Kurti: Për të pasur ‘Ballkan të Hapur’, është Serbia ajo që duhet të hapet ndaj Kosovës

Aktuale

Kurti: Për të pasur ‘Ballkan të Hapur’, është Serbia ajo që duhet të hapet ndaj Kosovës

Më: 9 qershor 2022 Në ora: 13:14
Kryeministri Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se për të pasur “Ballkan të Hapur” është Serbia ajo që duhet të hapet ndaj Kosovës.

Kreu i qeverisë tha se gatishmëria për bashkëpunim rajonal shprehet me mbështetjen për Procesin e Berlinit dhe angazhimin për tregun e përbashkët rajonal.

“Nuk besojmë në vetëmjaftueshmërinë e Ballkanit, Ballkani nuk përbëhet vetëm nga 6 shtete në përgjithësi. Ballkani Perëndimor ende i paintegruar në BE përbehet nga 6 shtete me ç’rast këto s’mund të trajtohen bashkë, sepse kemi shtete që nuk e kanë dënuar dhe s’kanë vënë sanksione ndaj Rusisë. Ka shtete në Ballkanin Perëndimor që janë në anën e Ukrainës, dhe kemi shtete si puna e fqinjit tonë verior që është në anën e federatës ruse dhe presidentit despotik të saj. Për të pasur Ballkan të Hapur, është Serbia ajo që duhet të hapet ndaj Kosovës”, tha Kurti.

“Nëse një qytetar i Kosovës dëshiron të shkojë në Serbi dhe qoftë për të vizituar të afërmit në Preshevë, Medvegj e Bujanoc, apo për të kaluar transit nëpër atë shtet, nuk i pranohet pasaporta, nëse e tregon kartën e identitetit, ajo merret vetëm për t’i thithur të dhënat biometrike”, tha Kurti.

Kryeministri vazhdoi duke thënë se BE-ja është fati i Kosovës, ‘Evropa kontinenti ynë, dhe për këtë jemi të palëkundur’.

“E mbështesim qëndrimin amerikan se s’mund të ketë Ballkan të Hapur të themeluar si iniciativë përderisa s’janë 6 shtete, është mirë një herë të shikohet a janë të 6 shtetet. Të mos e mundojnë as veten e tyre, sepse nëse nuk janë 6 shtetet nuk ka Ballkan të Hapur”, tha kryeministri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat