë, gjatë vizitës së presidentit letones, Egils Levits, ky i fundit kishte shprehur mbështetjen e plotë për anëtarësimin e Kosovës në KiE si dhe në organizata të tjera ndërkombëtare.

“…Së paku është e domosdoshme që Kosova t’i bashkohet Partneritetit për Paqe. Mendoj se tani është koha e duhur por varet nga NATO… Është shumë me rëndësi të fuqizohet bashkëpunimi… Letonia e përkrahë këtë hap”, kishte thënë ai.

“Ne do të mirëpritnim aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, prandaj ne mund të shkëmbejmë përvojat tona për të gjetur rrugën drejt anëtarësimit. Unë do ta mirëpres Kosovën si anëtare e Këshillit të Evropës”, ka thënë ai.

Këshilli i Evropës është institucioni më i vjetër i të drejtave të njeriut në Evropë që bashkon demokracitë nga i gjithë kontinenti për të mbrojtur të drejtat e njeriut.

Ndryshe, më 16 mars Federata Ruse është përjashtuar nga Këshilli i Evropës.

Procedura për t’i dhënë fund anëtarësimit të Rusisë filloi fillimisht më 25 shkurt – një ditë pasi forcat e presidentit rus, Vladimir Putin sulmuan Ukrainën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat