Greqia, më e afërta nga 5 mosnjohëset e Kosovës

Aktuale

Greqia, më e afërta nga 5 mosnjohëset e Kosovës

Më: 8 qershor 2022 Në ora: 23:50
Foto ilustrim

Sikur në fillim qershorin e 2021-ës edhe ky i 2022-ës, Nikos Dendias po e gjen në Kosovë.

Vizitën e së mërkurën në Prishtinë, Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë e nisi në takim me presidenten Vjosa Osmani.

Një konferencë për media mungoi, por pas takimit me dyer të mbyllura nga presidenca u njoftua se dy vendet ndajnë vlerat e njëjta dhe se iu kërkua Athinës mbështetje për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Evropës e Partneritet për Paqe të NATO-s.

Sa herë që zyrtarë helenë vijnë për vizitë u kërkohet njohja. Greqia është në mesin e pesë shteteve të Bashkimit Evropian që nuk njohin Pavarësinë e Kosovës.

Kryetarja e Kosovës shpreson që akti i njohjes të formalizohet së shpejti.

Kurse Dendias njoftoi se me presidenten kosovare folën për zhvillimet pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe dialogun Prishtinë-Beograd.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, Dendias, siç njoftoi zyra e tij, do të pritet edhe nga kryeministri Albin Kurti i cili për nder të mysafirit do të shtrojë darkë.

Ndonëse nuk e njeh formalisht shtetin e Kosovës, Greqia pranon pasaportën kosovare dhe ka zyrën ndërlidhëse në kryeqytet.

Vitin e kaluar zyra e Prishtinës në Athinë nga ndërlidhëse u shndërrua në zyrë për interesat e Kosovës në kryeqendrën helene.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat