Jashari: Këto protesta të veteranëve mund të shndërrohen në demonstrata

Aktuale

Jashari: Këto protesta të veteranëve mund të shndërrohen në demonstrata

Më: 6 qershor 2022 Në ora: 19:01
Xhavit Jashari

Kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, ka paralajmëruar edhe protestë nëse nuk plotësohen kërkesat e veteranëve.

“I ftoj të gjithë deputetët pavarësisht partive, që t’i thërrasin mendjes dhe të mos bëjnë një gabim të tillë, qëllimi ynë ka qenë që në aspektin simbolik, tash ka ardhur fundi dhe nuk luhet me këtë kategori, në të kundërtën protestat do të jenë të fuqishme, do të shndërrohen në demonstrata dhe përgjegjësia, për çfarëdo që ndodh, bie mbi qeverinë dhe kryeministrin”, ka thënë Jashari në një intervistë në Info Magazinë.

Ai tha se që nga përfundimi i luftës nuk kanë pasur trajtimin e duhur nga institucionet shtetërore, andaj sipas tij, reagimi i veteranëve me protestë ishte diçka normale.

“Prej pas përfundimit të luftës nuk ka ndodhur një trajtim i duhur nga institucionet në vazhdimësi, por me këtë qeverisje i ka ardhur fundi, andaj është normale edhe reagimi i veteranëve sepse është zhgënjimi shumë i madh”, ka vazhduar ai.

Ai tha se përfitimet e veteranëve janë të lidhura me pagën minimale dhe nuk mund të jenë nën këtë pagë.

“Mendoj që është gabim i madh që të insistohet të ndryshohet një ligj i tillë, i cili deri tani është kategori sociale që e trajton veteranin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mbi të gjitha veterani i UÇK-së mund të ketë benificion 500 euro a 1000 euro, varësisht prej gjendjes dhe kapaciteteve që i ka qeveria, benificioni i veteranëve është i lidhur me pagën minimale dhe nuk mund të jetë nën këtë pagë”, është shprehur Jashari.

Ai madje tha se policia k hedhur gaz lotsjellës ndaj tyre në protestë.

“Do të duhej që të mos hidhte policia gaz lotsjellës, se edhe aty ka shumë anëtarë të këtyre kategorive. U bëj thirrje të kenë respekt për këtë kategori”.

Jashari tha se nuk është në kompetencë të kryeministrit të verifikohen listat e veteranëve, por shtoi se edhe nëse bëhet një verifikim i tillë, nuk kanë frikë.

“Nuk ka qenë kryeministri kompetent për të verifikuar listat e veteranëve, por komandantët e zinxhirit komandues të zonave të cilët edhe e kanë bërë dhe rezultati ka qenë i pranueshëm për ne, ne nuk i frikësohemi verifikimit të kategorive të dala nga lufta”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat