Dy të afërmit e tij u arrestuan për dallavere me tender – reagon ministri Damka

Aktuale

Dy të afërmit e tij u arrestuan për dallavere me tender – reagon ministri Damka

Më: 13 maj 2022 Në ora: 15:05
Fikrim Damka

Ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, ka kërkuar hetim të plotë për rastin e arrestimit të dy të afërmve të tij mbi dyshimet për përfshirje në falsifikim të dokumenteve për një tender në vlerë 100 mijë euro të Administratës Tatimore të Kosovës.

Përmes një njoftimi për media, Ministria e Zhvillimit Rajonal tha se dy personat e arrestuar, Anil dhe Sefçet Damka, nuk janë familjarë të brezit të parë të tij.

“Në disa media dje është raportuar arrestimi i dy personave të cilët janë apostrofuar si persona të afërt në familje me ministrin e Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka. Ministri i Qeverisë së Kosovës ka kërkuar që rasti të hetohet deri në fund ndërsa është shprehur se personat në fjalë nuk janë pjesë e familjes së ngusht të tij”, thuhet në reagim.

“Personat e apostrofuar në portale nuk janë familjarë të brezit të parë të Ministrit Fikrim Damka, që nënkupton as fëmijë dhe as vëllezër”, vijon reagimi i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal.

Ministria e Zhvillimit Rajonal është arsyetuar me faktin se “tenderët e pretenduar nuk kanë të bëjnë asgjë me Ministrinë e Zhvillimit Rajonal dhe as me Ministrin Fikrim Damka”.

Ministri Damka kërkon nga organet kompetente të shtetit që të ndjekin rastin deri në fund, thuhet në reagim.

Anil dhe Sefçet Damka u arrestuan të enjten nga Policia e Kosovës nën dyshimin për veprat penale “falsifikim i dokumenteve” dhe “keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.

Sipas policisë, gjatë vitit 2021 dy të afërmit e ministrit Damka në cilësinë e përfaqësuesve të një biznesi privat kanë përfituar tender nga Institucionet e Republikës së Kosovës pa i plotësuar kriteret.

“Lidhur me rastin pas veprimeve hetimore është vërtetuar se të dyshuarit kanë paraqitur si referenca në dosjet e tenderëve në vitin 2021, referenca të cilat nuk i kanë fare të deklaruar qarkullimin në Administratën Tatimore të Kosovës dhe qarkullimin Bankar të Falsifikuar në një bankë, vlera e tenderëve të fituar sillet rreth 100,000.00 euro (një qind mijë euro)”, njoftoi Policia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat