​Ambasadorët e BE-së vizitojnë venarinë e financuar nga Bashkimi Evropian

Aktuale

​Ambasadorët e BE-së vizitojnë venarinë e financuar nga Bashkimi Evropian

Më: 7 qershor 2022 Në ora: 17:37
Tomas Szunyog

Në kuadër të vizitës së tij në komunën e Rahovecit, shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog së bashku me ambasadorë të shteteve të BE-së ka vizituar edhe Hoçën e Madhe.

Ata me këtë rast janë takuar me Srgjan Petroviq, pronar i restorantit dhe verarisë “Vinica Petroviq”, i cili është mbështetur nga Bashkimi Evropian për të investuar në biznesin e tij, veçanërisht në prodhimtarinë e verërave. 

Petroviq tha se BE-ja e ka mbështetur për blerjen e pajisjeve për prodhimin e verës, e cila i ndihmoi të zhvillojnë biznesin familjar, duke përfshirë një restorant, dhe të rinovojë shtëpinë e vjetër familjare. 

Petroviq: Jam gjenerata e gjashtë në familje që vazhdon traditën e prodhimit të verërave

“Jam gjenerata e gjashtë në familje që e ka vazhduar traditën e prodhimit të verërave. Përkrahjen më të madhe pas vitit 2000 e kemi pasur nga Bashkimi Evropian dhe organizata IOM, kur në vitin 2003 kemi marrë mjete dhe pajisje të reja për përpunimin dhe prodhimin e verërave. Kështu që atëherë me mbështetjen e BE-së dhe IOM/it kemi ndërruar pajisjet tona të vjetra si kazanët për raki si dhe cisternat për vlim, kështu që me sukses kemi vazhduar me prodhimin dhe kjo ka qenë shtytje, që për ne në atë kohë ishte shumë e rëndësishme, sepse ishim pa mjete dhe pajisje të rëndësishme të reja, për të ecur përpara për t’i rritur kapacitetet tona”, tha ai. 

Kjo ngjarje është organizuar në kuadër të fushatës “Për ju, me ju”, e cila ka për qëllim promovimin e mbështetjes së Bashkimit Evropian në Kosovë. 

Deri më tani, falë mbështetjes së BE-së në sektorin e bujqësisë, më shumë se 500 të rinj janë punësuar, më shumë se 100 agro-biznese kanë krijuar standarde prodhimi të nivelit të BE-së, dhe rreth 80 biznese kanë ulur shpenzimet dhe ndotjen duke rritur eficiencën e energjisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat