Nën tensione përfundon seanca në Kuvend, nuk ka kourum për rezolutën e propozuar nga AAK-ja

Aktuale

Nën tensione përfundon seanca në Kuvend, nuk ka kourum për rezolutën e propozuar nga AAK-ja

Më: 19 maj 2022 Në ora: 07:21 Përditësuar në ora: 15:56 më 19.05.2022
Kuvendi i Kosovës

​Quni: Qeveria të miratojë dokumentet strategjike të sigurisë nacionale

Në debatin për gjendjen e sigurisë në Kuvend, deputeti i LDK-së, Anton Quni ka adresuar disa prioritete që qeveria duhet t’i ketë parasysh.

Ai ka thënë se ekzekutivi duhet të miratojë dokumentet strategjike të sigurisë nacionale dhe mbrojtjes.

Quni: Ekzekutivi të miratojë dokumentet strategjike të sigurisë nacionale

“Mendoj se me prioritet do të duhej të hartohen, miratohen dhe implementohen dokumente strategjike siç janë ajo e sigurisë nacionale dhe e mbrojtjes, të cilat si dokumente referuese do të shërbejnë për kompletimin e infrastrukturës ligjore në fushën e sigurisë. Kujdes i veçantë në zhvillim më të shpejtë të kapaciteteve të pota të gjithë institucione të sigurisë, siç janë personeli personal, infrastruktura fizike, pajisjet dhe funksionimi i tyre në tërësi”, ka thënë ai.

Deputeti Quni ka thënë se në situata të krizave, duhet të ketë rezerva shtetërore.

Quni: Në kohë krizash duhet të ketë rezerva shtetërore

Në situatat kur ndonjë rrezik është në kohëzgjatje dhe intensitet të lartë duhet të kemi parasysh qëndrueshmërinë tonë: e kam fjalën për rezervat shtetërore siç janë derivatet, ushqimi, medikamentet, produktet higjienike”, ka thënë ai.

​Qalaj: Qeveria s’ka plan konkret për sigurinë kombëtare

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj ka kritikuar Qeverinë Kurti për mungesë të planit për siguri kombëtare.

Ai në debatin parlamentar për siguri në vend, ka thënë se Kosova dhe qytetarët sot më shumë se kurrë kanë nevojë të kenë një qeveri që sigurisë kombëtare i jep prioritetin që duhet të ketë.

Qalaj: Qeveria s’ka plan konkret për siguri kombëtare

“Kosova dhe qytetarët e saj sot më shumë se kurrë më parë kanë nevojë të kenë një qeveri që sigurisë kombëtare i jep prioritetin që duhet të ketë, sidomos në kontekstin rajonal dhe global. Në një kohë kur kërcënimet ndaj qytetarëve tanë janë serioze. PDK muaj më parë ka vlerësuar se kjo qeveri nuk ka pranë vetës një plan konkret se si të adresojë sigurinë kombëtare”, ka thënë ai.

Deputeti opozitar u shpreh kritik edhe për fondin e sigurisë për ushtrinë.

Qalaj: Kurti të raportojë në Kuvend për fondin e sigurisë

“Kryeministri Kurti të raportojë për funksionimin dhe themelimin e këtij fondi, aq më tepër që nuk është bërë transparent mënyra e administrimit nga qeveria”, ka thënë ai.

​Dugolli: Kosova ka shtuar komunikimin me aleatët për rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli ka deklaruar se institucionet e Kosovës kanë shtuar komunikimin me aleatët në drejtim të rritjes së kapaciteteve mbrojtëse dhe reaguese.

Në seancën e Kuvendit, Dugolli tha pjesëmarrja e FSK-së në operacionin ‘Defender Europe’ dëshmon përkushtimin në rrugën euro-atlantike të Kosovës.

Dugolli: Kosova ka rritur shkallën e sigurisë dhe mbrojtjes

“Republika e Kosovës ka rritur shkallën e vigjilencës, sigurisë dhe mbrojtjes dhe ka shtuar komunikimin me aleatët në drejtim të rritjes së kapaciteteve mbrojtjes dhe reaguese. Pjesëmarrja e Kosovës në operacionet ‘Defender Europe 21’ me një kontingjent të forcave prej 330 pjesëtarëve dhe të ardhmen ‘Defender Europe 23’ me një kontingjent të forcave prej 1000 pjesëtarëve dëshmon përkushtimin tonë për rrugën euroatlantike dhe miqësisë me ShBA, BE dhe NATO-në”, tha ai.

Ai u shpreh i shqetësuar edhe me armatosjen e Serbisë, pas agresionit rus në Ukrainë.

Dugolli: Serbia s’po armatoset për të luftuar me Rusinë, por kundër fqinjëve të saj

“Serbia nuk po armatoset për të luftuar me Rusinë dhe as me Kinën sepse ka miqësi të dëshmuar me ta, por po armatoset kundër fqinjëve të saj, me theks të veçantë kundër Kosovës të cilën nuk e njeh”, përfundoi deputeti Dugolli.

​Deputeti i AAK-së: Policia e Kosovës po politizohet

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, ka kërkuar sjelljen në Kuvend të strategjisë së sigurisë kombëtare të Kosovës.

Në debatin parlamentar për gjendjen e sigurisë në vend, deputeti opozitar tha se institucioni i FSK-së duhet të jetë prioritet mbi prioritete për ekzekutivin.

Berisha: Duhet të jetë prioritet sjellja në Kuvend e strategjisë së sigurisë kombëtare

“Ky institucion të shihet si prioritet mbi prioritete për shkak se pa siguri nuk ka zhvillim ekonomik, s’ka funksionim të asnjë institucioni dhe nuk ka shtet. Kurrë nuk duhet të harrojmë që ushtria e Kosovës përveç që e kemi amanet e cila themelet i ka në gjakun e heronjve tonë, po ashtu është ushtri që synon ti bashkohet ushtrive moderne të aleancës së NATO-s. Andaj sjellja në Kuvend e strategjisë së sigurisë kombëtare të Kosovës është prioritet mbi prioritetet. Njëkohësisht sigurimi i kushteve dhe armatimi i kësaj ushtrie me mjete moderne”, tha ai.

Berisha kritikoi ekzekutivin edhe për nepotizmin dhe kapjen e Policisë së Kosovës.

Berisha: Policia po fillon të bëhet partiake dhe jo profesionale

“Nëse e keni pasur gojën plotë në luftën ndaj nepotizmit dhe kapjes së shtetit, ajo çka dua të them është se askush nuk mund të gradohet në polici, nëse nuk është i afërm i juaji dhe nuk është në funksion të plotë të politikës suaj. Policia po fillon të politizohet dhe jo profesionalizohet. Nëse kemi folur për kapje, në fakt kuptimin e plotë të fjalës kapje po e bëni tani. Andaj duart larg nga policia”, shtoi Berisha.

Ndërkohë kërkoi nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë që mos të ketë aktivitet politik.

Kuvendi miratoi edhe dy projektligje për FSK-në dhe atë për turizmin

Kuvendi i Kosovës sot miratoi tri projektligje, dy prej tyre të Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligjin në lexim të dytë për turizmin.

Në seancën e sotme, veç e veç deputetët kanë miratuar Projektligjin në lexim të dytë për Policinë Ushtarake në Forcën e Sigurisë së Kosovës, dhe Projektligjin për Komisionarin Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Tri partitë më të mëdha opozitare kanë vlerësuar se vendimi i djeshëm nga Gjykata e Apelit për anulimin e tarifave energjetike me shtrenjtim, është i drejtë dhe kanë kërkuar të kompensohen qytetarët e dëmtuar me këto tarifa dhe kërkuan shkarkimin e Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë(ZRRE).

Ndërkaq, në orën 14:30 pritet të nisë seanca për debatin parlamentar në lidhje me situatën e sigurisë në vend.

Si rrallëherë, të gjithë deputetët e pranishëm në Kuvend votojnë PËR një projektligj

Në Kuvendin e Kosovës është miratuar Projektligji për policinë ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Të gjithë deputetët e pranishëm në sallën e Kuvendit votuan pro këtij projektligji.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca njoftoi se 74 deputetë votuan PËR, asnjë s’ishte kundër si dhe nuk pati asnjë abstenim.

Gjatë miratimit të këtij projektligji në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Albin Kurti kishte thënë se ky projektligj do ta ndihmojë policinë e FSK-së që të ketë autorizime për ta kryer misionin e saj.

“Policia ushtarake vepron brenda dhe jashtë kazermave të saj, andaj pjesëtarëve të uniformuar, punonjësve civil të mistrisë së mbrojtjes dhe FSK-së, ky projektligj u mundëson që të kenë autorizimet e nevojshme ligjore në mbështetje të misionit të vet”, kishte thënë ai.

Apeli rrëzoi vendimin për shtrenjtimin e rrymës, opozita kërkon shkarkimin e bordit të ZRRE-së

Opozita ka kërkuar që qytetarëve t’u kthehen menjëherë mjetet me i paguan me shtrenjtim faturat e fundit të energjiwsë elektrike. Pasi Gjykata e Apelit ka vërtetuar të mërkurën vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për bllokimin e tarifave të shtrenjta të energjisë elektrike të vendosura nga Zyra e Rregullatorit për Energji, partitë opozitare kanë ritheksuar qëndrimet e tyre në seancën e Kuvendit.

“Kërkojmë që urgjentisht qytetearëve t’iu kthehen mjetet që u janë vjedhur”, tha deputeti i LDK-së, Besian Mustafa.

Ai kërkoi që llogari ligjore dhe politike, si dhe “të shkarkohet bordi i ZRRE-së”.

“Cili do të jetë veprimi i kthimit të parave te qytetarët?”, pyeti Mustafa.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha ndërkaq se “një vepër e tillë duhet të ndiqet penalisht”.

Shkarkimin e bordit të ZRRE-së e kërkoi edhe shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

“Do të kemi në fuqi tarifat e vjetra të energjisë dhe ne si deputetë nuk duhet të rrimë duarkryq karshi kësaj situate”.

“Këta njerëz tashmë me vendim të gjykatës është vërtetu se janë në proces e sipër që të shkaktojnë një dëm të madh”, tha ai.

“Këta njerëz i kanë dëmtuar më shumë se 450 mijë familje. Kjo nuk duhet të tolerohet”, theksoi Tahiri.

Apeli në aktvendimin e publikuar dje thotë se ankesa e ZRRE-së është refuzuar si e pabazuar.

I gjithë procesi në Gjykatë nisi pas padisë së ngritur nga Partia Demokratike e Kosovës, me arsyetimin se shtrenjtimi i rrymës dëmton qytetarët e vendit.Kështu, më 9 prill Gjykata mori vendim për pezullim, por pavarësisht kësaj, qytetarët e Kosovës edhe këtë në muajin prill janë faturuar me çmime të rritura.

Tahiri përmend Ligjin e pagave, kërkon tërheqjen e parave nga Trusti

Kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, në seancën e sotme të Kuvendit ka përmendur tri çështje të cilat sipas tij kërkojnë reagim të shpejtë nga ana e Qeverisë.

E para është Ligji i Pagave, për të cilin Tahiri tha se Qeveria po heshtë në mënyrë klasike duke mos dhënë asnjë shpjegim.

“Ligji i pagave tash e tri herë që është në agjendë legjislative nuk vjen në Kuvend. Nesër ka paralajmërim për grevë, 81 mijë zyrtarë publikë kërkojnë nga Qeveria që të ketë veprim. Është heshtje klasike, nuk ka asnjë reagim, asnjë shpjegim dhe asnjë dritë në fund të tunelit”, u shpreh ai.

Çështja e dytë që përmendi Tahiri është paga minimale, për të cilën tha se Qeveria nuk është e interesuar që ta rrisë, por vetëm ta zvarritë procesin.

“Veprimi i fundit ka treguar se Qeveria nuk do ta rrisë pagën minimale, por ta zvarritë këtë proces”.

Ndërsa, Trusti është çështja e tretë që përmendi shefi i deputetëve të AAK-së. Ligji që mundëson tërheqjen e mjeteve nga Trusti tha se duhet të miratohet sa më parë në Kuvend.

“Ndërsa, e fundit, është Trusti, i cili është bllokuar. Ky ligj duhet sa më shpejtë të miratohet”, shtoi ai. 

Deputeti i PDK-së shpreh zhgënjimin për dënimin e Gucatit e Haradinajt

Deputeti i PDK-së, Isak Shabani e ka shprehur zhgënjimin e tij me dënimin e shqiptuar nga Gjykata Speciale me 10 vjet burgim për krerët e OVL-UÇK-së, Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt.

Shabani tha se Gucati e Haradinaj “nuk kanë bërë asnjë krim”.

“Kjo gjykatë është e padrejtë sepse është selektive”, tha ai.

Deputeti i PDK-së tha se të mërkurën iu shua edhe shpresa e vogël në këtë gjykatë.

“Një shpresë e vogël na mbante deri dje, por gjykata dje dënoi drejtësinë dhe jo çlirimtarët”, tha ai.

Shabani foli për mënyrën se si u shpall aktgjykimi.

“Për ironi, dënimi ndaj tyre u shqiptua në emër të popullit të Kosovës. Po iu themi që Kosova është me bijtë e vetë si dhe jemi kundër absurdeve që bartin emrin drejtësi, e në fakt janë padrejtësi”, tha ai.

Kuvendi kujton masakrën në Burgun e Dubravës

Kuvendi i Kosovës nisi punimet e seancës plenare duke kujtuar masakrën e Burgut të Dubravës e ndodhur më 19 maj të vitit 1999, në luftën e fundit.

Nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci tha se masakra e Dubravës ishte një ndër masakrat më të rënda që ka ndodhur në Kosovë. Në masakrën e Dubravës ishin vrarë mbi 100 burra shqiptarë, disa ende janë të zhdukur dhe po ashtu ka edhe të mbijetuar.

Në seancën e sotme pritet të shqyrtohet në lexim të dytë Projektligji për turizmin, Projektligji për Policinë Ushtarake në Forcën e Sigurisë së Kosovës, dhe Projektligjit për Komisionerin Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat