Dita e çlirimit, qytetarët kujtojnë si ndodhi mrekullia

Aktuale

Dita e çlirimit, qytetarët kujtojnë si ndodhi mrekullia

Më: 12 qershor 2022 Në ora: 14:53
Foto ilustrim

Pavarësisht që kanë kaluar 23-vjet nga çlirimi, qytetarët e Kosovës e kujtojnë këtë ditë si një nga ditët më të lumtura të jetës së tyre. Mirëpo pas gjithë këtyre viteve ata shprehen të pakënaqur me të arriturat e vendit, duke thënë se është dashur të punohet më shumë.

Sabri Rexha ka thënë për KosovaPress, se këtë ditë e kujton si mrekulli, derisa ka shtuar se nuk ka aktivitete të mjaftueshme për ta shënuar këtë përvjetor.

Rexha: E kujtoj si mrekulli

“E kujtoj si mrekulli. Tani po me duket si për turp pa manifestime, me disa flamur herë kombëtar dhe herë shtetëror. Nuk ka para marketeve, institucioneve flamuj”, tha ai.

Rrahim Gjionfci, një qytetar tjetër, ka thënë se ka qenë njëra ndër çastet më të lumtura gjatë gjithë jetës së tij.

Gjinofci: Gëzim më të madh se atë ditë nuk ka

“Kam qenë në Maqedoni si refugjatë, gëzim ma t ‘madh se atë ditë, më datën 13 nuk ka në Prishtinë. Gëzimi i madh me këngë e muzikë”, tha ai.

Ndërsa ka shtuar se edhe pse kanë kaluar 23 vjet pas çlirimit, nuk është duke u punuar asgjë nga kjo Qeveri.

Gjinofci: Kjo Qeveri nuk punon asgjë

“Deri me këtë Qeveri ndoshta deri diku kemi qenë të kënaqur, por me këtë Qeveri prej që ka ardhë nuk punon asgjë, e rren popullin. Është inflacion i madh, ne të gjithë po e shohim.. Marre për këtë Qeveri, marre për Albin Kurtin e ka rrejt këtë popull”, tha ai.

Një qytetar tjetër, thotë se është gëzim i madh për gjithë popullin, derisa ka shtuar se është dashur të punohet më shumë dhe jo të bie pre e egoizmit.

Qytetari: Lidershipin paslufte interesin e vet e ka vendos para atij kombëtar

“Gëzim i madh për gjithë popullin, d.m.th. një informatë e madhe për popullin shqiptar pas 2 mijë viteve, bashkim i trojeve... Absolutisht jo, ka mujt mu bo shumë më shumë, kemi ra pre e egoizmit, lidershipit tonë. D.m.th. lidershipin ynë pas lufte interesin e vet e ka qit para atij kombëtar dhe popullin e ka dënuar rendë”, tha ai.

Atdhe Geci, qytetar tjetër thotë se është ngjarje e madhe për kombin e Kosovës, ndërsa ka shtuar se formimi i një shteti do sakrificë.

Geci: Formimi i një shteti do sakrificë

“Është një ngjarje që është prit prej kohësh, ngjarje epokale, një ngjarje e madhe për kombin tonë, për Kosovën...6:24 Formimi i një shteti do sakrificë, prandaj Kosova është në rrugë të mirë, në anën e duhur, probleme ka brenda, janë mijëra vite që përpiqet të jetë vetvetja, ka ndodhur zvogëlimi i atdheut tonë”, tha ai.

Më 12 qershor 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë në Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze.

E vlerësuar nga ata që e përjetuan si ditë e çlirimit dhe si një ndër ditët më të mëdha të historisë së Kosovës, 12 qershori, ndonëse jo e njohur edhe si festë zyrtare, është një ditë kur nga ushtarakë dhe diplomatë botërorë do të mbahet mend si një ditë gati konfrontimi midis Perëndimit dhe Rusisë, një ditë siç thuhej, ‘që do të mund të niste Luftën e Tretë Botërore.’

Ushtarët e parë të NATO-s që hynë në Kosovë më 12 qershor ishin forcat speciale të Norvegjisë dhe ato të Shërbimit Special Ajror Britanik, duke u gjetur ballë për ballë me trupat e Rusisë të cilët një ditë më parë ‘befasisht’ kishin marrë Aeroportin e Prishtinës me qëllimin e ndarjes së Kosovës.

Rusia synonte prurjen e mijëra përforcimeve nga ajri, mirëpo pas intervenimit nga Washingtoni, Bullgaria, Hungaria dhe Rumania refuzuan kërkesën e Moskës për shfrytëzimin e hapësirës së tyre ajrore.

Pas bllokadës amerikano-britanike të pistës së aeroportit, ministria e Jashtme ruse e quajti ndërhyrjen e ushtarëve të saj ‘një gabim.’ Dhe çdo gjë tjetër tashmë është histori. Hyrja e NATO-s ktheu në Kosovë mbi një milionë shqiptarë.

Hyrja e ushtarëve të NATO-s hapi rrugën e kthimit në shtëpitë, tokën dhe vendin e tyre mbi një milionë shqiptarëve të Kosovës të degdisur refugjatë në dhjetëra vende dhe tre-katër kontinente të botës.

Deri tash kanë shërbyer në Kosovë afër 500 mijë pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të shumë vendeve, kryesisht atyre perëndimore, duke qenë larg familjeve dhe më të dashurve të tyre dhe duke sakrifikuar edhe nga një pjesë të jetës për lirinë, sigurinë dhe paqen në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat