Vrasja e gazetarit Bardhyl Ajeti, Idriz Morina thotë se ishte një nga ngjarjet më të rënda

Aktuale

Vrasja e gazetarit Bardhyl Ajeti, Idriz Morina thotë se ishte një nga ngjarjet më të rënda

Më: 3 qershor 2022 Në ora: 23:51
Idriz Morina

Kryeredaktori i gazetës Bota Sot, Idriz Morina ka folur për gazetarin Bardhyl Ajeti në 17-vjetorin e vrasjes së tij, ku rasti i tij ende mbetet i pa zbardhur.

Morina, kolegu i Ajetit ka kujtuar qershorin e 2005-ës momentin kur ky i fundit është vrarë, teksa thotë se për kolegët ishte një nga ngjarjet më të rënda.

“Për neve si kolegë ishte një ngjarje prej më të rëndave, si në aspektin emocional, por edhe profesional për shkak se ishte vrasja e dytë e një miku tonë pas asaj në vitin 2001 kur ishte vrarë në një atentat tjetër, Bekim Kastrati së bashku me truprojën e presidentit Rugova, Besim Dajaku dhe ku kishte mbetur i plagosur Gani Geci”, tha ai në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.

Ai thotë se kanë vazhduar të jetojnë e të punojnë me traumën nga vdekja e Ajetit.

“E kishim një traumë nga e cila vazhdonim të punonim dhe të bashkëjetonim me to dhe njëkohësisht të vazhdonim rrugën tonë me shprehjen e mendimit të lirë”, tha ai.

Morina tregon edhe se si është vrarë gazetari Bardhyl Ajeti.

“Më 3 qershor në një atentat deri sa po kthehej Bardhyli me një veturë e cila ishte prishur pak para se të nisej nga kthimi prej Prishtinës në Gjilan ku jetonte i bëhej një atentat në fshatin Bresalc derisa po tërhiqej nga një kombi dhe dy plumba ishin, njëri ishte fatal i cili e kishte goditur në kokë dhe tjetri në gjoks, ndërsa një tjetër kishte goditur veturën. Mungesa ndoshta e një reagimi të shpejtë por mbi gjithat sipas parashikimeve mjekësore tronditja ishte e thellë e plumbit në kokë dhe pasojat do të ishin fatale. Bardhyli jetoi edhe rreth 3 javë para se të ndërronte jetë në Itali”, tha ai.

Morina thotë se nuk dihen dorasit për vrasjen e gazetarit Bardhyl Ajeti dhe rrjedhimisht nuk është dënuar askush.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat