Kur do ta zbardhni misterin e vrasjes së Ilirit - Komandant “LIKA”, o Ali Ahmeti? / “Sa tradhti ke bërë?!”

Aktuale

Kur do ta zbardhni misterin e vrasjes së Ilirit - Komandant “LIKA”, o Ali Ahmeti? / “Sa tradhti ke bërë?!”

Nga: Idriz Morina Më: 6 qershor 2022 Në ora: 13:12
Isa Lika i vrarë në atentat para 16 vitesh, i dyti nga e djathta

Një seri vrasjesh kanë ndodhur në vazhdimësi edhe në Maqedoni, pas përfundimit të luftës atje. Një gjë e ngjashme si duket me sindromën e Kosovës, ku bartësit e luftës të krahut të majtë, në UÇK motivuan dhe organizuan një numër shumë të madh vrasjesh. Jo pak prej tyre u kryen në luftë, por shumë më shumë pas luftës.

Por, kush mund të jenë njerëzit përgjegjës që këtë mendësi e bartën edhe në Maqedoni?

A ishte interes i shqiptarëve vrasja e shqiptarëve pa gjyq në Kosovë, dhe më pas edhe atyre në Maqedoni!?

Sigurisht se vrasjet më të mëdha në Kosovë u kryen me qëllim të vazhdimit të përçarjes së faktorit politik, por siç vëren gjykata speciale në aktakuzën e saj, ato u kryen “për ushtrimin e kontrollit të plotë në territorin e Kosovës” nga Ndërmarrja e Përbashkët Kriminale, të akuzuarit aktual në Hagë, dhe ata që mund të akuzohen në ndërkohë.

Po, për çfarë qëllimi u kryen vrasjet në Maqedoni?

Shqiptarët që luftuan në Maqedoni, nuk mund të ushtronin kontroll të plotë në tërë shtetin, kjo edhe për faktin, se ata nuk i realizuan aspak objektivat e luftës, çlirimin dhe mbajtjen nën kontroll të territoreve me shumicë shqiptare atje.

Po, çfarë kërkonin pra, nëse nuk e arrinin dot kontrollin?

Me shumë gjasë, qëllimi ishte i qartë, liderët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK-së) atje, po bënin përpjekje për ushtrimin e kontrollit brenda shqiptarëve. Organizimi politik atje edhe ashtu nuk ishte shquar për sukses dhe seriozitet në mbrojtjen e interesave të shqiptarëve. Kështu, që kishin një provë morale, se ‘ata ishin njerëzit e duhur’ për ta bërë këtë, avancimin e të drejtave të shqiptarëve.

Por, a ndodhi kjo?

Sigurisht se jo, madje ende janë larg edhe objektivat e Marrëveshjes së Ohrit, e cila në disa pika, i ktheu apo i tkurri të drejtat e shqiptarëve që i kishin në komunizëm, kur ishin shtetformues dhe gjuha shqipe ishte e barabartë. Asnjëra nga këto nuk është arritur as me atë Marrëveshje dhe as jashtë saj.

Atëherë, për çfarë i duhej kontrolli Ali Ahmetit dhe njerëzve rreth tij!

Ali Ahmeti, ishte pjesë e grupit të majtë që njihet figurativisht si Shtabi i Rognerit, pra pjesë e atij Shtabi, që përveç se nuk arriti rezultate kulminante në luftë, pas luftës u lëshuan në pasurim, ushtrim të dhunshëm kontrolli, uzurpime, e deri tek vrasjet e kundërshtarëve politik, mbështetësve të Ibrahim Rugovës.

Image
Komandant "Iliri", Isa Lika

Rastet më të njohura të vrasjeve në Maqedoni, dhe për të cilat dyshohet se ka gisht Ali Ahmeti, janë vrasja e Harun Alisë, një prej figurave qendrore heroike të luftës në Maqedoni, e komandant ‘Telit” me shokë, ajo e Isa Likës – “Ilirit”, i njohur edhe si komandant, “LIKA”, pastaj vrasjet në Gazibabë, Tanushë të Rekës, në Brodec, rastin Sopoti etj.

Vrasje në konspiracion

Sipas letrave me pyetësorë, përgjigje dhe informacione të Murat Jasharit, të ndjerë, vëllait të komandant “Kumanovës”, Ismetit, i vrarë në rrethana të dyshimta në luftën në Kosovë, rezulton se Ali Ahmeti, ka përgjegjësi ose vrasja e “Ilirit” është bërë në konspiracion, ku është përfshirë Ali Ahmeti.

“Edhe kjo vrasje do të jetë konspiracioni i yt, apo?”, thuhej në pyetjen e 95, të letrave publike të botuara në vitin 2012 nga Murat Jashari, drejtuar Ali Ahmetit.

Po ashtu ai po aty thoshte hapur se kjo vrasje nuk do të zbardhej kurrë, për aq kohë, sa do të ishte në pushtet Ali Ahmeti, pra BDI-ja.

“94. Kur do ta zbardhni misterin e vrasjes së Ilirit, Komandant, “LIKA”? 96. Nuk zbulohet kurrë deri sa të jesh në pushtet, a po?”, përgjigjej vetë Murat Jashari, i cili para luftës në Kosovë, e kishte pasur edhe mik personal Ali Ahmetin, dhe besonte se ofronte vërtetë vlera patriotike.

Por, Murat Jashari, pas shumë vitesh përpjekjesh për të kuptuar të vërtetën e ngjarjeve në Kosovë dhe të figurave të së majtës, si Thaçit, Halitit, Sylës e deri tek Ali Ahmeti, arriti t’ua njihte dhe të informohej për veprimet e tyre destruktive në vazhdimësi, dhe që kanë dëmtuar interesat vitale të shqiptarëve, duke i sakrifikuar ato kryesisht për interesa personale.

Isa Lika, i njohur me nofkën komandant “Iliri”, i cili e ka udhëhequr brigadën 112 të UÇK-së-“Mujdin Aliu”, e cila ka vepruar në rajonin e Tetovës gjatë luftës në vitin 2001, është vrarë më 19 tetor 2006 me armë automatike nga persona të panjohur, të cilët kanë shtënë nga një veturë në lëvizje. Po ashtu vrasësit e kanë plagosur kushëririn që ishte me të në momentin e sulmit.

Isa Lika, atë kohë ishte zëvendësdrejtor i doganave të Maqedonisë.

Pistat e dyshuara

Disa shkrime në internet e lidhin kinse me një përplasje ndërmjet dy partive, që e dominonin asokohe, politikën shqiptare atje, BDI-PDSH. Të tjerë, ia faturojnë shërbimit sekret maqedonas, të tjerë nxjerrin një pistë, nga puna e tij në dogana, apo siç shkruan një medium tjetër, pak kohë pas vrasjes se është vrarë për borxhe nga një grup shqiptarësh të Kosovës!

Por, vëlla i Isa Likës së vrarë, Pajazit Lika disa vite me radhë, e ka akuzuar BDI-në, edhe në kohën kur ishte me më shumë pushtet në qeverisje, se nuk po bënte asgjë për ndriçimin e vrasjes së vëllait të tij Isës.

"Tani nuk ekziston as juridikisht, është fshirë gjithkund, sikur të mos kishte ekzistuar asnjëherë gjallë. Janë zhdukur listingjet e telefonave, raportet e policisë, që mund të ndihmonin për ndriçimin e rastit. Kryeshefat e policisë kur zgjedhën në Tetovë, në fillim të mandatit zotohen se do ta ndriçojnë këtë rast, deri në mes të mandatit, mirëpo pas një kohe, refuzojnë të na takojnë, e më vonë bile i mbyllin edhe telefonat. Sa mandate të kryeshefave kanë kaluar, kurse ende nuk është ndërmarrë asgjë për ndriçimin e këtij rastit", ka thënë Pajazit Lika publikisht vite më parë.

Ai po argumentonte, se pushteti jo vetëm që nuk po përpiqej ta zbardhte vrasjen e vëllait, por po provonte t’i zhukte provat.

Ai madje i kundërshtonte mbajtjen e takimeve përkujtimore që i kushtoheshin vëllait të tij, dhe i bojkotonte, duke këmbëngulur për zbulimin e rastit.

"Kërkojmë llogari dhe ndriçim të rastit, e jo akademi. Dua ta dimë se pse nuk po ndriçohet rasti", thoshte Pajazit Lika.

Image
Harun Aliu, i ekzekutuar nga forcat shtetërore

Sipas tij, madje, vëllai i tij, Isa dhe Harun Aliu, ishin vrarë sepse dinin shumë gjëra, që ata mund t’ia rrëfenin shqiptarëve.

"Harunin nuk e ndajë fare nga Isa. Edhe atë e kisha vëlla. Dy vite aktivitetet për përgatitjen e luftës i kemi zhvilluar nga një dhomë e përbashkët në shtëpinë tonë. Mendoj se për të njëjtin shkak, për të cilin e likuiduan Ilirin (Isa Likën), e likuiduan edhe Kushtrimin (Harun Aliun). Kishte shumë gjëra që i dinin vetëm ata dy", thotë Pajaziti.

Harun Aliu është vrarë dymbëdhjetë vite më parë në një pritë, së bashku me shokët e tij, Xhafer Shalën, Qemal Fejzullahun dhe Shaban Zenunin.

Ai u vra më 12 maj 2010 në afërsi të fshatit Radushë të Shkupit në një pritë të organizuar nga Forcat e Armatosura të Maqedonisë. Atë kohë në pushtet ishin në bashkëqeverisje VMRO-ja dhe BDI-ja, ndërsa kryeministër ishte figura më antishqiptare, Nikolla Gruevski.

Këto veprime dhe mosveprime të Ali Ahmetit, Murat Jashari i konsideronte tradhti kombëtare.

“57. A i thonë kësaj atdhetari?
58. Ali Baba, -kësaj i thonë tradhti?
59. Për tradhti lufte, me ligjet e luftës ka ekzekutime para ushtarëve të lirisë, a po?”,
shkruante që me 2012, Jashari.

Image
Isa Lika me një bashkëluftëtarë (Bashkim Hasani?)

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat