Hoti përmend marrëveshjen e Uashingtonit: Kosova mund të bëhet pjesë e “Ballkani i Hapur” me disa kushte

Aktuale

Hoti përmend marrëveshjen e Uashingtonit: Kosova mund të bëhet pjesë e “Ballkani i Hapur” me disa kushte

Nga: M.L. Më: 9 qershor 2022 Në ora: 11:30
4 shtatot 2020 delegacioni i Kosovës në Shtëpinë e Bardhë

Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti konsideron se Kosova mund të bëhet pjesë e nismës rajonale “Ballkani i Hapur” vetëm në koordinim dhe me garancat e SHBA-së, shkruan "Bota sot".

Në një postim në Facebook Hoti ka shkruar se në takimin e 4 shtatorit të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, Qeveria e udhëhequr nga LDK-ja pranoi kërkesën që Kosova të bëhej pjesë e “Open Balkan” pas disa garancave që mori nga SHBA.

“Në qeverinë e udhëhequr nga LDK-ja, në takimin në Shtëpinë e Bardhë në Uashington më 4 shtator 2020, ne pranuam kërkesën e SHBA-së që Kosova të bëhet pjesë e nismës rajonale "Ballkani i hapur" pasi morëm garancën e tyre se:

(1) pjesëmarrja jonë në këtë nismë do të jetë mbi baza plotësisht të barabarta dhe se

(2) kjo nismë rajonale, dhe cilado nismë tjetër, ka sukses vetëm kur marrin pjesë të gjitha vendet.

Këto dy parime, si dhe faktin se kjo nismë është vetëm për bashkëpunim ekonomik, u theksuan dje në Ohër shumë qartë nga zyrtarët amerikan”, shkruan Hoti në Facebook.

Sipas tij, në terma praktik, parimi i parë nënkupton se Serbia detyrohet ta njoh subjektivitetin shtetëror të Kosovës në marrëdhëniet rajonale në çdo aspekt sikurse të çdo vendi tjetër, pasi pjesëmarrja e palëve është në baza plotësisht të barabarta.

Ndërkaq, parimi i dytë nënkupton se Serbia nuk mund të dominojë tregun rajonal kur të gjitha vendet e rajonit marrin pjesë në këtë nismë.

Sidoqoftë, Hoti potencon se çdo nismë rajonale është e përkohshme, pasi orientimi i Kosovës është integrimi në BE.

Kosova duhet të bashkërendojë politikën e saj të jashtme me partnerin e saj strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe me Bashkimin Evropian.

Kosova mund të bëhet pjesë e nismës rajonale “Ballkani i hapur” vetëm në koordinim dhe me garancat e SHBA-së”, përfundoi ish kryeministri dhe deputeti i LDK-së Avdullah Hoti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat