​Xhezairi: Prania e Varhelyi në Ballkanin e Hapur, flet për kahet në të cilat do të shkojë kjo nismë

Aktuale

​Xhezairi: Prania e Varhelyi në Ballkanin e Hapur, flet për kahet në të cilat do të shkojë kjo nismë

Më: 7 qershor 2022 Në ora: 18:27
Analisti Seladin Xhezairi

Përfaqësues të shteteve që janë pjesë e nismës Ballkani i Hapur do të mblidhen sot dhe nesër në Ohër të Maqedonisë së Veriut, për të zhvilluar takimin e radhës ku pritet të nënshkruhen edhe disa marrëveshje bashkëpunimi.

Është njoftuar se të pranishmëve përmes një video-lidhjeje do t’iu drejtohen edhe i dërguari i Posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar dhe komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi. 

Analisti Seladin Xhezairi thotë se komisionari Varelyi do të jetë i pranishëm në Ohër dhe sipas tij kjo tregon peshën politike dhe mbështetjen që i jep BE-ja kësaj nisme.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përsëri i ka thënë jo ftesës së kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, për pjesëmarrje në samitin e Ballkanit të Hapur.

Gjithashtu Bosnje Hercegovina mbetet në qëndrimin e saj për t’u mos bërë pjesë e kësaj nisme, por në cilësinë e vëzhguesit do të paraqitet me një zyrtar.

Përveç shteteve anëtare të Ballkanit të Hapur, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, sivjet drejt Ohrit ka udhëtuar edhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i cili kohët e fundit ka dhënë sinjale se vendi tij mund të përfshihet në këtë nismë.

Në një intervistë për KosovaPress, analisti në Maqedoninë e Veriut, Seladin Xhezairi thotë se iniciativa Ballkani i Hapur po bëhet gjithnjë e më shumë temë jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë dhe SHBA.

Xhezairi: Prania e Varhelyi në Ohër flet për kahet nga do të shkojë Ballkani i Hapur 

“Këtu do të mbërrij sot gjatë ditës edhe komisionari për Zgjerim i BE-së, Varhelyi dhe prania e tij vetvetiu flet për kahet nga do të shkojë kjo nismë ballkanike, po e përsëris e debatueshme në Prishtinë, Podgoricë, Sarajevë dhe në qarqet e këtushme politike në Shkup, me gjithë mbështetjen deklarative se nuk është dhe se nuk mund të dëgjohen rezerva të caktuara. (Varhelyi) do të jetë i pranishëm fizikisht në konferencën e Ohrit që lë të kuptohet për peshën politike dhe mbështetjen që i jep BE kësaj nisme. Kujtoj se takimi i nesërm dhe pozicionimi i tre liderëve në radhë të parë i dyshes Vuçiq-Rama pse jo edhe kryeministrit të Maqedonisë Kovaçevski, do të trasojë edhe fatin, saktësisht tempin e çuarjes përpara të këtij procesi dhe gjithnjë duke marrë parasysh se mund të ketë edhe rezerva, ta zëmë, me pozicionimin e qeverisë së presidentit serb Vuçiq karshi zhvillimeve në Ukrainë dhe kërkesës së BE-së për t’i mbështetur edhe Serbia sanksionet ekonomike ndaj Rusisë”, thotë ai.

Nesër në kuadër të Ballkanit të Hapur, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia pritet të nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi që lidhen me luftën kundër evazionit fiskal, njohjen e diplomave në arsim dhe për bashkëpunim në fushën e kulturës dhe turizmit.

Xhezairi: Njohja e diplomave, një ndër benefitet e marrëveshjeve në Ballkanin e Hapur 

“Bëhet e ditur se theksi do të vihet mbi domosdoshmërinë në rrafshin ekonomik të luftimit të asaj që quhet evazion fiskal. Një çështje tjetër do të jetë çuarja përpara e bashkëpunimit në lëmin e kulturës. Çështja tjetër ka të bëjë me njohjen e diplomave të lëshuara nga qendrat universitare të vendeve pjesëmarrje dhe nuk është se këtu nuk kanë pasur apo nuk kanë probleme as pjesëtarët e etnitetit shqiptar konkretisht në Luginën e Preshevës, për shkak se shumë atje kanë përfunduar studimet apo vijojnë shkollimin në qendrat universitare si në Maqedoninë e Veriut, po ashtu në Kosovë dhe në Tiranë, dhe ky do të kishte qenë një ndër benefitet e marrëveshjeve të kësaj nisme”, thotë ai.

Ndryshe, sonte në Ohër do të zhvillohet një darkë në mes të përfaqësuesve të shteteve pjesëmarrëse, ndërsa hapja e samitit bëhet nesër ku do të zhvillohen edhe seanca plenare.

Politikanët në Kosovë vazhdojnë të deklarojnë se e mbështesin Procesin e Berlinit, ndërsa kundërshtojnë Ballkanin e Hapur çka sipas tyre në këtë të fundit shtetet nuk trajtohen në mënyrë të barabartë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat