Problemi i Kosovës është Serbia/ Alarmon Milazim Krasniqi: E vetmja shpresë është që SHBA dhe Britania të kapin Vuçiqin për fyti

Aktuale

Problemi i Kosovës është Serbia/ Alarmon Milazim Krasniqi: E vetmja shpresë është që SHBA dhe Britania të kapin Vuçiqin për fyti

Nga: N. Sh. Më: 30 maj 2022 Në ora: 16:44
Milazim Krasniqi

Profesori universitar dhe analisti politik, Milazim Krasniqi ka folur për bisedën që ka realizuar presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe ai rus Vladimir Putin.

Ata kanë arritur një marrëveshje për gazin rus, ku edhe Putin i ka premtuar Vuçiqit një çmim të lirë.

Krasniqi thotë se, në kohën kur BE po i kërkon Serbisë të vendos sanksione kudër Rusisë, ata po thellojnë bashkëpunimin.

E për këtë, Krasniqi thotë se BE po e lut Vuçiqin si një fëmijë tekanjozë.

Krasniqi shton se problemi i Kosovës është Serbia e cila mund të shpërblehet me presione të reja kundër Kosovës.

“Jo vetëm me tokat e manastirit të Deçanit, po edhe më shumë. Bashkimi Evropian  moti e ka bërë shprehi t’i bëjnë presion Kosovës, që t’ia bëjë qejfin klyshit të Putinit në Beograd.”, shkruan ai.

Sipas tij, e vetmja shpresë mbetet që SHBA dhe Britania e Madhe ‘ta kapin për fyti Vuçiqin dhe ta ndalojnë nga lojërat e rrezikshme me Rusinë’.

Postimi i plotë:

VUÇIQI PO TALLET ME BASHKIMIN EVROPIAN. A E DINI PSE?

Vuçiqi i Serbisë ka biseduar dje me Putinin e Rusisë. Pas bisedës me shefin e vet real, Vuçiqi  ka njoftuar triumfalisht se ka arritë një marrëveshje shumë të favorshme për blerjen e gazit rus me çmim “bagatella”, pesë herë më lirë se sa që shitet ai gaz në treg.

Pra, në kohën kur nga Bashkimi Evropian i kërkohet Serbisë të vendos sanksione kundër Rusisë, Serbia e thellon bashkëpunimin me Rusinë dhe nuk e ka ndërmend të vendos sanksione. Si reagim ndaj kësaj arrogance të Serbisë, mjerushët e BE-së vijnë e shkojnë në Beograd, duke e lutur Vuçiqin, si fëmijë tekanjozë. Prej nga gjithë ky mjerim i Bashkimit Evropian, i cili as Serbinë nuk mund ta bëjë zap?

Mjerimi banon në Bruksel dhe në kryeqytetet e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Në fakt, disa nga shtetet e BE-së kanë politika proruse gati sa edhe Serbia. Dhe janë kundër vendosjes së sanksioneve lidhur me gazin e me naftën, që janë burimet kryesore të buxhetit të Rusisë. Ato shtete varen nga gazi e nafta ruse, sepse kanë qenë shkurtpamëse dhe egoiste. Nuk kanë dashur të shohin se çka po bënte Rusia në Çeçeni, në Gjeorgji, në Ukrainë, në Siri, ku ka bërë krime monstruoze, me pushtime e aneksime barbare. Prandaj Serbia ka mundësinë që të tallet me Bashkimin Evropian. Bile, nëse mbetet në dorë të Bashkimit Evropian, Serbia mund të shpërblehet, siç u shpërblye me “preferenca ekonomike” në vitin 1995, pas gjenocidit në Srebrenicë.

Problemi ynë direkt është se Serbia mund të shpërblehet me presione të reja kundër Kosovës. Jo vetëm me tokat e manastirit të Deçanit, po edhe më shumë. Bashkimi Evropian  moti e ka bërë shprehi t’i bëjnë presion Kosovës, që t’ia bëjë qejfin klyshit të Putinit në Beograd.

E vetmja shpresë mbetet që SHBA dhe Britania e Madhe ta kapin për fyti Vuçiqin dhe ta ndalojnë nga lojërat e rrezikshme me Rusinë. Ndërsa, sa për ndershmërinë dhe fuqinë e Bashkimit Evropian, jam i bindur se lufta e viteve 90 në BeH e në Kosovë, do të ishte ende duke vazhduar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat