​Komisioni për Legjislacion votoi projektligjet për luftim të korrupsionit dhe atë për KPK-në

Aktuale

​Komisioni për Legjislacion votoi projektligjet për luftim të korrupsionit dhe atë për KPK-në

Më: 31 maj 2022 Në ora: 14:09
​Komisioni për Legjislacion

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit e ka dërguar në Kuvend për votim në lexim të dytë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Po ashtu, në këtë mbledhje u shqyrtua dhe u votua edhe raporti me amendamente për Projektligjin për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave. 

Anëtari i këtij komisioni nga radhët e AAK-së, Besnik Tahiri u shpreh se tashmë përmes këtij ligji deklarimi i pasurisë nga zyrtarët shtetëror do të bëhet në formë elektronike, kështu do të rritet edhe transparenca. 

Tahiri: Deklarimi i pasurisë do të bëhet në formë elektronike 

“Deklarimi i pasurisë do të bëhet në formë elektronike dhe në këtë aspekt dukshëm do të lehtësohet puna e agjencisë dhe kontrollit të pasurisë, nuk do të ketë më nevojë që të shkojmë fizikisht asamblistët komunalë nuk kanë më detyrim që të deklarojnë pasurinë e tyre... Do të ketë kontroll të plotë të deklarimeve periodikisht varësisht prej pozitës së zyrtarit publik edhe pozitës sa më të lart, nuk do të ketë më short, është larguar nga deklarimi por do të ketë deklarim të rregullt të secilit zyrtar filluar prej presidentit e deri tek zyrtari i fundit. Do të rritet transparenca me ç’rast deklarimet e të gjitha subjekteve deklaruese do të bëhen publike menjëherë, në raport me Agjencinë, iu kanë veshur disa përgjegjësi shtesë që lidhen me vënie të gjobave me theks promovimin e zyrtarit për të mos deklaruar apo për deklaruar rrejshëm”, u shpreh ai. 

Kurse, kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi tha se me këto ligje po kompletohet edhe infrastruktura ligjore për luftim të korrupsionit. 

Rrustemi: Me këto projektligje po kompletojmë infrastrukturën ligjore në luftimin e korrupsionit

“Këto dy projektligje edhe raporti që është miratuar paraprakisht e kompletojnë infrastrukturën ligjore sa i përket luftimit të korrupsionit, megjithatë Agjencia ka dërguar një propozim shtesë që në nenin 4 të shtohet një paragraf me tekstin që zyrtarët e lartë të emëruar me vendim dhe që nuk posedojnë nënshtetësinë e Republikës së Kosovës nuk janë të obliguar për deklarim të pasurisë”, u shpreh ai. 

E me propozimin e Agjencisë kundër Korrupsion për largim nga lista për deklarim të pasurisë të personave zyrtarë që nuk kanë nënshtetësi të Kosovës nuk u pajtua që të diskutohet deputeti nga LDK-së, Driton Selmanaj.

Selmanaj: Propozimet e Agjencisë që kanë ardhur tash mos t’i trajtojmë fare 

“I kemi pas përfaqësuesit e Agjencisë në grup punues pse dikujt i bie ndërmend diçka mendoj se kjo nuk është serioze dhe mendoj se çështjet që na kanë ardhur tash në Komision nuk duhet t’i trajtojmë fare”, u shpreh ai. 

Në mbledhjen e sotme me unanimisht është votuar pro edhe raportit me amendamente për Projektligjin për Agjencinë për parandalimin e korrupsionit.

Në Komisionin për Legjislacion sot kanë raportuar edhe përfaqësues të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, lidhur me raportin vjetor të punës për vitin 2021, raport ky i cili edhe u miratua më pas. 

Drejtoresha e kësaj Agjencie, Anita Kalanderi e cila tha se ndihma juridike falas ofrohen në shtatë regjione të Kosovës përmes 14 zyrave mobile që funksionojnë në 14 komuna të financuara nga buxheti i Kosovës si dhe 6 qendra të tjera që mbështeten nga GIZ-i gjerman. 

Kalanderi si sfidë identifikoi buxhetin e mangët që ka në dispozicion Agjencia për Ndihmë Juridike Falas. 

Kalanderi: Mbi 5 mijë e 500 shërbime juridike falas i kemi ofruar si Agjenci 

“Gjatë vitit 2021 zyrtarët për ndihmë juridike falas kanë ofruar 5 mijë 539 shërbime, prej tyre janë referuar tek avokatët 467 kemi pas numër të avokatëve... Sfidat me të cilat ballafaqohemi është buxheti i mangët, menaxhojmë me një buxhet 430 mijë euro, besoni që është buxhet shumë simbolik karshi obligimeve që i kemi ndaj qytetarëve karshi shërbimeve dhe nevojave që kanë qytetarët për këtë institucion. Përveç kësaj pamundësia e shtrirjes së drejtë dhe të barabartë në të gjithë territorin e Kosovës është dispozitë që na obligon ligji dhe Kushtetuta”, u shpreh Kalanderi. 

E deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi u interesua të di se përse gjatë vitit 2021 janë ofruar më pak shërbime sesa viteve paraprake. 

Kalanderi e pati një sqarim për këtë çështje. 

Kalanderi: Viti 2019-2020 ka pas më shumë ankesa për shkak të pandemisë 

“Sa i përket numrit të rasteve vitin e kaluar kemi pas një numër shumë të madh të rasteve për shkak të pandemisë kjo ka ndodhur sidomos në veçanti kemi pasur me një komunë brenda një muaji deri në 1 mijë e 500 raste sidomos refuzimi i pakove ka qenë ndihma që iu është ndarë qytetarëve refuzimi ankesat janë drejtuar në Agjenci dhe kjo e ka rritur numrin e shërbimeve, viti pandemik ka qenë në vitin 2019 dhe 2020”, u shpreh ajo. 

Lidhur me mundësinë që Agjencia për Ndihmë Juridike Falas të jetë nën kompetenca të Ministrisë së Drejtësisë, Kalanderi u shpreh se kjo paraqet edhe konflikt interesi. 

Kalanderi:Nuk është punë e mirë që Agjencia të sistemohet në Ministrinë e Drejtësisë 

Kërkesat buxhetore rriten për arsye se shtohen kërkesat e kësaj kategorie specifike që janë pa kritere, përfitojnë ndihmë juridike si grup i veçantë dhe automatikisht kemi pasur rritje të numrit të avokatëve për përfaqësime të kësaj kategorie, duhet të rritet edhe numri i punëtorëve... Sa i përket racionalizimit të agjencive personalisht (...) mendoj që nuk është punë e mirë kjo nëse Agjencia sistemohet në Ministrinë e Drejtësisë, nuk jam kompetente për politikat e Qeverisë por jam kompetente me paraqit që ndihma juridike është kategori kushtetuese dhe nuk duhet të shkojë në asnjë institucion të ekzekutivit”, theksoi Kalanderi. 

Po ashtu, anëtarët e Komisionit për Legjislacion me nëntë vota për e votuan edhe raportin me amendamente të Komisionit Funksional për Projektligjin për markat tregtare

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat