​AAK kërkon nga Qeveria heqjen e akcizës për naftën dhe heqjen e tatimit për produktet bazike

Aktuale

​AAK kërkon nga Qeveria heqjen e akcizës për naftën dhe heqjen e tatimit për produktet bazike

Më: 8 qershor 2022 Në ora: 14:48
Pal Lekaj

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës heqjen për një periudhë pesë mujore të akcizës për naftën, heqjen e tatimit mbi produktet bazike të shportës familjare dhe përkrahjen direkte apo indirekte për të ruajtur zinxhirin ekonomik, të sigurohet furnizimi apo kontratat për produktet bazike dhe kontrolli i tregut.

Deputeti i kësaj partie, Pal Lekaj, ka thënë se kjo duhet të bëhet për shkak të inflacionit të lartë në Kosovë.

Karshi krizës, ai ka kritikuar të parin e Qeverisë, Albin Kurtin dhe ministrat e dikasterëve ekonomikë, duke thënë se i pari është në ekskursion ndërsa ministrat përkatës janë të padukshëm.

Ai në një konferencë për media tha se ekonomia e Kosovës është para kolapsit dhe duhet të ndërmerren masat urgjente.

Lekaj: Ekonomia e Kosovës është para kolapsit

“Ekonomia e Kosovës është para kolapsit. Për të ruajtur vullnetin, zinxhirin ekonomik, na duhen masa urgjente që duhet të përfshijnë së paku tri segmente: E para, përkrahja nëpërmjet politikave fiskale dhe tatimore, e dyta, në përkrahjen qoftë direkte apo indirekte për të ruajtur zinxhirin ekonomik, dhe e treta, të sigurohet furnizimi apo kontratat për produktet bazike dhe kontrolli i tregut”, theksoi Lekaj.

Ndërsa tek përkrahja nëpërmjet politikave fiskale dhe tatimore, masat e propozuara janë: Heqja për një periudhë pesëmujore të akcizës për naftën, heqja e tatimit mbi produktet bazike të shportës familjare, përkrahjen direkte apo indirekte për të ruajtur zinxhirin ekonomik, masa emergjente të rishikimit të çmimeve në projektet e investimeve publike, të sigurohet furnizimi apo kontratat për produktet bazike, qeveria së bashku me odat ekonomike, bizneset të krijojnë një mekanizëm i konsultimit dhe koordinimit me akterët (qeverisë, ekspertët, prodhuesit, bizneset) në mënyrë që të prodhohen politika dhe veprime për t’iu përgjigjur krizës.

Lekaj tha po ashtu se Qeveria nuk po i trajton kërkesat për kontratat e nënshkruara të investimeve.

Lekaj: Qeveria nuk po i trajton kërkesat për kontratat e nënshkruara të investimeve

“Kontratat e nënshkruara të investimeve kapitale në vend janë bllokuar për shkak të ngritjes enorme të çmimeve dhe mos rishikimit të kërkesave të papunë marrësve... Dhe ne kemi informacione që kërkesat e tyre janë të vazhdueshme por që nuk janë trajtuar nga kjo Qeveri, sikurse çështjet tjera që janë vitale për vendin, qe fare nuk e qojnë kokën për t’i trajtuar... Tashmë, efektet e krizës janë të mëdha, ndikimi zinxhiror mund të jetë i paparashikueshëm.

Lekaj po ashtu kërkoi nga Qeveria që mos të jetë “e fjetur” përballë gjithë këtyre krizave ekonomike dhe kërkesave të qytetarëve, pasi siç tha ai, për një vit e gjysmë nuk ka qenë aktive.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat