Ia morën veturën, paratë, e rrahën pamëshirshëm dhe e ekzekutuan me shumë plumba / A ishte një spiun që duhej vrarë Pal Krasniqi!?

Aktuale

Ia morën veturën, paratë, e rrahën pamëshirshëm dhe e ekzekutuan me shumë plumba / A ishte një spiun që duhej vrarë Pal Krasniqi!?

Nga: Idriz Morina Më: 1 qershor 2022 Në ora: 20:12
Gjykatës në Tribunalin e Hagës për krimet në ish-Jugosllavi

Ishte një djalë, si duket edhe hallexhi. Serbët, veçanërisht gjatë kohës së okupimit klasik nga Serbia, me heqjen e autonomisë së vitit 1974 të Kosovës, ishin bërë shumë të rrezikshëm. Bindja e tyre se ishin të paprekshëm nga shqiptarët ishte tejforcuar nga propaganda e sistemit fashist serb.

Kjo i shtynte shumë herë serbët lokal, që t’ju binin në qafë shqiptarëve, sa t’ua mbyllnin çdo shpresë jete.

Edhe familjes Krasniqi i ishte bërë si gurë varri, një serb. Shqiptarët nuk mund të vrisnin dikë asokohe, por edhe sipas traditës, përveç se si thoshte burrnia, kur dikush t’i mbyllë të gjitha dyert e jetës.

Babai i Palit, Dedë Shabani, kishte mbetur i plagosur nga sulmi me armë i serbit, ndërsa motra e tij Maria, e kishte qëlluar për vdekje serbin, duke e lënë të vrarë, pas një mosmarrëveshje të rëndë.

Babai i tij kishte jetuar deri atëherë në vendlindje, në fshatin Meqë, komuna e Gjakovës, por pas atij rasti, ishin detyruar të shpërngulen nga fshati dhe janë vendosur në një fshat afër Klinës.

“Jo ai nuk ka qenë spiun”

Ai ishte akuzuar se ishte spiun dhe bashkëpunëtorë i serbëve, ndërkohë që askush nuk e merrte parasysh rrethanën se babai i tij ishte viktimë e një serbi, dhe halla e tij, po vuante burg për vrasjen e një serbi!

“Jo ai nuk ka qenë spiun”, thotë në mënyrë kategorike një dëshmitar për “Bota sot”, ngjarjesh të luftës, që ka parë nga afër zhvillimet e tilla në luftë.

“Kerrin që ia patën marrë, e voziste A. Z., komandant në Kpuz, i vrarë në Rogovë të Hasit”!

Një histori e ngjashme kishte ndodhur edhe me një gazetare të huaj, por që ajo nuk ishte vrarë.

“Ja kanë marrë kerrin dhe paratë. Personi që ia ka marrë kerrin u shëtitke. Bile një ditë e kishte zënë një gazetare angleze, të cilën e ka shfrytëzuar moralisht. E ka torturuar, gjoja si të dyshuar, me pyetjet se “nëpërmjet cilës pikë ke hy? Dhe çfarë oferte të kanë dhënë serbët? etj.,” rrëfen dëshmitari, që për shkaqe drejtësie, nuk dëshiron të jetë pjesë e tyre.

Image
Foto ilustrim, eshtra dhe gjëra nga viktimat

Sipas informacioneve dhe njerëzve që e njohin familjen dhe rastin, Pali ishte marrë nga disa ushtarë të UÇK-së, duke u nisur nga fakti se gjatë kohës kur ka qenë babai dhe halla e tij në burg, Pali kishte vendos kontakte me një serb nga Dranoci i Klinës, siç thuhet me qëllim të lehtësimit të vizave në burg ose që lidhej me fatin e të burgosurës.

Pal Krasniqi besohet se është burgosur nga UÇK-ja, me 10 apo 11 korrik dhe deri më së paku në datën 25 korrik të vitit 1998, është mbajtur në arrest, ku është rrahur së bashku me Skënder Kuqin, pamëshirshëm, sipas pohimeve të dëshmitarëve në Tribunal.

I goditur me plumba në kokë dhe trup

Derisa historia e Kuqit, ishte mbyllur me vdekjen fatale në shkallët e ambulantes së fshatit Irzniq, nga pamjaftueshmëria e organeve vitale, dhe pamundësisë së dhënies së ndihmës përkatëse për shkak të luftës, koha e vdekjes së Palit është e pasaktë. Askush nuk ka dëshmuar deri më sot se kur mund të jetë vrarë dhe nga kush.

Por, sipas të dhënave të Tribunalit të Hagës, gjatë procesit të rigjykimit të Haradinajt dhe të tjerëve, rezulton se ai kishte vdekur nga plumbat.

Trupi i Palit ishte gjetur me datën 11 shtator të vitit 1998 pranë murit të betonit të kanalit të liqenit të Radoniqit.

“Identiteti i mbetjeve mortore është vërtetuar me anë të analizës së ADN-së. Me anë të obduksionit, të cilin në datën 5 dhjetor të vitit 2003 e kanë bërë ekspertët e Zyrës për persona të zhdukur dhe mjekësi ligjore (OMPF) të UNMIK-ut, është vërtetuar se shkak i vdekjes së tij janë plagët e shumëfishta me armë të zjarrit”, thuhet në dokumentin publik.

Në procedurën e përsëritur, Trupi gjykues i GJNPJ-së ka konstatuar se “nuk ka dëshmi se çka ka ndodhur me Krasniqin pasi që është parë për herë të fundit në burgun e UÇK-së dhe, së këndejmi, ka arritur te përfundimi se ka mundur të jetë i vrarë derisa ka qenë në paraburgim të UÇK-së, por kjo është vetëm një mundësi dhe se akuza për vrasjen e Pal Krasniqit nuk është provuar”.

Mungesa e provave?!

Tribunali i Hagës nuk kishte arritur ta dëshmonte se nga kush u vra Pal Krasniqi, një shqiptar nga Klina.

“Me 10 korrik 1998 ose rreth kësaj date, Pal Krasniqi, shkoi në Shtabin e UÇK-së në Jabllanice për t'iu bashkuar UÇK-së. Ai qëndroi disa ditë në Shtabin e Jabllanicës, derisa një komandant i UÇK-së, A. A., i njohur si komandant 'M. ', e akuzoi si spiun i serbëve dhe e arrestoi. Pastaj Pal Krasniqi u rrah, derisa u detyrua ta jepte një pranim të rremë”, thuhet në shkrim në internet.

“Po ato ditë, ishte arrestuar edhe Skender Kuçi, një shqiptar i Kosovës, i cili ishte dërguar në kompleksin e UÇK-së në Jabllanicë në bagazhin e veturës së tij dhe u mbajt në një dhomë në kompleksin e UÇK-së”.

Ai u mbajt në të njëjtën dhomë me Skënder Kuçin. Skender Kuqit i ishte marrë vetura në vlerë prej 100 mijë Dm, disa mijëra marka, valutash të ndryshme, një pjesë e të cilave i qenë kthyer familjes pas vrasjes.

Sipas vendimit të Tribunalit, disa orë më vonë, dëshmitari 3, një shqiptar i Kosovës, u dërgua nga Lah Brahimaj në kompleksin e UÇK-së në Jabllanicë dhe u mbajt po ashtu në dhomë me Skender Kuçin dhe Pal Krasniqin.

“Të tre burrat iu nënshtruan rrahjeve të vazhdueshme në kompleksin e UÇK-së në Jabllanicë”, thuhet më tej aty.

Sipas përshkrimit në vendimin lirues të gjykatës së Hagës, për të akuzuarit Ramush Haradinajn dhe të tjerët. “Një dëshmitar e ka përshkruar gjendjen në të cilën ishin Skënder Kuçi dhe Pal Krasniqi si pasojë e rrahjeve të tilla dhe citoj: "Nuk kam parë askënd në gjendje më të keqe. Kam parë njerëz të vdekur, të vrarë gjatë luftës. Por, njerëz në atë gjendje kaq të rëndë dhe të vështirë nuk kisha parë kurrë më parë. Në një gjendje shumë, shumë të keqe."

Për herë të fundit u pa gjallë me 25 korrik 1998

“Gjatë rrahjeve Pal Krasniqi u akuzua si spiun dhe Skender Kuçi se kishte shumë para. Dëshmitari 3 u mor në pyetje nga Lahi Brahimaj, pas së cilës Lahi Brahimaj kërkoi nga dy gra që të praktikonin rrahjen me shkopinj mbi Dëshmitarin 3”, thuhet në aktvendim.

“Dhoma është e bindur se pohimet për torturë dhe trajtim mizor në lidhje me Skender Kuçin, Pal Krasniqin dhe Dëshmitarin 3 janë vërtetuar”, thuhet në aktvendim. Por, gjykata në pamundësi të vërtetimit të akuzave ndaj të pandehurve, nuk ka mundur të marrë asnjë vendim, satisfaksioni për tre të përmendurit.

Pra, ka mbetur një proces i hapur, në rast se një ditë mund të zbulohen autorët e vërtetë përgjegjës.

Po sipas hetimeve të bëra nga Tribunali, të përfshira në vendimin e përmendur më sipër, Pal Krasniqi i “është nënshtruar rrahjeve të rënda dhe të vazhdueshme në kompleksin e UÇK-së në Jabllanicë”.

Sipas hetimeve të tyre, Pali ishte parë për herë të fundit nga “Dëshmitari 6” në kompleksin e UÇK-së në Jabllanicë më 25 korrik 1998.

Trupi i tij u gjet, në muajin shtator. “Trupi i tij u zbulua në shtator 1998 në kanalin e liqenit të Radoniqit me lëndime me armë zjarri në kokë, trup dhe gjymtyrë të sipërme. Prokuroria nuk ka paraqitur asnjë provë për rrethanat në të cilat ai ka vdekur. Në këto rrethana, Dhoma nuk mund të konkludojë përtej dyshimit të arsyeshëm se akuza për vrasjen e Pal Krasniqit është vërtetuar”, thuhet në aktvendim.

Image
Fotoilustrim, varre të njerëzve të paidentifikuar

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat